Në 80 vite Republikë Italiane nuk ka ndodhur kurrë që një mandat qeverisës të nisë e të përfundojë i pandërprerë. Por qeveria aktuale e Giorgia Melonit është më afër se kushdo tjetër, pasi qëndron në pushtet prej 1413 ditësh, duke shënuar një rekord absolut në politikën italiane. Më herët rekordi mbahet nga qeveria Berlusconi 2, me 1412 ditë.

Kjo arritje e Melonit nuk i ka shpëtuar kryeministrit shqiptar, Edi Ramës i cili njihet për marrëdhënien shumë të mirë me homologen italiane.

Në një video të shpërndarë në italisht në rrjetet sociale, Rama përgëzon Melonin, e cila sipas tij, ndryshe nga ç’parashikohej kur mori pushtetin ka krijuar ‘inflacion demokracie’ në politikën italiane.

“Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit. E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza. Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht. Por gjithsesi duhet t'i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash. Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t'u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë. Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare”, thotë Rama.

Vetë Giorgia Meloni shkruan se e mirëpret me mirënjohje e përgjegjësi këtë arritje, e cila sipas saj tregon stabilitet që në thelb është meritë e koalicionit të bashkuar.

“Një besim që nuk e kemi konsideruar kurrë si një çek të bardhë dhe që nuk do ta marrim kurrë si të mirëqenë. Vitin e ardhshëm do të rikthehemi përpara qytetarëve me atë që kemi bërë, me atë që mbetet ende për t’u bërë dhe me idenë tonë për të ardhmen. Dhe sërish do të jetë në dorën e tyre të vendosin nëse e meritojmë të vazhdojmë këtë rrugëtim”, shprehet ajo.

Meloni është kryeministrja e parë dhe e vetme deri tani në historinë e Italisë. Ajo mori pushtetin në tetor 2022, ndërsa zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Itali priten në fillim të vitit të ardhshëm.