23 gushti, Autoriteti nderon viktimat e ish-kampit të Tepelenës edhe gjatë fashizmit! Në simpozium dhe italianë: Dëmet e mëdha gjatë luftës italo-greke! Të internuarit në Itali

23 gushti, Autoriteti nderon viktimat e ish-kampit të Tepelenës edhe gjatë fashizmit! Në simpozium dhe italianë: Dëmet e mëdha gjatë luftës italo-greke! Të internuarit në Itali

Ish-kampi i internimit ne Tepelene

Në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Autoriteti i Dosjeve ka mbajtur gjatë ditës së sotme në ish-kampin e internimit në Tepelenë një ceremoni nderimi për viktimat, jo vetëm gjatë komunizmit por edhe gjatë fashizmit, kur objekti u ndërtua. Të pranishëm krahas përfaqësuesve lokalë ishin të mbijetuar, si dhe familjarë të viktimave. Në mesditë u mbajt edhe një Simpozium Shkencor, ku krahas shqiptarëve, morën pjesë edhe studiues italianë. Në të u diskutuan dokumente të reja, që sipas drejtores së Autoritetit Gentiana Sula,  tregojnë për një numër të lartë viktimash, jo vetëm në diktaturë, por edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, u përmend nevoja për ta shndërruar ish-kampin e Tepelenës sikundër kamp-burgun e Spaçit në Muze të Kujtesës. Sipas studiuesit Xhezo Cana Lufta italo-greke solli dëme të jashtëzakonshme për Tepelenën dhe fshatrat e saj, në njerëz, shtëpi të  rrënuara, bagëti të marra nga ushtritë  ndërluftuese...

“Nga evidenca e nxjerra pas çlirimit rezulton se kjo luftë solli në Tepelenë 75 viktima. Por më  pas, deri në vitet 1980, sipas një evidence nga Zagoll Shehu, nga mbetjet e armëve trofe si bomba dore, kapsolla dhe predha të  artilerisë, numri u shtua në 375 viktima, fëmijë të gjymtuar apo të vdekur, fshatarë apo blegtorë. Të dëmtuarit më të shumtë ishin nga fronti i luftës, në fshatrat Arrëz, Bënçë, Luzat, Lekdush, Kashisht, etj.”, ka konkluduar ai.

Ndërsa studiuesha Ardita Repishti solli në vëmendje kundërshtimin që iu bë pushtimit italian nga shqiptarët. Sipas saj, qindra prej tyre u internuan për arsye politike në Itali, edhe familjarisht gjatë viteve 1939-1943.

“Pjesa e konsideruar më e rrezikshme politikisht u dërgua në ishujt kufitarë të Ventotenes, Ustikës, Tremitit, Poncës, etj. 130 të tillë rezultojnë në Ventotene, sipas dokumentet të kohës në AQSH, disa dhjetëra në Ustikë, Tremiti e Ponca. Shqiptarë të shumtë dhe familjarë të tyre, të konsideruar kundërshtarë të sistemit, ishin shpërndarë në të gjithë Italinë si dhe në burgjet apo vendet e internimit në Shqipëri. Në Ventotene, - ishullin burg politik ku lindi manifesti i Europës së Bashkuar, - u dërgua një pjesë e mirë e elitës së kombit, e arsimuar në Perëndim, qartas antifashiste në qëndrime dhe ide. Vec tyre, kishte edhe komunistë aktivë dhe malësorë e fshatarë të thjeshtë që e kundërshtuan pushtimin. Një pjesë e mirë e personaliteteve që patën rol në historinë e Shqipërisë, në vend dhe jashtë saj, kaluan në Ventotene. Kthimi në atdhe për një pjesë ishte fatal, për të tjerë me dënime politike tashmë komuniste dhe për të tjerë një fillim i ri, në një sistem që e mbështetën në ngritje e konsolidim”, sipas studimit të Repishtit.

/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë