Nëpërmjet një dokumenti, i siguruar ekskluzivisht nga Shqiptarja.com, që sipas tyre e kanë dorëzuar në Prokurori dhe që flet për një akt transaksioni, të ardhurat financiare kanë lindur nga një dëmshpërblim financiar nga një kompani sigimesh italiane, pasi nëna dhe motra e 23-vjeçarit Kalaja kanë humbur jetën në një aksident rrugor. Nëna Vjollca Kalaja dhe motra Brikida Kalaja, në këtë aksident kanë humbur jetën, ndërsa Arlind Kalaja ka shpëtuar vetëm më dëmtime.
Pas këtij aksidenti, thonë familjarët, ata kanë kërkuar dëmshpërblim nga kompania e sigurimit italian, ku sipas tyre ishte siguruar babai i tij, Fatmir Kalaja. Aksidenti ka ndodhur ditën e krishlindjeve në 25 dhjetor 2003. Nëpërmjet një dokumenti dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të afërmit pretendojnë se i riu Arlind Kalaja është dëmshpërblyer në total 450 mijë euro. Dhe më konkretisht 310 mijë euro për humbjen e nënës, Vjollca Kalaja, 80 mijë euro për humbjen e motrës, Brikida Kalaja dhe 10 mijë euro për dëmet e tij të pësuara në aksident, ndërsa 50 mijë euro për shpenzime juridike ose të tatueshme.
Të afërmit thonë nëpërmjet këtyre parave janë blerë 9 apartamente në Durrës. Transferimi i këtyre parave në Shqipëri ka sjellë dyshime nga Drejtoria e Pastrimit të Parave dhe Prokuroria, e cila ka vendosur të sekuestrojë pak ditë më parë 9 apartamente me një vlerë prej 260 mijë euro.
Në dy muaj u blenë nëntë apartamente
Fillimisht hetimi nisi nga Prokuroria e Durrësit, në Prill 2016, pas dyshimeve për pastrim parash. Fatmir Kalaja dhe djali i tij, u zbuluan se kishin qarkulluar shuma të mëdha parash në llogaritë e tyre bankare. Por pas veprimeve të para në Durrës, hetimi iu përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, që po kryen tashmë veprimet.
Sipas hetimit, i dyshuari Fatmir Kalaja është hetuar në Itali, për vjedhje, vrasje me dashje e vepra të tjera penale. Por dyshimet janë se ai mund të jetë marrë edhe me aktivitete prej të cilave ai ka mundur të fitojë sasi të konsiderueshme parash të cilat i ka investuar në pasuri të patundshme në qytetin e Durrësit.
Ndër to janë edhe 9 apartamentet e sekuestruara me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Hetuesit dyshojnë se këto 9 apartamente që sipas kontratave përkatëse arrijnë në rreth 260 mijë euro, janë fituar nga Arlind Kalaja, si rezultat i përfshirjes së tij në aktivitetin e pastrimit të parave.
Blerja e apartamente ka ndodhur në një kohë shumë të shkurtër brenda dy muajve të vitit 2014. Por po ashtu apartamentet e blera nga Kalaja, janë përftuar me gjysmën e çmimit dhe se dyshohet se vlera e tyre mund të jetë shumë më e madhe. I hetuari Kalaja, sipas Prokurorisë nuk ka pasur asnjë aktivitet ekonomik në Shqipëri, por po ashtu ai ishte vetëm 20 vjeç në kohën e përfitimit të pasurive. Kjo ka shtuar dyshimet mbi burimin e të ardhurave të të dyshuarit babait të tij, ndërsa ende nuk dihet origjina e saktë e parave. Në këto kushte është vendosur edhe sekuestrimi i këtyre pasurive, ndërsa tashmë pritet të vijojë edhe procesi penal ndaj dy personave babë e bir.
(Dëmshpërblimi financiar nga kompania e sigurimit)
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com