Një grabitje e organizuar si në film është filmuar nga kamerat e sigurisë në Kaliforni, ku një bandë grabitësish arriti të marrë bizhuteri me vlerë rreth 1.7 milionë dollarë brenda vetëm 70 sekondash.

Ngjarja ndodhi në qytetin Fremont, në një dyqan bizhuterish, ku disa makina ndaluan me shpejtësi para hyrjes. Nga automjetet zbritën rreth 20 persona të maskuar dhe me kapuç, të cilët hynë menjëherë në dyqan në një sulm të koordinuar.

Të armatosur me çekiçë, grabitësit thyen vitrinat dhe morën ar, diamante dhe bizhuteri të tjera. Sipas autoriteteve, më shumë se tre të katërtat e produkteve të dyqanit u grabitën.

Dy persona të armatosur mbajtën peng rojen e sigurisë derisa të gjithë grabitësit dolën nga dyqani. Më pas ata u larguan me disa makina që u shpërndanë në drejtime të ndryshme, duke e bërë të vështirë ndjekjen nga policia.

Oficerët arritën të ndjekin vetëm një nga automjetet që u largua me shpejtësi nëpër zona të banuara. Pas një aksidenti dhe një ndjekjeje të shkurtër në këmbë, katër të rinj të moshës 19 dhe 20 vjeç u arrestuan.

Hetuesit dyshojnë se kjo grabitje lidhet edhe me një tjetër vjedhje të ngjashme që ndodhi në Kaliforni, ku u grabitën bizhuteri me vlerë të ngjashme.