“Berisha: Kryetari i qeverisë nuk ka lidhje me asnjë regjistër të asnjë institucioni.
Pyetje: A jeni pyetur në SPAK?
Berisha: S’mund të pyetem”
Sali Berisha as nuk u kujdes sot ta mohonte vërtetësinë e këtij dokumenti një regjistër i manipuluar i Gardës së Republikës 21 janarin e vitit 2011, kur para zyrës së tij u vranë 4 protestues dhe u plagosën qindra të tjerë.

Pjesë e regjistrit të Gardës së Republikës me urdhrat e 21 janarit 2011, ku duken qartë korrigjimet
Ky dokument tregon as më pak e as më shumë se 21 janarin e gati 15 viteve më parë, dikush ka dhënë një urdhër që mbi protestuesit të hidhen lëndë homogjene, pra lëndë kimike dhe toksike, shumë të rrezikshme që mund të dëmtojnë në masë, në raste turmash të mëdha.
Regjistri i Gardës u publikua për herë të parë nga Report Tv në vitin 2015, 4 vite pas masakrës, kur Berisha nuk ishte më kryeministër dhe atëherë Shërbimi për Çështjet e Brendshme i Policisë së Shtetit zbuloi falsifikimet, urdhra të cilët më pas ishin tentuar të fshiheshin nga dokumente zyrtare.
Dokumenti i modifikuar ka të ndryshuar urdhrin në orën 16:28 të 21 janarit 2011, vetëm pak pasi tashmë ishte qëlluar drejt protestuesve dhe në Bulevard ishin të vrarët e parë. Urdhri lexohet me vështirësi për shkak të ndërhyrjeve: “Komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demonstruesit në Piramidë”. Në bazë të dyshimeve të SHÇB-së, para korrigjimit fjala “lakrimogjenë” (lotsjellëse) ka qenë “homogjene”.
Përshtypje të bën edhe një tjetër shënim. Në faqen e korrigjuar shkruhet “Urdhërdhënësi, gjenerali, ora 14:54 urdhri: “Asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demonstruesve”. Por para korrigjimit sipas ekspertëve që e kanë analizuar me kujdes dokumentin atëherë kjo frazë ka qenë, “asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër” dhe më pas i është shtuar, “kundër demonstruesve pa zbatuar ligjin”.
Këto faqe të librit të Gardës së Republikës janë dorëzuar si provë materiale që prej 10 vitesh në organin e atëhershëm të akuzës, dhe sot duhet ta ketë edhe SPAK, që sipas Berishës nuk e ka pyetur kur dy javë më herët dha llogari për dy orë para hetuesve të Prokurorisë së Posaçme.
I pyetur sot nga Report Tv, Berisha tha se si Kryeministër s’ka asnjë lidhje me korrigjimin e dokumentit, por iu shmang pyetjes se kush i ka dhënë këto urdhra, të cilët më pas është angazhuar garda për t’i fshirë nga regjistrat. Berisha tha se ajo nuk ishte punë e Kryeministrit por a mund të jepte dikush urdhër pa lejen e Kryeministrit që mbi protestuesit të përdoreshin lëndë kimike? A mundej që Kryeministri të mos e dinte se për këtë do të ngrihej në fluturim një helikopter dhe rreziku do të tejkalonte protestuesit, por do të prekte edhe qytetarë të tjerë, gazetarë, policisë apo të tjerë që mund të gjendeshin në atë moment me detyrë apo edhe rastësisht.
Sigurisht që piruetat e Berishës sa herë që vjen fjala për 21 janarit janë bërë tashmë normale, ndërsa sigurisht shpresohet që i pavërtetë të jetë edhe pretendimi se nuk është pyetur nga SPAK, që do ta vinte vërtet në pikëpyetje seriozitetin e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Berisha ka një precedent specifik, kur në vitin 1997 urdhëroi dy avionë luftarakë MIG të sulmonin demonstruesit e mbledhur në Vlorë për të protestuar kundër falimentimit të firmave piramidale. Dy pilotët e avionëve nuk e zbatuan urdhrin dhe u arratisën drejt një aeroporti ushtarak në Pulja duke dekonspiruar urdhrin. Një tjetër krim për të cilin Sali Berisha nuk ka dhënë kurrë llogari para drejtësisë./ Shqiptarja.com
Komente












