TIRANË –Nga 19 të arrestuarit të enjten pas akteve të dhunës para Kuvendit askush nuk mbeti në qeli. Edhe pse prokuroria fillimisht kishte kërkuar 2 arreste me burg, 1 në shtëpi dhe 16 detyrim paraqitje, gjyqtari Sokol Marku vendosi vetëm 2 arreste shtëpiake, 5 detyrim paraqitje dhe 12 të tjerë pa asnjë masë sigurie. Arresti për të gjithë protestuesit u cilësua i ligjshëm nga gjykata.

Dy masat e arrestit në shtëpi mbeten për Everest Bardhin, i cili në pamje është fiksuar me gurë në kokë dhe dyshohet se ka qëlluar policin i cili përfundoi në spital me 7 qepje. Tjetri është Ervin Gega, mes personave që ka shkatërruar makinën e policisë.

Mes 12 protestuesve në detyrim paraqitje është edhe Altin Hila, për të cilin prokuroria kishte menduar fillimisht arrest në burg por para togave të zeza kërkoi kërkoi “arrest në shtëpi” për shkak të fëmijës së sëmurë.

Seanca në dhomën penale të gjykatës së kryeqytetit, zgjati rreth 5 orë, ndërsa jashtë saj dhjetëra mbështetës kërkonin lirimin e tyre

Avokati Dorjan Matlija deklaroi pas seancës se kërkesa e prokurorisë për caktimin e masave ishte mbështetur kryesisht në materialet dhe provat e administruara nga policia, ndërsa gjatë hetimit ata do të paraqesin prova shtesa për të rrëzuar pretendimet e akuzës.

Një tjetër çështje e ngritur nga mbrojtja lidhet me pretendimet për ushtrim dhune ndaj disa prej të arrestuarve. Sipas avokatit, gjatë seancës janë konstatuar shenja të dukshme në trupi, përfshirë dëmtime në shpatulla, këmbë dhe mavijosje në zonën e syve, për të cilat ata do te kërkojnë hetim.

"Në sallë u vunë re shenja dhune për disa prej tyre, shenja në shpatull, këmbë dhe të nxira në sy. Edhe Genti Progni ka pretendime për dhunë dhe ka kërkuar raport mjeko-ligjor", tha avokati.

Matlia mbajti një qëndrim kritik edhe ndaj formës së organizimit të protestave, duke deklaruar se protestat e dhunshme nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.

Altin Hila - Detyrim paraqitje
Ervin Gega - Arrest në shtëpi 
Everes Bardhi - Arrest në shtëpi 

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:25
Vendimi i Gjykatës së Tiranës, momenti kur protestuesit e arrestuar për dhunën te Kuvendi lënë ambientet e Bllokut të Sigurisë

1783264480_lirohenprotestuesit.jpg

Report Tv ka siguruar pamje nga momenti kur protestuesit e arrestuar lënë ambientet e Bllokut të Sigurisë ku po mbaheshin, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për lirimin e tyre.

Me thirrjet ‘fitore’ dhe ‘do ta marrim hakun’, ata janë pritur jashtë ambienteve të Bllokut të sigurisë edhe nga protestues të tjerë.

Sot Gjykata e Tiranës vendosi masën ‘detyrim paraqitje’ për 12 protestues, ‘arrest në shtëpi’ për 2 prej tyre dhe vendosi të mos caktojë masë sigurie për 5 të tjerë.

Të 19-të protestuesit u arrestuan pas protestës së dhunshme të zhvilluar para Kuvendit në 2 korrik, ku u sulmuan deputetët dhe forcat e Policisë.

Ora 15:21
Avokati Matlija: Protestat e dhunshme nuk kanë qenë të suksesshme, duhet një qasje tjetër (VIDEO)

 

Avokati Matlija, pas përfundimit të seancës për caktimin e masave të sigurisë ndaj 19 protestuesve të arrestuar pas protestës para Kuvendit, deklaroi se vendimi i Prokurorisë është bazuar në provat e vëna në dispozicion nga policia, ndërsa theksoi se në vijim të hetimeve masat e sigurisë mund të ndryshojnë për disa prej tyre.

Sipas tij, ndaj të arrestuarve janë ngritur pesë akuza: kundërshtim i punonjësit të policisë (paragrafi 2), prishje e qetësisë publike, shkatërrim prone, pjesëmarrje në tubim të paligjshëm dhe pengim i qarkullimit.

Avokati bëri edhe një koment politik mbi situatën, duke deklaruar se dialogu mes palëve ka përfunduar.

"Ka mbaruar koha për dialog. Rama ka vendosur të jetë arrogant me publikun. Publiku s'ka pse të dialogojë, aq më tepër kur kërkesa kryesore është dorëheqja e Ramës", u shpreh ai.

Matlija tha gjithashtu se gjatë seancës janë evidentuar shenja dhune në trupin e disa prej të arrestuarve.

"Në sallë u vunë re shenja dhune për disa prej tyre, shenja në shpatull, këmbë dhe të nxira në sy. Edhe Genti Progni ka pretendime për dhunë dhe ka kërkuar raport mjeko-ligjor", deklaroi avokati.

Në një qëndrim personal, Matlija u shpreh se protestat e dhunshme nuk kanë rezultuar të suksesshme dhe se duhet ndjekur një model tjetër proteste.

"Protestat e dhunshme nuk kanë qenë të suksesshme, ndaj duhet të ndjekim format e suksesshme të protestave. Protesta reale nuk janë vetëm grupet ekstremiste apo ata që janë në shesh në një kohë të caktuar, por edhe ata që kanë qenë të paktën një herë në protestë, që kanë bërë të paktën një postim apo e kanë mbështetur nga ballkoni.

Ora 13:58
Përfundon shqyrtimi i arrestit në flagrancë për 21 protestuesit, pritet vendimi i gjykatës dhe për masat! Për Altin Hilën prokuroria kërkon arrest shtëpie

1783238590_protestuesparaparlamentit.jpg

Avokati i një prej 21 protestuesve të arrestuar, që kanë dalë para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së sigurisë, thotë se shqyrtimi ka përfunduar dhe gjykata është tërhequr për të marrë vendimin, që ende nuk dihet se kur mund ta shpallë.

"Sapo u përmbyll me sukses çështja që është në shqyrtim për masën e sigurimit personal për të arrestuarit në protestë. Është konstatuar nga ana e avokatëve paligjshmëria e arrestimit në flagrancë dhe mosvendosja e sigurimit për këta persona. Gjykata në këto momente është tërhequr në dhomën e këshillimit për të caktuar masat e sigurisë dhe për arrestin në flagrancë", tha avokati.

Avokati tha se Prokuroria ka ulur sërish numrin e të arrestuarve për të cilët kërkon arrest në burg, me arsyetimin se njëri prej tre protestuesve, për të cilët u kërkua ajo masë sigurimi personal, ka fëmijë të sëmurë në shtëpi dhe duhet të kujdeset për ta. Me shumë gjasë, protestuesi në fjalë mund të jetë Altin Hila, i cili në ditën që u arrestua u dëgjua duke thënë: "Ka ikur nusja në punë, 2 kalamajtë e vegjël janë vetëm te shtëpia, ju lutem, spitali i Durrësit, shkoni te fëmija, unë nuk kam problem, rri sa të duash në burg, po fëmija mos të vdesë."

"Vetëm për 2 persona është kërkuar masa shtrënguese 'arrest në burg', për njërin 'arrest në shtëpi'", është kërkesa e prokurorëve, sipas avokatit.

Ora 12:13
Seanca për vlerësimin e masës/ Autoambulanca me mjekë mbërrin në Gjykatën e Tiranës, protestuesi i arrestuar nuk u ndje mirë (VIDEO)

 

Ndërkohë që prej orës 09:30 në Gjykatën e Tiranës vijon seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për 21 të arrestuarit nga protesta e dhunshme para Kuvendit, një autoambulancë dhe disa mjekë kanë mbërritur në ambientet e gjykatës, pasi një prej të arrestuarve, me inicialet N.Q. nuk është ndjerë mirë.

Protesuesi në fjalë thuhet se vuan nga epilepsia, pretendim i deklaruar dje nga avokati Gentian Serjani. Ky i fundit, së bashku me aktivisten Sidorela Vatnikaj, thanë dje se që nga momenti i prangosjes së tij, ai ka pësuar 3 kriza epileptike. Gjithashtu, gjatë këtyre momenteve, sipas avokatit dhe aktivistes, protestuesi është dhunuar nga bliutë.

Report Tv mësoi përmes burimeve nga policia, se N.Q. ka shfaqur probleme shëndetësore, dhe për to është transportuar disa herë në spital, ku ka marrë shërbim sipas vlerësimit të bluzave të bardha. Nga momenti i shoqërimit, thanë të njëjtat burime, ai ka refuzuar të konsumojë ushqim, dhe është dashur dërgimi në spital për të marrë serum. Por në një moment, i paraburgosuri, ka refuzuar të bëjë serumin, ka ofenduar, dhe ka hequr me forcë vigonin nga venat, çka i ka shkaktuar gjakderdhje. 

Kjo thanë burimet, shpjegon edhe bluzën e gjakosur që avokati tha se është prej dhunës nga efektivët.