Nga Elton Dono
Mëngjesi
Një ditë që nis si të gjitha të tjerat. Është e premte, 21 janar. Zgjedh të kaloj nga bulevardi përballë kryeministrisë, ku pak më vonë do të mbahet edhe demonstrata e paralajmëruar nga opozita. Një prezencë e ulët njerëzish. “Është normale” – them me vete, “pak më vonë këtu do të jetë një panoramë krejt tjetër”.
Detyra ime si gazetar sot është të mbuloj demonstratën për televizionin ku punoj. Por kam kohë deri atëherë, edhe 3 orë të tjera. Diku pranë presidencës takoj Gentin, simpatizant i Partisë Socialiste nga Vlora. Gentin e kam njohur 3 vjet më parë në Tiranë.
“Ku je mo gazetar”, – me thotë. Do jesh në demonstratë ti?”- Sigurisht – ia kthej, në krye të detyrës, siç bëjmë gjithmonë”. “Kujdes ë, ta pasqyrosh mirë, se mos fasësh pro atij!!!” – ma kthen ai. Përshëndetemi dhe vijoj rrugën drejt fakultetit. Minutat kalojnë me vrap dhe afron ora 14 ose 2 siç i thotë populli, kur do të zhvillohet edhe demonstrata përballë kryeministrisë.
Nuk çuditem se traku është zhdukur. Më tepër këmbësorë. Disa dhjetëra studentë, nxënës shkollash. Në rrugë ndeshem me biseda qytetarësh. Pranë stadiumit “Qemal Stafa janë stacionuar nja 10 a më shumë autobusë me targa të Korçës, Fierit, Vlorës. Ja dhe një i Sarandës. Eci. Opozita ka planikuar disa nisje nga pika të ndryshme të kryeqytetit, veçanërisht me qytetarë të ardhur nga rrethet e tjera. Vendtakimi është në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 14, përballë godinës së kryeministrisë.
FILLIMI I DEMONSTRATËS
Mbërrij në bulevard. Takoj disa kolegë televizionesh. Kryesisht. Të gjithë presin me qetësi demonstratën, gazetarë, operatorë, por edhe qytetarë protestues në pritje të demonstruesve të tjerë që do të vijnë nga rrugët e Kavajës, Durrësit, Elbasanit.
Ndërkohë në shesh kanë mbërritur edhe disa deputetë të Partisë Socialiste, Dokle, Veliaj, Vasilika Hysi, disa të rinj që nuk ua kujtoj emrin, në pritje të të tjerëve që po vijnë me qytetarët. Ora po afron 14. Më zë syri disa pankarta dhe banderola të protestuesve. “Sali banditi”, “Qeveri hajdutësh”,
“Sali – Varfëri”. Bulevardi duket si një koshere që mbushet çdo sekondë. Gumëzhin. Thirrje të ndonjërit nga protestuesit. Pjesa qendrore e tij është pothuajse bosh. Anët, te trotuaret qëndrojnë protestuesit në pritje. Policia në gatishmëri, në rresht.
Hedh sytë nga kryeministria dhe shoh krerët më të lartë të policisë, Burgaj, Muça e disa të tjerë që nuk i njoh, duke i dhënë direktivat e fundit kordonit të parë të policisë përreth kryeministrisë. Më tepër se 200 policë. Më tej në brendësi të gardhit përreth shoh disa gardistë, e sipër kryeministrisë,
Hotel “Rognerit”, e kryesisë së Kuvendit, disa snajpera, gjithmonë të gatshëm në raste të përkeqësimit të situatave. Ndjej në fytyrë fladin e ftohtë, çka më bën të mbështillem mirë. “Ishalla nuk bie shi, se nuk kam marrë as çadrën” – mendoj me vete. Ndërkohë që hedh sytë nga qielli dhe shoh re të zeza.
Zhvendosem disa metra drejt kryeministrisë, duke vendosur edhe kartën e gazetarit në qafë. Protestuesit e parë janë duke ardhur. Në krye të tyre janë disa të rinj që brohorasin.
Në të është vizatuar një karikaturë ku duket qartë fytyra e kryeministrit në trupin e një tigri a maceje. Bëhem pak kurioz, por edhe buzëqesh paksa. Largohem për pak drejt urës së madhe të bulevardit e në mes të saj shquaj kreun e opozitës, Edi Rama, i shoqëruar nga disa deputetë të PS– së si dhe protestues.
Herë pas herë bëj dhe ndonjë lidhje telefonike me televizionin për të pasqyruar situatën në shesh. Afrohem sërish tek kryeministria. Disa metra nga krahu i Piramidës, së bashku me disa kolegë të tjerë. Pranë punonjësve të policisë. Koka e turmës e ardhur me vrull bashkohet dalëngadalë me trungun e saj. Vija e parë e protestuesve llon të afrohet më tepër me forcat e rendit, e për një moment fillojnë të godasin me dërrasat e hequra nga banderolat apo edhe me çadra.
Një çast krijohet një klimë tensioni. Dikush është gjakosur nga protestuesit. Edhe një polic. Në shesh dëgjohen thirrje. Turma nga pas shtyn para drejt kryeministrisë. Vazhdon përleshja. Tashmë bëhen disa të gjakosur. Njëri prej tyre më tërheq vëmendjen. Thinjosh. Kokën e ka të mbuluar me gjak, por nuk pranon t’i vijnë në ndihmë. Me duart lart ai sillet vërdallë.
Diku mes turmës shquaj herë pas here edhe ndonjë deputet të PS–së. Kjo gjendje zgjat më tepër se 30 minuta. Turma është e tensionuar. Të moshuar, gra, të rinj që godasin drejt forcave të rendit. Më pas vjen një ndërhyrje e policisë me gaz lotsjellës e me ujë për të shpërndarë turmën. Dy makina të mëdha lëvizin përballë selisë qeveritare duke lëshuar drejt turmës shatërvane uji për t’i shpërndarë ata.
Largohem paksa edhe vetë. Por vijoj të qëndroj pranë furgonit të Ora Neës. Ndjej lotim në sy. Pak ankth. Pasiguri. Në bulevard mbeten disa banderola, turma vrapon në anë të ndryshme, më tepër nga ura e Lanës. Shpërndahet nga forca e gazit. Erioni, operatori, e ka vendosur stativën e kameras mbi furgon dhe përpiqet të filmojë çdo gjë. – Erion, eja poshtë të largohemi pak sa të ikë era e gazit” – i them. “– S’ka gjë” – më thotë, po qëndroj këtu unë”. E çmoj për kurajon. Sytë më lotojnë më keq. Përveç demonstruesve shoh edhe policë që largohen nga kordoni përballë kryeministrisë. Me vrap. Disa të plagosur nga goditjet e protestuesve që ndihmohen nga kolegët, e pjesa tjetër të papajisur me maska kundragazi, detyrohen të largohen.
Një gjendje tërësisht kaotike. Gurë që hidhen pa pushim në vrapim e sipër. Njerëz me sy të përskuqur nga gazi. Të tjerë që vjellin në rrugë, e disa që kolliten rëndshëm. Nuk di cilat janë efektet e gazit e për disa çaste më kap paniku. Herë pas here shoh kartën e gazetarit.
Është e vetmja gjë që më dallon nga pjesa tjetër e protestuesve. Ndjej që syri i majtë më mbyllet tërësisht. Detyrohem të heq kapuçin e xhupit për të mbuluar fytyrën me të. Për rreth 2 minuta qëndroj i palëvizur nga cepi i Piramidës. Ndjej frikë, ankth. Çfarë do të ndodhë tani? Çfarë efektesh ka gazi? Po sytë?
Midis turmës dëgjoj disa protestues të moshuar: “Mos e fërkoni fytyrën me duar. Vetëm laheni me ujë”. Pranë urës së madhe të bulevardit qëndroj për pak. Përballë kryeministrisë forcat e policisë nuk janë më. Janë larguar krejtësisht. Edhe makinat e ujit nuk janë më në rrugë. Midis turmës dëgjoj njerëz që u kthehen të tjerëve me fjalët: “Pse largoheni? Ku shkoni? Ta hedhim! Iku!Iku!Iku!Iku!” Kjo fjalë më përsëritet në vesh më fuqishëm.
Turma bëhet edhe më energjike. Ndihet e fuqishme. Ç’është kjo?- pyes veten. Mua s’më thanë gjë. Të jetë larguar vërtet? Jo, s’ma merr mendja. Bëj këtë monolog me veten vazhdimisht, deri sa e kuptoj se gjithçka ishte efekt i turmës së përfshirë në vorbullën e shkatërrimit. Era e gazit ulet e turma afrohet sërish drejt kryeministrisë. Këtë herë më e irrituar. Më me nerv. Gardhi përreth kryeministrisë nuk mbrohet nga policët. Është vetëm garda e republikës brenda gardhit e gatshme për të mbrojtur institucionin.
Mbi ndërtesat përreth shoh edhe snajperat. Disa kapuçë të zinj tregojnë gardistët dhe tytat e armëve të tyre të zgjatura mbi tarraca. Të gatshëm. Gurët e shkulur nga bulevardi, pllakat e hequra, janë armët e protestuesve. Kudo tym. Vetëm tym. Flakë. Gurë. Rrëmujë. Rrëmujë. Kaos. Dalëngadalë po duket edhe skeleti i makinave që u është vënë aka të parat. Për një moment policia kundërpërgjigjet me plumba gome. Të shtëna në ajër.
Sërish hidhet gaz. Turma tërhiqet paksa. Por këtë herë efekti është më i ulët. Piramida është kthyer në një strehë qëndrimi për shumë “spektatorë”, që qëndrojnë neutralë, duke hipur kush e kush më lart. Disa kacavirren në të, hidhen nga një krah në tjetrin. Ku të duket më mirë. Ata që qëndrojnë në krye të saj janë më të privilegjuarit. A thua se është një teatër. Skandal. Vijojnë gurët. Pllakat thyhen në copa më të vogla, e më pas në duart e turmës kthehen në breshëri drejt gardës, pas gardhit.
Diku afër hekurave që rrethojnë kryeministrinë më zë syri një protestues. Është afruar, dhe bën me shenja nga garda, sikur do të thotë: “Ja ku jam, më qëlloni”. Protestuesit janë të ndarë në disa rreshta, si një kolonë me pararojë. Të parët janë ata më aktivët. Më pas vijnë shkulësit e pllakave të bulevardit. Pas tyre ndonjë tek – tek i nxehur nga gjendja, që lëshon ndonjë thirrje e ndonjë gur drejt gardës.
Aty qëndroj edhe unë, bashkë me operatorin tim dhe disa gazetarë të tjerë. Më kujtohen me pasazhe të shkurtra disa elementë të turmës së Le Bonit të mësuara në fakultet. Përpiqem të bëj një lidhje me realitetin që po jetoj. Turma është shkatërruese, degraduese, merr para çfarë gjen………etj etj. Po djegin? Vazhdojnë!
Aty pranë Kryesisë së Kuvendit mes turmës takoj Erion Veliajn, anëtarin e PS – së dhe ish drejtuesin e Mjaftit.- Po përpiqemi t’i qetësojmë, – më thotë. Më kap një nerv i momentit. Po ç’bëni kështu i them? Pse nuk i ndalni? E shikoni ç’po bëjnë?”– – Po përpiqemi, – më thotë,- por është vështirë.
Janë të irrituar. Turma tashmë këndon edhe këngë patriotike, “eja mblidhuni këtu- këtu, Eja mblidhuni këtu këtu”- është refreni shoqërues i saj. Situata duket e nderë. Turma hapën edhe derën e kryeministrisë nga krahu i Bulevardit, i Kullave. Disa protestues përpiqen të futen brenda. Përpiqen të asin me efektivët e gardës. Diçka po dialogojnë. Nuk di. Jam disa metra larg. Por nuk afrohem aty.
Për pak minuta kjo gjendje. Garda kthen pas turmën. Brenda portës së hapur të kryeministrisë tashmë vendoset një bllok i madh hekuri. Në turmë shquaj disa personazhe të njohur. Midis tyre edhe Juta Benzenberg, fotografe e njohur. Është duke bërë foto. Në një çast ajo afrohet pranë një protestuesi që shkul pllaka bulevardi për të bërë një foto. I irrituar ai i kthehet: “Ik moj, ç’bën?” Shan.
Juta largohet për pak, ok i thotë me shenja. Disa kolegë operatorë janë goditur nga plumbat e gomës. Në turmë ka të plagosur, afrohet ambulanca. Merr disa të goditur nga gurët, çadrat, mjetet e forta të përdorura. Disa protestues të irrituar godasin me gurë edhe ambulancat. Të tjerë përpiqen t’i qetësojnë. Afrohet një makinë tip Benz, është i gjelbër. Nuk i shquaj dot targën. Dikush hipën në të.
Lëshohet drejt kryeministrisë. Vrapoj më afër. Përplaset me bllokun e vendosur, dhe qëndron aty. Disa protestues afrohen, vijojnë të qëllojnë me gurë. Kaos. Gurë. Plumba gome qëllohen nga garda. Disa prej tyre kanë kapur edhe kolegë të mi.
VRASJET
Dëgjoj disa të shtëna të shkëputura. Pastaj një breshëri. Vazhdojnë krismat. Dikush rrëzohet. Qëlluan. Vdiq. Kush? Gjak? Afrohem. Nga pemët përreth kryeministrisë këputen degë të rrezuara nga plumbat e gardës. Shquaj në fragmente ndonjë gardist që shkëputet nga të tjerët, qëllon dhe bashkohet sërish me të tjerët. Më kap paniku për pak. Kanë qëlluar drejt turmës.
A janë plumba të vërtetë? Si ka mundësi? Turma mblidhet përreth. Gjak në bulevard. Shoh 2 protestues përtokë, të gjakosur tërësisht, e disa të tjerë që përpiqen t’i ndihmojnë për t’i larguar që aty drejt ambulancës, që afrohet me shpejtësi nga krahu tjetër. Gjendja bëhet më kaotike. Nuk kuptoj. Si janë?- pyes njërin prej protestuesve që ndihmoi të plagosurin e gjakosur pranë kryeministrisë. – Nuk di. Po na vrasin. Ai dukej si i vdekur – më thotë. Nga krahu tjetër i bulevardit, pranë kullave binjake, 2 protestues të tjerë janë gjakosur. Përpiqem të afrohem. Shoh njërin prej tyre me shami të lidhur në kokën e gjakosur.
Nja 6 veta e marrin në krahë dhe me vrap drejtohen për nga ambulanca. Bulevardi duket si një arenë gladiatorësh. Gjak kudo. Marr vesh se të plagosurit i kanë çuar në Spitalin Ushtarak. Ende nuk dihet gjendja e tyre. Vdiqën? Njëri? 2? Turma përhap fjalë se 2 prej të plagosurve kanë vdekur. Ende nuk di gjë. Sidoqoftë turma irritohet më tepër. Tani nuk ka frikë.
Lajmi i përhapur se 2 protestues janë qëlluar dhe kanë vdekur e bën më nervoze. Disa dhjetëra demonstrues qëllojnë pa pushim me gurë. Herë pas here vijoj të bëj ndonjë lidhje telefonike me redaksinë, për të transmetuar live atë që po ndodh. Pyetjet janë të shumta nga studioja. Pasiguria bëhet edhe më e madhe. Mbizotëron kaosi. Minutat duken si një jetë. Nuk e shoh orën. Telefoni vijon të bjerë pa pushim, miq, familjarë, puna. Tension.
Ende nuk e di se si janë të plagosurit e çuar në spital. Në shesh ndodhen ende të tjerë të gjakosur. Por turma nuk ndalet. Dalëngadalë fillon të errësohet. Tashmë turma është reduktuar. Nga ura e Lanës e tutje janë larguar pjesa më e madhe e protestuesve. Ata që janë më aktivë qëndrojnë pranë kryeministrisë, megjithëse janë shkëputur paksa. Nga krahu i Piramidës shoh të lëvizin forcat e ndërhyrjes së shpejtë, që quhen ndryshe dhe FNSH, të specializuara për në raste të tilla.
Ato afrohen drejt bulevardit, dhe në disa rreshta qëndrojnë në gatishmëri. Me skafandra, kaska mbrojtëse ata duken të gatshëm për të ndërhyrë. Por turma nuk ndalet. Qëllon, qëllon pa pushim. Sheshi, rruga i përngjan një fushe shahu të boshatisur nga gurët, pa një tues. Ata gurë që disa dhjetëvjeçarë më parë u vendosën nga italianët në kohën e Zogut. Errësira tashmë ka mbërritur, pothuajse totalisht.
RRAHJET
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë hidhen papritur në sulm ndaj demonstruesve. Të gjithë bashkë. Nga vetëm 4 metra furgonit vazhdoj raportimin telefonik. Në bulevard tashmë bëhet një arenë ndeshjesh. Furia e shkopinjve të gomës bie pa pushim mbi çdo fytyrë, trup, kokë protestuesi që gjejnë para. Ngre zërin për t’u dëgjuar më mirë në telefon. 3 policë disa metra larg meje qëllojnë e vazhdojnë të qëllojnë me skafandra, shkopinj gome e shkelma një djalosh jo më shumë se 15 vjeç. 2 vija gjaku rrjedhin nga hundët e tij, ndërkohë që bërtet pa fund. Ndihem keq, dua t’i vij në ndihmë, por nuk mundem.
Nga studioja më bëhet një ndërhyrje për të më pyetur diçka tjetër, kush po qëllon, kë? Kaq mund tëdëgjoj. Kthej kokën nga ana tjetër, ndërkohë që një polic i FNSH – së më vjen përballë me shpejtësi?
– Po ti mo qen? – thërret. – Jam gazetar, jam gazetar, – bërtas me të madhe sa kam në kokë, e përpiqem t’i bëj të dallueshëm kartën e gazetarit të varur në qafë. Por më vjen i fuqishëm një shkop gome në bark. Më përkul pak. Mundohem të largohem nja 2 metra pas, ndërkohë që më vjen një tjetër polic nga ana tjetër. Tensioni më ka pushtuar të gjithin. Nuk di më ç’po bëj. Vetëm bërtas, thërras, ulëras, jam gazetar, jam gazetar. Mendoj se kjo do të më shpëtojë nga kthetrat e tyre.
Por nuk mjaftohen me kaq. Polici që më vjen përballë më godet në kokë me skafandrën e tij duke më shtrirë në tokë.- Komunist, donit të rrëzonit shtetin? Maskara i m…. Të q… Shan pa fund. Më pas i rrëzuar në gjunjë shoh edhe 3 forca të tjera që më rrethojnë e më qëllojnë pa fund me shkopinj gome e shkelma në kokë,e trup. Dalloj një civil që vjen përballë, e me shpejtësi më godet me gju në mjekër.
Ndjej dhimbje. Nuk di ç’bëj. Vetëm thërras, jam gazetar, jam gazetar. Vijoj të thërras. Nuk dëgjojnë. U janë errësuar sytë. Mundohem të shpëtoj. Nuk di se si. Një tjetër civil që më ka rrethuar, më merr kartën e gazetarit nga qafa, për ta dalluar më mirë. – Po ti gazetar je o k.. – Po gazetar jam nuk e shikoni, – përgjigjem gjysëm i pandërgjegjshëm. –Largohen! Të 8 – të. Ndiej dhimbje në trup. Nofullën nuk e ndjej, për një moment mendoj se ma kanë thyer. Ngrihem me vështirësi, ndërkohë që ata largohen me vrap për të kapur të tjerë, për të rrahur të tjerë mizorisht.
Më hipën një inat. Dua të vrapoj edhe unë të godas ndonjërin. Por s’më bëjnë këmbët. Eci si përgjumësh. Jam ende i turbullt. Nofullën nuk e ndjej fare. Xhupi më është grisur, në disa anë të tij. Jam tërësisht i baltosur në pantallona. Por nuk ndjej gjë. Kurrizi më dhemb. Edhe koka. Duart më dridhen nga inati. Disa lot më rrjedhin nga sytë. Kam mllef. Por nuk di. Kam një të çarë në mjekër, por nuk e ndjej, nofulla më duket si e thyer. Fjalët që them nuk i ndjej. Kam shumëdhimbje.
SPITALI
Altini, shoferi, më kap përkrahu. “Eja të të çoj në spital, të mjekohesh. Je carë në mjekër” – më thotë. Nisemi! Jam ende i tensionuar. Më dalin lot nga inati. Dhimbjen në trup e ndjej pak, në kurriz. Futemi në spitalin Nënë Tereza, afrohemi pranë urgjencës. Disa të tjerë të plagosur, të gjakosur përreth. Dikush thërret nga dhimbjet. Në dhomën e urgjencës janë 3 krevate. Te i fundit, pranë dritares, ngrihet një djalosh, moshatari im.
E ka mbaruar mjekimin. Më merr doktori dhe më ul aty.
– Shtrihu. Ke dhimbje në trup përveç mjekrës? -më pyet. Më ngre kokën lart. Afrohet një femër. Është police. E pashë që tek dera. “– Si e ke emrin cuni? – më pyet. – Nuk mjafton që na vrisni, që na rrihni, por do na fusni edhe në burg tani?” – përgjigjem i inatosur, ndjej disa të dridhura në trup. Inat. Ndjej inat. Po, po. Ajo largohet.
Pranë meje është një tjetër i gjakosur. Demonstrues. Është pa ndjenja pothuajse. Vetëm belbëzon. Këmbët i ka të gjakosura, fytyrën gjithashtu, dhe në faqe i duket qartë një shenjë kamzhiku. Një vijë e kuqe e qartë. Ndërkohë kthej kokën paksa, dhe dëgjoj doktorin: “- Mos lëviz 2 sekonda”. Dora e tij tërhiqet prej mjekrës sime dhe shoh një je me gjilpërën. “– Po e qep. Të është carë pak. Por do ta bëj të mos dallohet fare. Të duket sikur nuk të është carë”, – më inkurajon doktori me këto fjalë.
Nuk ndjej dhimbje në mjekër. Mesa duket është ende e nxehtë. “– S’ke pse nevrikosesh. As të mërzitesh. Kështu është këtu te ne. Ti shiko shëndetin tënd! Unë të vendosa 4 penjë në mjekër. Por nuk do të të duken fare, hiç, edhe pasi të shërohesh!” – më thotë mjeku i thinjur në kokë. Çohem prej aty. Doktori më fashon. Më jep një qese akull për ta mbajtur në faqe, te plaga. Një tjetër i gjakosur vjen në radhë. Edhe një tjetër. Nuk kanë fund. Qëndrojnë te dera. Por ende mendoj për demonstruesin ngjitur me mua në dhomën e mjekimit. Ja ku del në një krevat. “ –
Ka hemorragji të brendshme nga goditjet, – dëgjoj një infermiere aty pranë. Ndihem keq. Si ai janë goditur shumë, shumë! Qëndroj në këmbë jashtë në korridor. Herë pas here dëgjohet ndonjë e bërtitur nga dhimbjet. Arena qendrore tani është kaluar nga bulevardi në spital. Një listë emrash është e gatshme nga policja me uniformë te dera për të shënuar në apel këdo që hyn e del. I gjithë stafi i urgjencës në këmbë. Doktorët. Infermieret. Ata me më shumë probleme, më rëndë i kalojnë nga reparti tjetër i ndërhyrjeve kirurgjikale.
Një kaos i organizuar në spital. Disa prej infermiereve shohin. E dinë që jemi gazetarë. Bashkë me kolegët. Shoferi, Altini më thotë se po vjen prokurori për të bërë denoncimin. Qëndrojmë rreth 5 minuta aty. Ndërkohë mbaj qesen e akullit në mjekër. Dhimbjet llojnë të shtohen në trup. Prokurori quhet Fatos. Më vjen përballë bashkë me 2 ndihmësit e tij. “–Si je? Do të bësh denoncim? – më pyet. – Po, po, do bëj, – ia kthej. Ndërkohë ai i drejtohet ndihmësit të tij, merr bllokun e fillon të më pyesë për ngjarjen. Kush më goditi, ku isha, e të tjera formalitete si këto. Përgjigjem dalëngadalë. Mjekrën tani e ndjej më shumë. Erblina më thotë se 2 nga protestuesit kishin vdekur.
Kap kokën me dorë. Nuk as. Hesht. S’di ç’të them. 2 jetë kanë ikur tashmë. Atje, pikërisht atje në sheshin ku isha unë. O Zot i madh! Përfundoj denoncimin. Jap gjeneralitetet. Fatosi më merr numrin e telefonit e më thotë se duhet të shkoj ditën tjetër të bëj ekspertizën mjeko – ligjore. Largohemi prej aty. I afrohem doktorit, e falenderoj edhe njëherë për punën.
Pas lemë 2 kolegët si dhe disa dhjetëra të rrahur, plagosur, goditur, që presin të marrin mjekim. Hipim në makinë e largohemi drejt punës. Telefoni ndërkohë bie pa pushim, puna, familja, shokë, miq të shqetësuar. Kishin marrë vesh pjesa më e madhe. Përpiqem të as më disa prej tyre. Temperatura më rritet, dua të largohem sa më shpejt. Hipi në makinë bashkë me grupin e xhirimit.
Ndihem për herë të dytë pas goditjeve i pandërgjegjshëm. Qëndroj për pak në një farmaci e marr disa qetësues për dhimbjet. Rruga më duket një përjetësi. Qyteti më jep përshtypjen e një varreze. Asgjë nuk lëviz. Ndonjë makinë tek– tuk. Si asnjëherë tjetër. Përshëndetem me shoferin e hyj në shtëpi. Përpiqem të shtrihem pak, të qetësohem. Nuk mundem. Hap pak televizorin. Flitet për demonstratën.
Të vdekur. Ka të vdekur. Nuk më hiqet nga mendja ai djaloshi që rrahën barbarisht policët. Vetëm gjak shquhej në fytyrën e tij. E ata të papërgjegjshëm e gjuanin, e vazhdonin sërish, pa pushim. O Zot, ku po jetojmë. Në një vend të pasigurt. Ndjej se edhe unë mund të isha njëri prej viktimave në një shesh pa emër, një bulevard vrasës. Jo thjesht i rrahur. Katastrofë. Është ende 21 Janar…/gazetatema.net
kam qene edhe une ne ate miting, sot pa pune edhe pse me vendim gjykate te formes se prere per kthim ne pune, pasi tatime dogane jane plot me te pd lsi... bravo rama, keshtu duhet!!!
Përgjigju