Një satirë politike në formën e kabaresë, shfaqja “24 orë nga jeta e një votuesi” është mirëpritur nga publiku, që kishte mbushur sallën e Teatrit Kombëtar.
Shfaqja ndërthur komedinë, muzikën dhe satirën, ndërsa në qendër të saj është jeta e një votuesi shqiptar në 24 orë, porse pas kësaj dite të vetme fshihen shumë vite paradoksesh dhe absurditetesh të realitetit tonë shoqëror.
Për realizimin e shfaqjes, regjisorja Driada Dervishi është nxitur nga krijimtaria e Naun Shundit dhe Teodor Kekos.
“Më vjen keq në fakt, që në momentin që ma ka dhuruar për ta lexuar këtë tekst të bukur, nuk arritëm që ta zhvillonim më tej, por shpresoj që gjithsesi të jetë përmbushur një pjesë e atij humori shumë të mprehtë dhe të zgjuar, që Nauni përcillte.”, thotë Dervishi për “Report TV”.
Ajo shpjegon se kabareja, një gjini jo shumë e përdorur në Shqipëri, por me traditë të gjatë ndërkombëtare, shërben si mjet për të folur për politikën dhe shoqërinë përmes muzikës dhe ironisë, në frymën e teatrit brehtian.
Një element qendror i shfaqjes është edhe poema satirike e Teodor Kekos, e shkruar në vitin 1996, e cila shndërrohet në refrenin kryesor të shfaqjes. Sipas regjisores, ajo dëshmon se, pavarësisht viteve që kalojnë, ndryshimet në Shqipëri janë më të vogla nga sa mendojmë.
“Te koka e krevatit kam një listë gjithmonë me libra dhe në një prej tyre ishte ‘E të tjera, të tjera’ e Teodor Kekos. Ishte një dhuratë nga bashkëshortja e tij. E kuptova se ky duhet të jetë gjithë refreni i shfaqjes. Na duket sikur Shqipëria ka ndryshuar dhe kur kthehemi në kohë, e kuptojmë se sa pak ka ndryshuar ajo. Në njëfarë mënyre besoj që do të jetë një nga pjesët më interesante të asaj dhe njerëzit dalin me të, duke e kënduar.”, shpjegon regjisorja.
Në role kryesore interpretojnë Arben Derhemi, në rolin e një burri në moshë të mesme, që prej 35 vitesh heziton të votojë, duke ngritur pikëpyetje mbi pjesëmarrjen qytetare dhe përgjegjësinë individuale, si dhe Zamira Kita, me një karakter të krijuar posaçërisht për të, e quajtur Revolucionare, në rolin e nënës së protagonistit.
Aktorja Zamira Kita shprehet se shfaqja, përveç humorit të fortë, përcjell edhe një mesazh të qartë qytetar: rëndësinë e votës dhe përgjegjësisë për të vendosur së bashku për të ardhmen.
“Përveç se ka shumë humor, ka shumë mesazhe dhe ajo që është më e rëndësishme është, që ne dëshirojmë që publiku të marrë mesazhin kryesor: që të gjithë duhet të votojmë, të gjithë duhet të vendosim së bashku për fatet tona. Pastaj se si ka ecur politika në të gjithë këto vite tranzicioni, por edhe që nga koha e monizmit, kjo është tjetër gjë. Gjithçka trajtohet me humor. Ka momente që do të qeshin me të madhe, ka momente që do të mendohen.”, thotë Zamira Kita.
Pjesë e kastit janë edhe Xhuliano Brisku dhe Ermir Hoxhaj, të cilët sjellin në skenë personazhe të shumëfishta, në stilin e arlekinëve modernë shqiptarë.
Skenografia paraqet një ndërtesë në ndërtim e sipër, simbol i tranzicionit të tejzgjatur shqiptar, ndërsa kostumet dhe realizimi skenik mbajnë firmën e Desantila Likës.
Muzika e shfaqjes, e cila do të vijë për publikun deri më 18 janar, është kompozuar nga Aulon Naçi, ndërsa interpretimi muzikor realizohet nga Gent Rushi Band, një trio muzikantësh që shoqërojnë të gjithë rrëfimin skenik.
Komente










