200 VIP-at e 2014-ës: Pasqyra e
ekonomisë skandaloze shqiptare

200 VIP-at e 2014-ës: Pasqyra e<br />ekonomisë skandaloze shqiptare
Analiza e 200 VIP-ave, sipas llojit të ndërmarrjeve për 2014-n, na sjell para një paralajmërim të zymtë për të ardhmen e ekonomisë në afatin e mesëm e të gjatë. Kur të gjithë po flasin për një model të ri, që do ta orientonte vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, larg ndërtimeve pa fre e tregtisë së mirëfilltë, drejt industrisë me vlerë të lartë të shtuar, të dhënat janë kokëfortë.

Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha mbizotërojnë kompanitë e tregtimit të naftës, që zinin rreth 10% të numrit total (21 të tilla) dhe kanë realizuar 21% të qarkullimit total të 200 VIP-ave, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti.

Nga 10 sipërmarrjet më të mëdha në vend sipas qarkullimit vjetor, 4 merren me naftë. Edhe aktivitetet e lojërave të fatit, kanë parë një lulëzim të aktivitetit vitin e kaluar, një ecuri kjo që mund të habisë shumëkënd që priste një rënie të tyre pas sulmeve të ashpra, me të cilat qeveria e re nisi aksionin “fundi i marrëzisë”, sapo erdhi në pushtet, në tremujorin e fundit 2013 dhe synonte, ndër të tjera, të godiste vesin e keq të të luajturit bixhoz.
Sipërmarrjet prodhuese e përpunuese dhe ato eksportuese numërohen me gishtat e dorës. Në listën e 100 më të mëdhave ka vetëm 4 sipërmarrje eksportuese.

Kompanitë e ndërtimit janë përulur përpara reduktimit të shpenzimeve kapitale në 2014-n dhe ndalimit drakonian të lejeve të ndërtimit, që vitet e kaluara ishin bërë ushqimi kryesor i tyre.

Në total, qarkullimi vjetor i 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, i nxitur artificialisht dhe nga nafta (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shit-blerjes disa herë të saj) është rritur me 5% në 2014-n, në një ekonomi që shënoi një zgjerim të prodhimit të brendshëm prej 2.12%, sipas të dhënave të rishikuara të INSTAT.

Në listën e 200 më të mëdhenjve për 2014-n, 35% janë sipërmarrje me kapital të huaj, ku mbizotërojnë institucionet financiare, kompanitë e rrugëve, prodhues të naftës. Një vit më parë, në listë kishte 31% sipërmarrje të huaja. Hyrjet e reja janë kryesisht në fushën e ndërtimit të rrugëve.

10 më të mëdhenjtë, dominon nafta, “rrëshqasin” më poshtë telekomunikacionet
  1. Bankers Petroleum Albania ka vijuar të jetë kompania më e madhe në vend edhe për 2014-n, ndonëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të çmimeve të naftës në gjysmën e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga bilanci, qarkullimi vjetor i kompanisë (i rakorduar me deklarimet tatimore PDF të kompanisë për efekt të TVSH-së) ishte 67.3 miliardë lekë, me një rënie fare të lehtë në raport me 67.7 miliardë lekë një vit më parë. Kompania ka rritur shitjet brenda vendit nga 2.8 në 8.4 miliardë lekë, megjithatë, shitjet kryesore i ka shënuar përmes eksporteve, ku ka gjeneruar 53 miliardë lekë. Bankers ka paguar 9 miliardë lekë rentë minerare në 2014-n, nga 9.8 miliardë lekë një vit më parë.
Kompania ka raportuar humbje fiskale prej 12.5 miliardë lekësh në 2014-n (rreth 100 mln USD), nga rreth 19.4 miliardë lekë që ishte humbja fiskale e një viti më parë.
  1. Kastrati SHA është sërish kompania e dytë më e madhe në vend, sipas xhiros, duke i rritur të ardhurat me 5% në rreth 67 miliardë lekë. Luigj Aliaj, një nga administratorët e kësaj kompanie, vijon të mos jetë optimist për pozicionimin te më të mëdhenjtë sipas xhiros. Ai pohon se nga natyra, sipërmarrjet e naftës qarkullojnë volume të mëdha, që realisht nuk kanë ndonjë ndikim të madh në ekonomi. Megjithatë ato janë të rëndësishme si “agjente fiskale”. “Në fakt, 930 lekë në çmimin e një litri naftë janë taksa”, – thotë ai.
Kompanitë e naftës karakterizohen nga norma të ulëta fitimi dhe kanë një numër të vogël të punësuarish, dy elemente që, sipas Aliajt, janë parësore për të parë ndikimin e një kompanie në ekonominë reale të një vendi.

Pesha e kompanisë në tregun e naftës është rritur vazhdimisht vitet e fundit. Sipas një hetimi të Autoritetit të Konkurrencës, Ndërmarrja Kastrati SHA është aktive në import dhe rezulton se pjesën kryesore të karburantit e shet në zonën e lirë doganore edhe për periudhën janar – prill 2014, ku pozicioni i saj në treg është rritur ndjeshëm, pjesa e karburantit naftë që shitet nga kjo ndërmarrje në zonën e lirë doganore është rreth 74% e sasisë totale të importuar dhe 80% të produktit benzinë të importuar, nga nën 50% që kishte qenë në 2013-n për të dy llojet e karburanteve.
  1. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka përmirësuar ndjeshëm aktivitetin, pas një 2013-e tepër negative. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 25% në 47.3 miliardë lekë. Ulja e shpenzimeve operative, me 32%, ka bërë që humbjet të zbresin ndjeshëm në 930 milionë lekë, nga 26 miliardë lekë një vit më parë. Megjithatë, kompania vijon të vuajë barrën e lartë të detyrimeve të pambledhura, ku vetëm llogaritë që duhet të arkëtohen nga klientët familjarë ishin 45.8 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3% me bazë vjetore. Kompania për të disatin vit radhazi vijoi me një kapital negativ, që u ngjit në 71 miliardë lekë në 2014-n, ndërkohë që gjithë aktivet e kompanisë ishin 33.2 miliardë lekë, e njëjta vlerë si një vit më parë.
  2. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), pjesë e grupit turk Çalik, ka ruajtur pozicionin e katërt, me një xhiro prej 40.4 miliardë lekësh dhe rritje prej 13%.
BKT ka pasur një aktivitet të qëndrueshëm vitet e fundit, duke kaluar në 2014-n si banka më e madhe në vend edhe nga aktivet, ndërsa është huadhënësja e dytë më e madhe në vend, pas Raiffeisen.
  1. Kurum International, një tjetër grup investitor turk, që është vendosur prej disa vitesh në Shqipëri, është ngjitur me shpejtësi dy vitet e fundit në listën e më të mëdhenjve. Kompania, që është zgjeruar, – krahas aktivitetit në industri dhe metale,- edhe në fushën e prodhimit të energjisë, përmes blerjes së katër hidrocentraleve në fund të 2013-s, (Bistrica 1,2, Ulëz dhe Shkopet me fuqi totale të instaluar 76.7 MW), ka qarkulluar 28.3 miliardë lekë, me një zgjerim prej 16% në raport me një vit më parë, rritje që ka ardhur nga përfshirja në aktivitetin e energjisë. Në vitin 2014, 4 HEC-et e Kurum kanë prodhuar në total 366 mijë MWH, ose 28% të totalit të energjisë nga prodhuesit privatë dhe ata me koncesion, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, duke qenë prodhuesi i dytë më i madh në vend pas KESH.
  2. Europetrol Durrës Albania (tregtuesi i markës Eida) vijon të mbetet në listën e 10 të mëdhenjve. Ndërsa dikur ishte në të njëjtat nivele me Kastratin, treguesi i naftës ka parë një rënie të vazhdueshme të të ardhurave vitet e fundit. Në 2014-n, xhiro vjetore ishte 19.6 miliardë lekë, me një rënie prej 13%.
  3. Everest Oil SHA është një hyrje e re e dy viteve të fundit, që është ngjitur me shpejtësi në renditje. Kompania është krijuar në mesin e vitit 2012, për të arritur të ardhura prej 16 miliardë lekësh në 2013-n, duke u pozicionuar atë vit direkt në vendin e dhjetë. Në 2014-n, zgjerimi vazhdoi, ndonëse me ritme më të ulëta, duke arritur në 18.9 miliardë lekë (rritje 16%). Everest tregton me shumicë naftën nga depozitat e Petrolifera, ndërsa nuk ka një rrjet të vetin të tregtimit me pakicë. Everest Oil SHA blen karburantet nga ndërmarrja ENI s.p.a. dhe ua shet këtë karburant ndërmarrjeve të tjera të shitjes me shumicë në zonën e lirë doganore (pra i gjithë transaksioni ndodh në zonë të lirë doganore), sipas një hetimi të Autoritetit të Konkurrencës.
  4. Genklaudis SHA (tregtuesi me shumicë i markës Gega Oil) është një tjetër operator nafte, që ka hyrë për herë të parë në dhjetëshe në 2014-n, duke u rritur me 46%, për të arritur të ardhura prej 18.4 miliardë lekësh. Muajt e fundit kompania shënoi një hov të aktivitetit të saj, duke marrë pjesën më të madhe të pikave të tregtimit të IT Oil, teksa kjo e fundit po del gradualisht nga tregu.
  5. Raiffeisen Bank ka vijuar të jetë në dhjetëshen e më të mëdhenjve sipas xhiros, pavarësisht strategjisë së saj të uljes së peshës në treg të ndjekur që nga viti 2012, në linjë me orientimin e mëmës në Vjenë për të ulur ekspozimin e saj në tregjet e Europës Lindore e Juglindore. Banka ka ulur me 16% të ardhurat, në 17.2 miliardë lekë në 2014-n.
  6. Alfa SHA, në pronësi të Agna Group, e përqendruar në tregun e shpërndarjes dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe të tjera të segmentit FMCG (fast moving consumer goods – mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga rafti) është një tjetër ngjitje e re në dhjetëshe. Kompania, që është ambalazhuesi dhe shpërndarësi i Pepsi, prodhuesi i ujit Glina dhe shpërndarës i produkteve të tjera ushqimore dhe disa “brandeve” të prodhuesve të cigareve apo i produkteve të kompanive celulare, ka rritur të ardhurat me 22% në 17 miliardë lekë në vitin 2014.

Maturimi i telekomunikacioneve dhe pritshmëritë për konsolidim
Për herë të parë në shumë vjet, kompanitë e telefonisë celulare nuk janë në listën e 10 më të mëdhave sipas xhiros. Katapultimi i sipërmarrjeje të naftës dhe maturimi i tregut të telekomunikacioneve, së bashku me manovrat e vetë operatorëve celularë për të “zbukuruar” peshën e tregut, i ka nxjerrë këto të fundit nga dhjetëshja.
Të ardhurat totale të tregut të telefonisë celulare (Vodafone, AMC, Plus, Albtelecom Mobile) në vitin 2014 ishin 32.3 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara nga operatorët, me një rënie prej 12.6% me bazë vjetore, duke vijuar tkurrjen për të tretin vit radhazi.
Të ardhurat e operatorit më të madh në vend, Vodafone, u ulën me 12.4% në 16.15 miliardë lekë, sipas të dhënave nga bilanci. Ky është viti i dytë radhazi, që Vodafone ka një rënie të fortë të të ardhurave, ndërsa ka arritur në nivelin më të ulët që nga 2004-a. Kompania u rendit e 12-a në 200 VIP-at e 2014-s, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e nëntë.

Të njëjtën tendencë tkurrëse ka shfaqur dhe operatori i dytë më i madh, ish AMC (Telekom Albania), që pa një ulje të qarkullimit vjetor në 2014-n me 11% në gati 13 miliardë lekë, sipas bilancit, duke u pozicionuar në vendin e 16. AMC ka filluar rënien e pandalshme që nga viti 2008, duke shënuar vitin e 8 me një xhiro në rënie të vazhdueshme.

Edhe dy operatorët më të vegjël në treg, Albtelecom Mobile dhe Plus Communication shënuan ulje të të ardhurave, ndonëse me ritme më të moderuara, krahasuar me dy konkurrentët e mëdhenj. Të ardhurat e Albtelecom Mobileranë me 6% në 3.59 miliardë lekë dhe ato të Plus me 16% në 1.8 miliardë lekë.

Kompania fikse dhe ajo e telefonisë celulare, Albtelecom, edhe kjo pjese e investitorit turk Çalik Group, si e tërë (ky është viti i dytë që Eagle dhe Albtelecom janë bashkuar) shënoi një xhiro prej 10.9 miliardë lekësh, me një rënie prej 8%, sipas të dhënave nga tatimet, duke u renditur në vendin e 20.

Në linjë me zhvillimet në Europë, tregu i telefonisë celulare pritet të shkojë drejt konsolidimit, një dukuri kjo e pranuar dhe nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Për të dytin vit radhazi, një operator i ri në tregun e telekomunikacioneve ka shënuar rritje të ndjeshme. Info-Telecom e krijuar 2009-n, shënoi rritje të fortë në 2013-n, me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë. Në 2014-n, kompania realizoi sërish një rritje prej 10%, në 15.8 miliardë lekë, duke u renditur në vendin e 13, duke ia kaluar nga qarkullimi vjetor edhe AMC apo edhe Albtelecom e duke mbetur vetëm pas Vodafone Albania në tregun e telefonisë në vend. Info-Telecom është një operator i licencuar i komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke ofruar shërbime me pakicë e shumicë në telekomunikacione dhe shërbim të dhënash (data service). Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, tranzitit kombëtar, tranzitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP. Kompania, sipas burimeve të saj, ka marrëveshje me 150 operatorë të huaj dhe realizon 80% të të ardhurave nga tranzitimi i thirrjeve nga jashtë-brenda Shqipërisë.

Ekspertë të fushës së telefonisë e shpjegojnë këtë situatë duke thënë se operatorët e mëdhenj celularë, duket se kanë shkarkuar një pjesë të faturimit të tranzitimit ndërkombëtar te kompani si Info Telecom, në përpjekje për të përmirësuar pozitën e tyre në këndvështrimin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili prej disa vitesh tashmë heton për abuzim me pozitën dominuese, që e ka konstatuar që prej 2013-s.

Sa pak eksportues
Bankers Petroleum dhe Kurum janë dy eksportuesit më të mëdhenj në vend. I pari ka ngadalësuar ritmet si rrjedhojë e çmimeve të ulëta të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa i dyti ka vuajtur koniunkturën e pafavorshme ndërkombëtare dhe rënien e ndërtimit në tregun vendas. Eksportet e gizës e çelikut u rritën me vetëm 1.7% në 2014-n me bazë vjetore, sipas INSTAT, për t’u gjallëruar në muajt e parë të 2015-s.

Albchrome është eksportuesi i tretë më i madh në vend, që ka parë një rritje prej 37% të të ardhurave, në 5.8 miliardë lekë. Në këtë zgjerim, sipas burimeve nga kompania, ka ndikuar mirëmenaxhimi dhe ulja në maksimum e shpenzimeve, ndërkohë që koniunktura ndërkombëtare nuk ka qenë e favorshme.

Beralb, prodhuesi dhe eksportuesi i bakrit (ajo ka marrë në koncesion minierat e bakrit Munelle dhe Lakrosh, Karma si dhe fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrës) ka përgjysmuar aktivitetin në 2014-n, në vetëm 2.1 miliardë lekë, duke zbritur në vendin e 97-të.

Vetëm këto kompani janë në listën e 100 më të mëdhave, duke reflektuar dobësinë e eksporteve shqiptare. Në raport me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka normën më të ulët të eksporteve të mallrave e shërbimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, në 35%, nga 68% që e ka Bullgaria; Maqedonia në 54%; Serbia në 42%; Mali i Zi 42%, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Vit i mbarë për prodhuesit dhe eksportuesit e këpucëve
Eksportuesit e këpucëve kanë parë ditë më të mira në 2014-n. Pas një rënieje në 2013, si rrjedhojë e kalimit të kompanisë si prodhuese direkte e këpucëve, Donniana ka arritur të rikuperojë aktivitetin, duke u rritur me 33% në gati 2 miliardë lekë. Donika Mici, drejtuese e sipërmarrjes, thotë se 2014-a ka qenë viti i parë që dolëm si prodhues direkt në treg. “Dalja si prodhues direkt rezultoi e suksesshme dhe për më tepër ishte një hap i detyrueshëm për qëndrueshmërinë afatgjatë të kompanisë”. Znj. Mici është optimiste edhe për 2015-n. “Po punojmë me strategji të reja, parashikimet janë shumë optimiste, të zgjerojmë tregjet”.

Edhe Albacoshoes ka rritur aktivitetin me 10% në 1.7 miliardë lekë. Të njëjtën prirje pozitive e ka shënuarCalzaturificio Adelchi, me një rritje prej 12%, në 1.67 miliardë lekë. Alba Shoes Group është zgjeruar me 54%, në 1.4 miliardë lekë.

Industria e këpucëve në dekadën e fundit ka bërë hapa përpara në raport me atëtë tekstileve, duke investuar në ciklin e mbyllur, ndërsa disa kompani kanë dalë dhe si prodhues më vete, duke rritur në këtë mënyrë vlerën e shtuar, në një shembull që duhet të ndiqet nga eksportuesit e tjerë, sidomos ata të tekstileve.
Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e veshjeve të këmbëve u rritën me 27.5% me bazë vjetore në 2014-n.

Gara e distributorëve, pothuajse të gjithë me rritje dyshifrore
Distributorët janë grupi tjetër i sipërmarrjeve që mbizotërojnë në renditjen e 100 më të mëdhenjve. Të përqendruara në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet) ato janë mjaft të ndjeshme ndaj prirjeve të konsumatorëve për të shpenzuar.

Në vite, kompanitë e distribucionit janë fuqizuar, duke krijuar kanale të qëndrueshme shpërndarjeje, çka i ka bërë ato imune ndaj luhatjeve të konsumit në vend. Shtimi i produkteve që tregtojnë, përmirësimi i kanaleve të shpërndarjes, rritja e marketingut, kanë bërë që këto sipërmarrje, në mungesë të rritjes së tregut, të marrin pjesë nga konkurrentët më të vegjël. Në rritjen e xhiros së këtyre operatorëve ndikon dhe fakti që një pjesë e tyre janë dhe shpërndarës të operatorëve celularë, duke reflektuar një pjesë të xhiros së tyre.

Kompanitë e distribucionit kanë marzhe të ulëta fitimi, që luhaten në rreth 2%.
Marketing & Distribution ka humbur sërish vendin e parë mes distributorëve, duke ia lanë atë Alfa.

Pas një rritjeje të ndjeshme në 2013-n, me gati 40% në 15.2 miliardë lekë, duke u ngjitur në renditjen totale në vendin e 11,Marketing & Distribution ka parë një rënie prej 13% në 13.2 miliardë lekë, duke zbritur në vendin e 15. Edhe marzhi i fitimit ka rënë lehtë, nga 2.3% në 2%.
Inter Distribution Service (pjesë e grupit të Infosoft) ka rritur lehtë aktivitetin me 4% në 13.9 miliardë lekë, duke u renditur e dyta pas Alfa. Marzhet e fitimit të saj u rritën nga 1.4% në 2.4%, sipas bilancit të dorëzuar në QKR.

Agna deklaroi një qarkullim vjetor prej 11.6 miliardë lekësh, me një rritje prej 6% në raport me një vit më parë.

Interlogistic, një tjetër operator në tregun e distribucionit, i lidhur me Marketing & Distribution) ka rritur me 70% të ardhurat në 4 miliardë lekë.
Rritje të kënaqshme ka shënuar dhe Tobacco Holding Group, me 24% në 3.8 miliardë lekë.

Albanian Distribution & Development është rritur me 21% në 3.6 miliardë lekë.

Kompanitë e cigareve nuk janë më direkt në listën e më të mëdhenjve, në pjesën më të madhe të tyre, pasi ia kanë besuar shpërndarjen kompanive të mëdha të distribucionit, në një përpjekje për t’u bërë më eficiente përballë frenimit të konsumit, apo zhvendosjes së tij drejt duhanit të dredhur.

Tregtia me pakicë, supermarketet, shërbimet
Ndër bizneset e tregtimit me pakicë, Neptun ka shënuar rritje të shpejtë me 32% në 6.9 miliardë lekë. Më shumë sesa një rritje nga zgjerimi i konsumit, CEO i grupit Balfin, që ka në pronësi Neptun, ia dedikon këtë prirje pozitive arritjes së ekonomisë së shkallës dhe mirëmenaxhimit të kompanisë. Kompania është “ndihmuar” dhe nga Kampionati Botëror i Futbollit i zhvilluar në mes të 2014-s, që është një faktor që nxit blerjet e televizorëve.

Digitalb, ofruesi i platformës me pagesë televizive, në 10-vjetorin e krijimit të tij, ka parë një rritje prej 11% të aktivitetit, në 5.5 miliardë lekë, duke rezultuar një nga modelet e biznesit më të qëndrueshme e të suksesshme në vend.

Tirana International Airport (TIA), që menaxhon Aeroportin e Rinasit, ka shënuar një rënie të të ardhurave prej 30% në 4.2 miliardë lekë. Numri i pasagjerëve, sipas të dhënave nga TIA, u rrit me 3%, por ai i lëvizjeve të avionëve ra me 10% dhe sidomos mbyllja e një operatori si BelleAir, që ishte i bazuar në Rinas në kryerjen e aktivitetit të tij, duket se ka ndikuar dhe në uljen e të ardhurave të TIA-s. Pas daljes nga tregu të BelleAir në tetor 2013, operatorit që zotëronte 50% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve, kompanitë e mbetura dhe ato të reja janë përpjekur të jenë më ekonomike, duke fluturuar më pak e duke transportuar më shumë pasagjerë dhe duke kontrolluar çmimin drejt destinacioneve të caktuara, në mënyrë që të rezultojnë fitimprurëse.

Rrjeti i supermarketeve Conad Albania ka pasur një vit pozitiv, duke shfrytëzuar dhe dobësinë e konkurrentëve (CMB Albania që menaxhonte Carrefour pati mangësi në furnizimin e rrjetit për shkak të detyrimeve të mëdha ndaj furnitorëve). Qarkullimi vjetor i Conad Albania u rrit me 8%, në 2.6 miliardë lekë, duke u bërë zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend.

Ecuri mjaft pozitive kishte Eco Market Food, që po ngre rrjetin e saj të supermarketeve, krahas tregtimit të produkteve ushqimore. Kompania pa një rritje prej 63% në 1.8 miliardë lekë. Kompania tenton ta pozicionoje brandin e vet si një rrjet me produkte cilësisht të testuara, gjë që me sa duket e ka ndihmuar në zgjerimin e saj.

Industria përpunuese
Sipërmarrjet e përqendruara në industrinë përpunuese numërohen me gishtat e dorës dhe ndodhen larg më të mëdhenjve.Coca Cola mbetet operatori kryesor, me të ardhura prej 3 miliardë lekësh dhe rritje modeste prej 3%. Edhe Alfa e ka të përqendruar një pjesë të aktivitetit të saj në prodhimin e pijeve freskuese.
Industria e blojës ishte relativisht e dobët. Shoqëria Anonime Mielli u tkurr me 5%, në 2.1 miliardë lekë, ndërsaBloja u rrit lehtë me 3% në 1.63 miliardë lekë.

Sipërmarrja e përpunimit të mishit E.H.W u zgjerua me 4% në 1.4 miliardë lekë.

Ndërtimi, sipërmarrjet vendase me rënie të ndjeshme
Sipërmarrjet e ndërtimit, sidomos ato të rrugëve, kryesisht të huaja, kanë luhatje të mëdha, në varësi të projekteve të fituara nga qeveria. Në 2014-n, ky segment kaloi një periudhë jo të mirë për shkak të uljes së ndjeshme të shpenzimeve kapitale, që u tkurrën rreth 8% me bazë vjetore, por ishin shumë të dobëta deri në nëntor.

Kompania më e madhe e ndërtimit në 2014-n është AYDINER INSAAT ANONIM SIRKETI – DEGA TIR, me një xhiro prej 6 miliardë lekësh (rritje 31%), e specializuar në ndërtimin e autostradave, rrugëve, aerodromeve, fushave sportive etj., dhe e hapur në 2011-n.

Një tjetër sipërmarrje turke, Limak, ka rritur të ardhurat me 340%, për të arritur në 3 miliardë lekë. Kompania po ndërton hidrocentralin e Banjës, projekt që ka filluar në korrik 2013.

Gener 2, e fokusuar në ndërtimin e banesave rezidenciale por dhe punimet e rrugëve, u tkurr me 26% në 3.65 miliardë lekë.

Edhe Alb-Star, operatori më i dytë i madh vendas, i përqendruar në ndërtimin e autostradave dhe veprave të artit, pa një rënie prej 34% në 3.5 miliardë lekë.

ManeTCI, e fokusuar në ndërtesat rezidenciale dhe jo rezidenciale, është një tjetër sipërmarrje që ka shënuar një rënie të ndjeshme prej gati 50%, për të zbritur në të ardhura prej 2.25 miliardë lekësh.

Kompanitë e grupit grek Aktor, që u rritën ndjeshëm në 2013-n, si rrjedhojë e punimeve të rrugës Tiranë-Elbasan, kanë rënë fort në 2014-n. Aktualisht punimet në rrugë janë ndërprerë, si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve mes saj dhe qeverisë shqiptare.

Vetëm Trema Engineering ka dyfishuar aktivitetin në 3.4 miliardë lekë. Sipas burimeve të saj, kompania po merret me ndërtimin e rrugëve për hidrocentralin e Devollit, një prej projekteve më të mëdha energjetike në vend dhe me hidrocentralin e Langaricës.
Ndikimi politik në këtë treg është i lartë, me shtetin që është një nga furnitorët kryesorë të kompanive, përmes “fondeve publike”.

Zinxhiri i lidhur me ndërtimin po vuan gjithashtu. Megjithatë, kompani si Pespa Alumin, që u tkurr me 2% në 1.82 miliardë lekë dhe Alumil Albania, që u tkurr me 3%, kanë arritur të qëndrojnë relativisht stabël, në një treg që po bie në mënyrë drastike. Antea Cement ra me 11% dhe Elbasan Cement Factory u tkurr me 3%.

Ndërsa operatorët e tjerë të çimentos e kanë amortizuar tkurrjen e tregut vendas përmes eksporteve. Fushë Kruja Cement Factory u rrit me 10%, në gati 10 miliardë lekë.

Nga kompanitë e çimentos, rritje të fortë shënoi Colacem Albania, me 47%, në 1.62 miliardë lekë.

Ndalon rritja e Call Center?!
Deri në 2013-n, kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center panë një rritje të ndjeshme dyshifrore. Biznesi lulëzoi disa vjet më parë, kur sipërmarrjet italiane transferuan këtë shërbim në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Këto kompani u bënë një burim i mirë punësimi, sidomos për brezin e ri, megjithëse konsiderohet si punë e një cilësie të ulët, që paguajnë relativisht pak.
Por, në 2014-n, Intercom Data Service (IDS), që deri një vit më parë ishte kompania më e madhe Call Center në vend, ka parë një rënie të të ardhurave, pas zgjerimit prej 71% në 2013-n. Në 2014-n, të ardhurat e kompanisë u ulën me 6%, në 2.51 miliardë lekë.

Albacall vijoi rritjen, ndonëse me ritme më të ulëta, duke kaluar në 2014-n, në operatorin më të madh call center në vend. Ajo u zgjerua me 32% në 2.85 miliardë lekë (një vit më parë ishte rritur me 60%).
Shtimi i konkurrencës, si rrjedhojë e numrit të madh të kompanive që po hapen në këtë treg, por dhe maturimi i tij (gjetja e klientëve të rinj po bëhet e vështirë) vlerësohet se ka ndikuar në ngadalësimin e të mëdhenjve.

Tregtimi i energjisë, me perspektivë rritjeje
Operatorët privatë të tregtimit të energjisë kanë pasur një vit të mbarë në 2014-n, pas një stanjacioni në 2013-n. Ky treg filloi të zhvillohej vrullshëm në 2012-n, kur Parlamenti vendosi që, duke filluar nga 1 janari i atij viti, të gjithë konsumatorët e mëdhenj industrialë (me një konsum vjetor më të madh se 50 milionë kWh) duhej të blinin energji jo me çmim të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), por me çmim të liberalizuar në bursë. Pikërisht ky liberalizim, por dhe ndërmjetësimi i blerjes së energjisë (mbulimin e humbjeve) për llogari të OSHEE dhe Operatorit të Sistem Transmetimit (OST), nxiti aktivitetin e kompanive private të tregtimit të energjisë, por që janë licencuar edhe si furnizues të kualifikuar (që kanë të drejtë t’u shesin energji klientëve të kualifikuar).

Operatori më i madh i tregut privat të energjisë është kompania sllovene GEN-I, me një xhiro vjetore prej 10 miliardë lekësh në 2014-n, me një rritje vjetore prej 42%. Ndonëse pa një rritje të xhiros, kompania rezultoi me fitime minimale prej 67 milionë lekësh, në rënie nga 175 milionë lekë një vit më parë, për shkak të rritjes më të lartë të shpenzimeve operative, me një normë fitimi prej vetëm 0.7% në 2014-n.

I dyti është GSA, që dhe ai ka parë një rritje prej 32%, në 8.8 miliardë lekë. EFT ALBANIA, ndonëse prej vitesh ka qenë e pranishme në tenderët e OST dhe OSHEE, ka lulëzuar vetëm në 2014-n, duke i shtuar të ardhurat me 82% në 1.5 miliardë lekë.

Ky segment pritet të marrë një hov të mëtejshëm vitin e ardhshëm, kur në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë, kompanitë e tensionit të mesëm (rreth 50 kompani) do të detyrohen të shkëputen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe do të furnizohen në tregun e lirë. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, muajt e fundit ka pasur rritje të licencimeve të operatorëve të tregtimit të energjisë elektrike.

Ligji i ri i energjisë i detyron klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV të dalin në tregun e liberalizuar jo më vonë se data 31 dhjetor 2015. Klientët e lidhur në tension 20 kV do të shkëputen nga rrjeti i OSSHE jo më vonë se data 31 dhjetor 2016, ndërsa klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.

Lulëzon “marrëzia” e bixhozit më 2014, katër kompani rrisin të ardhurat me ritme dyshifrore
Teksa sektorë të tillë si ndërtimi dhe industria po shfaqin dobësi deri në ekzistencë nga efektet ciklike të krizës ekonomike, biznese të tjera po lulëzojnë. Aktivitetet e lojërave të fatit vitin që shkoi, edhe pse përballë një aksioni të rreptë policor, njohën një rritje të shpejtë, ku xhiroja e disa kompanive shënoi rritje deri në 80%. Për herë të parë vjet, tre nga kompanitë e lojërave të fatit (Astra Albania, Adriatik Game, APEX-al) u përfshinë në 100 bizneset më të mëdha në vend për nga xhiroja e deklaruar në tatime. Ndërsa një e tretë, Astra Albania, hyri te 200 më të mëdhenjtë.

Astra Albania, me veprimtari lojëra automatike të fatit, duke përfshirë makinat elektronike, ka shënuar një rritje të xhiros me 35%, me 2.28 miliardë lekë të ardhura, ndërkohë që fitimi pas taksave i kompanisë është dyfishuar më 2014 në krahasim me vitin 2013 sipas të dhënave në QKR.

APEX-al lulëzoi gjithashtu, duke e shtuar qarkullimin vjetor me 134% në 2.5 miliardë lekë.
Rritje të madhe të xhiros pa edhe kompania tjetër e aktivitetit të “bixhozit” në lojërat elektronike, Adriatik Game, me 81%, me një xhiro vjetore prej 2.17 miliardë lekësh, duke u renditur në 100 tatimpaguesit më të mëdhenj në vend për herë të parë në vitin 2014.

Edhe kompania tjetër e basteve, Top Start, me aktivitet në hapjen e bingove, lojërave të fatit, lotarive të çastit, shënoi një rritje të të ardhurave me 44%, me një total prej 1.6 miliardë lekësh.

Rritet biznesi i veshjeve
Ndonëse biznesi i veshjeve në Shqipëri është i fragmentarizuar dhe me një nivel të lartë informaliteti, disa kompani kanë arritur të mbizotërojnë në këtë treg në vitin 2014 dhe të kenë volume të larta aktiviteti.

Sipas të dhënave nga tatimet, janë dy operatorë tregtimi me pakicë të veshjeve, që renditen në listën e 200 më të mëdhenjve sipas xhiros vjetore në 2014-n.

LC Waikiki, një markë turke, që ka hapësira të mëdha në TEG dhe City Park, duke ofruar produkte për të gjitha moshat me çmime relativisht të lira, ka realizuar një xhiro vjetore prej 1.34 miliardë lekësh në 2014-n (rreth 9.6 milionë euro), duke shënuar një rritje të fortë vjetore prej 50% në raport me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave në bilancin e saj. Edhe fitimet e saj janë rritur ndjeshëm me rreth 65%, në 312 milionë lekë, para taksave.
Operatori tjetër, ITX Albania, në pronësi të grupit Zara Holding B.V., ndonëse në vitin e parë jo të plotë të aktivitetit të saj, me dyqanet e saj Zara, Massimo Dutti, Bershka, Pull & Bear, Stradivarius, ka arritur të ketë një xhiro prej 1.2 miliardë lekësh, apo rreth 8.5 milionë euro në 2014-n. Megjithatë, duke pasur parasysh se dyqanet e grupit më të madh të shitjeve me pakicë të veshjeve në botë u hapën në Tiranë vetëm në prill, ITX Albania, mund të konsiderohet aktualisht si mbreti i veshjeve në Tiranë.

Sipërmarrjet e reja dhe ato me ngjitje të shpejtë
Janë disa bizneset që janë katapultuar tek VIP-at në 2014-n. Krahas kompanive të naftës, të përmendura më lart, një sipërmarrje e re në botën e biznesit është dhe RU.KE.LA, e krijuar në fund të 2013-s, që ka shënuar një rritje të fortë në 2014-n, nga 24 milionë lekë, në 4.4 miliardë lekë. Përfaqësues të kompanisë pohojnë që biznesi i tyre është rritur, pasi ata kanë marrë shpërndarjen e markës së cigareve Slims nga Agna për Tiranën.
Një tjetër sipërmarrje në fushën e tregtisë me shumicë jo e specializuar, Mira Distribution, e krijuar në mesin e vitit 2012, ka parë një rritje prej 637% në 4.9 miliardë lekë në 2014-n.

Western Atlas International, e specializuar në fabrikimin e eksploziveve, megjithëse është krijuar që në vitin 1998, sipas ekstraktit të saj në QKR, ka parë një rritje të fortë me 552% në 1.8 miliardë lekë në 2014.
ITX Albania (Zara) e përqendruar në biznesin e veshjeve, është një tjetër sipërmarrje e re, që ka arritur të renditet në listën e 200 më të mëdhenjve.

Serenissima Construzioni Tirana, një sipërmarrje italiane, që merret me ndërtimin e stadiumit kombëtar të Tiranës, ka shumëfishuar aktivitetin e saj në 1.23 miliardë lekë.

Bankat, një vit i qetë, por drejt rimëkëmbjes
Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.29 trilionë lekë në fund të vitit 2014, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, me një rritje prej 4.8% me bazë vjetore. Ritmet e rritjes janë përshpejtuar në krahasim me vitin e mëparshëm, por mbeten larg zgjerimeve të viteve të mëparshme. Gjithesi, 2014 ka shënuar një pikë kthese në sistemin bankar, pas gati pesë vitesh ku ai kishte parë rënie të fitimeve, rritje të kredive me probleme, ngadalësim të ndjeshëm të kreditimit, teksa bankat e përqendruan vëmendjen në menaxhimin e aktiveve problematike.

Fitimet u rritën në nivele rekord në 2014-n, treguesi i kredive me probleme filloi uljen në tremujorin e fundit, ritmet e rritjes së kredisë u rikthyen në pozitive dhe treguesit e tjerë të rentabilitetit (kthyeshmëria nga aktivet dhe kapitali i vet) u përmirësuan.
Nga të ardhurat, dy bankat më të mëdha në vend janë BKT dhe Raiffeisen, me përkatësisht 40 miliardë dhe 18 miliardë lekë në 2014-n.
Banka e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat është Credins, me një rritje prej 3%, në 9.4 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara nga tatimet.

Intesa Sanpaolo është banka e katërt më e madhe në vend nga të ardhurat, që arritën në gati 8 miliardë lekë në 2014-n, sipas të dhënave në bilancin e saj.

E pesta është Banka e Tiranës, me 4.8 miliardë lekë të ardhura në 2014-n, e ndjekur nga Alpha Bank, me 4.76 miliardë lekë. Të dyja bankat greke kanë parë rënie të të ardhurave në 2014-n.

Societe Generale është banka e shtatë më e madhe në sistem, sipas të ardhurave në 2014-n, në një nivel prej 4.2 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga tatimet.
Më pas renditet Pro Credit Bank, me 3.3 miliardë lekë të ardhura, e ndjekur nga Union Bank, me një qarkullim vjetor prej rreth 2.4 miliardë lekë. Union Bank ka hyrë për herë të parë në 100 më të mëdhatë (në vendin e 88 nga 106 një vit më parë), ndërsa ia ka kaluar dhe NBG Albania, me këtë të fundit që ka parë një rënie të të ardhurave me 17%, në 2.3 miliardë lekë.

Më rënie ka qenë edhe banka Crédit Agricole (që këtë vit është blerë nga NCH Capital), me të ardhurat që u tkurrën me 18%, në 1.7 miliardë lekë.
Bankat e tjera kanë realizuar një qarkullim vjetor prej më pak se 2 miliardë lekë.

Grupet më të mëdha në vend
Çalik Group
Grupi turk, që zotëron dy kompani të mëdha në vend, BKT, Albtelecom (që në vitin 2013 u bashkua me Eagle Mobile) është më i madhi në vend dhe ka realizuar një xhiro të kombinuar prej rreth 51 miliardë lekësh në 2014-n, me një zgjerim vjetor prej 8%, si rrjedhojë e performancës së mirë të BKT.

Balfin
Për vitin 2014, Grupi Balfin National dhe International ka realizuar një turnover në vlerën 295 milionë euro (rreth 41 miliardë lekë), duke shënuar një rritje me 113% krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave nga vetë grupi.
Shoqëritë, të cilat kanë influencuar më shumë në këtë rritje, janë i gjithë rrjeti Neptun në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi; AlbChrome, Jumbo, Fashion, Mane TCI, Tirana East Gate si dhe Skopje City Mall në Maqedoni.

Grupi Agna
Tri kompanitë kryesore të grupit, Agna sh.a (shpërndarës produktesh dhe investues), Alfa sh.a. (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink) dhe “Albartex” (që vepron në fushën e reklamave outdoor), realizuan për vitin 2013 një xhiro prej rreth 29 miliardë lekësh, me një rritje prej 13% me bazë vjetore, udhëhequr sërish nga performanca e mirë e Alfa. Grupi ka investuar këtë vit dhe në prodhimin e birrës Elbar.

Grupi Infosoft
Grupi Infosoft ka realizuar në total një xhiro prej 22.1 miliardë lekësh, me një rritje prej gati 3.5%, në aktivitetin e tij në Shqipëri, sipas të dhënave nga tatimet. Aktiviteti i tij në Shqipëri përfshin Infosoft System, Infosoft Office, ITD, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, Inter Distribution Service, Interbrands dhe Inter Trade & Distribution. Pothuajse të gjitha kompanitë e grupit kanë shënuar rritje të lehtë.

Grigor Joti, CEO i Infosoft, pohon se grupi nuk ka më ato ritme të larta rritjeje që kishte më parë, megjithatë ata janë të kënaqur me këtë zgjerim, duke pasur parasysh vështirësitë që po kalon ekonomia. Ai vlerëson luftën e fundit ndaj informalitetit, pasi niveli i lartë i tij është një pengesë e madhe për biznesin e grupit.

Joti thotë se ekonomia tashmë ka arritur një farë maturimi dhe si rrjedhojë edhe biznesi nuk mund të presë më rritje të larta si më parë. /Monitor/

Redaksia Online
(a.a/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin