22 vite nga nisja e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, Rama kujton mesazhin e Clinton: Datë e pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

TIRANË- Më 24 mars mbushen 22 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës.

Pikërisht në këtë ditë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton dha lajmin para popullit amerikan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’u bashkoheshin aleatëve të NATO’së për ndërhyrje në Kosovë. Në mesazhin e tij Klinton u tha amerikanëve se ndërhyrja po bëhet për dhjetëra arsye e një ndër to përmendi brutalitetin e forcave serbë kundër shqiptarëve.

Kryeministri Edi Rama e quan këtë fjalim si historik dhe se kjo thirrje e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

‘Adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës së martirizuar, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.’- shkruan Rama.

 

Në fjalën e tij, atëkohë, Bill Klinton tha ndër të tjera: “Bashkëkombas të mi: Në këtë moment trupat serbe po lëvizin nga një fshat tek tjetri, po bombardojnë vendbanimet civile dhe po djegin shtëpitë. Ne po shohim njerëz të pafajshëm, të përzënë me forcë nga shtëpitë e tyre, njerëz që me forcë janë vendosur para togave të pushkatimit dhe gjuajtur me plumba. Burrat kosovarë janë ndarë nga familjet e tyre, prindërit dhe fëmijët bashkë, të vënë në rresht, janë gjuajtur me një herë me armë zjarri.

Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk ka asgjë të ngjashme me luftën dhe me ligjet tradicionale të luftës; kjo është një luftë e padrejtë e kryer me të gjitha arsenalet ushtarake ndaj njërëzve të pafajshëm që nuk mund të mbrohen dhe kur ata dhe udhëheqësit duan vetëm paqe. Pra, bashkëkombas, të luftojmë që ta mbyllim këtë tragjedi e cila për ne është një kërkesë morale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:54
Bombardimi i NATO-s kundër Serbisë, Meta: I dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit

1616594105_16451260638701106897018424400535700181423283n.jpg

Duke e lidhur me ditëlindjen e tij, Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar përmes një postimi në rrjetet sociale 22-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-S kundër Serbisë, që i dhanë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.

"Shumë i lumtur të festoj ditëlindjen në të njëjtën ditë me një ngjarje të shënuar për çdo shqiptar, ditën kur NATO-ja vendosi të ndërhyjë për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë. Kombi shqiptar do t’u jetë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për këtë kontribut të jashtëzakonshëm, që i parapriu Pavarësisë së Kosovës dhe forcoi paqen e stabilitetin në rajonin tonë. E ardhmja e Republikës së Kosovës është anëtarësimi i saj në NATO dhe Shqipëria mbetet e vendosur për të mbështetur këtë aspiratë, në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes e sigurisë në Ballkan dhe kudo në botë", ka shkruar Meta.

Ora 12:41
Postimi i Ramës për 22-vjetorin e bombardimeve të NATOS mbi Serbinë/ Mediat serbe: Provokim, krahasoi serbët me fashistët

 

“Provokim” e kanë konsideruar mediat serbe reagimin e kryeministrit Edi Rama, për 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Beograd.

Me një shënim në Twitter, Rama solli në vëmendje fjalimin e Presidentit të asokohe të Amerikës, Bill Clinton, që dha lajmin për nisjen e sulmit.

“Adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës së martirizuar, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, shkroi Rama.

Media serbe “Novosti” e ka quajtur “turp të Edi Ramës” publikimin e fjalimit të Clinton.

Ndërsa “Kurir” shkruan se kryeministri Rama “provokoi” dhe se “i krahasoi serbët me fashistët”.

Ora 11:03
FOTOGALERIA/ Pamjet historike të bombardimeve në Serbi, lufta e parë e NATO-s

Sot shënohen 22 vite nga nisja e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, konflikti i parë ku aleanca e madhe ushtarake perëndimore u përfshi.

Fushata e gjatë 78 ditore, që përfundoi konfliktin në Kosovë, mbaroi më 10 qershor 1999.

Ora 10:49
Vjosa Osmani kujton bombardimet e NATO-s: Kjo ditë shënoi kthesë të madhe për Kosovën, riktheu shpresën

Ish-kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka kujtuar bombardimet e NATOS-s në përvjetorin e 22-të, duke e konsideruar një kthesë të madhe dhe rikthimin e shpresës në vend.

Ajo kujton se kur pushteti serb po synonte shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, vendet anëtare të BE-së dhe Aleanca e NATO-s vendosën të parandalojnë një gjë të tillë  duke i dhënë fund regjimit gjenocidal të Serbisë.

Osmani përmes postimit të saj ka shprehur edhe mirënjohjen e saj për të gjithë gratë dhe burrat të forcave të NATO-s.

“Të rikujtojmë për të mos harruar me shikimin e qartë kah e ardhmja! E ardhmja është me Republikën e Kosovës anëtare të aleancës sonë shpëtimtare-anëtare të NATO-s.”, shkruan Osmani.

Ora 09:27
Kurti nga Prekazi kujton bombardimet e NATO-s: Drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë nuk është vënë ende

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar në ditën e tij të parë të punës ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai tha se tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe dhe drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë ende, ashtu siç nuk është vënë për shumë dëshmorë e martirë anekënd vendit.

“Dje pranuam detyrën si qeveri e re e cila u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe sot në ditën e parë të punës erdhëm herët në Prekaz në këtë vend të flijimit e të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtar, e cila më 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme të historisë së njerëzimit kundër një shteti gjenocidal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, tha Kurti.

“Ne i kujtojmë me dhembje e mall Shaban, Hamzë e Adem Jashari dhe të gjithë, 59 anëtarët e kësaj familjeje, gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.

Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend ashtu sikur për shumë dëshmorë e martirë të tjerë anekënd Kosovës.

Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthehemi e rikthehemi në Prekaz për ta kuptuar prej nga vijmë dhe për ta ditur më mirë kah duhet të shkojmë”, tha Kurti.

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë mblidhet sërish sot, pritet miratimi i planit të hetimit dhe kërkesave për informacion

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë mblidhet sërish sot, pritet miratimi i planit të hetimit dhe kërkesave për informacion