Ky është interpretimi i 12-vjeçari Adriano Capuni i cili këndoi plot emocion këngën e Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime”. I lindur pa shikim, Adriano i gëzon festat e 28-29 nëntorit duke bërë atë që dashuron më së shumti, këndimin.
“Në një organizim kaq të madh, gjithëpërfshirës nuk mund të mungojë asnjë fëmijë. Edhe mesazhi i një organizimi kaq të madh është që asnjë fëmijë të mos mbetet pa festuar’, tha Emiliano Lule, drejtor i INNSH.
Në kuadër të programit “Art dhe Zeje”, 17 shkolla të Tiranës u bashkuan në një event të madh. Të veshur kuq e zi apo me kostume tradicionale, nxënësit festuan me këngë e valle patriotike, duke sjellë atmosferën e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit.
Salla u shndërrua në një atmosferë të madhe që përfshinte të gjitha format e artit: nxënës që punonin me baltë, vajza që thurnin me shtiza, të rinj që pikturonin e modelonin skulptura, gatuanin petë apo i binin çifteli.
“Kemi djalin që bën punime me baltë. E ka të trashëguar nga familja e vetë. Edhe ne mundohemi që ta trashëgojmë edhe nxënësit në shkollë. Kemi vajzën e cila bën punime me dorë. Në këtë rast janë punime me shtiza. Edhe vajza në këtë rast e ka të trashëguar nga familja. Kemi dhe vajzën këtu e cila përfaqëson klubin e shëndetit’, tha një prindër.
Një prej nxënësve tregoi pasionin e tij për punimet me baltë:
“Këtë profesion e kam mësuar nga një mik i familjes thjesht duke e parë pëlqeu edhe fillova duke punuar gjëra të vogla si tavell duhani diçka të tjetër shumë dhe pastaj gjëra më të mëdhaja', tha ai.
Përmes artit, zellit dhe traditës, nxënës të të gjitha moshave sollën një festë të madhe.
Komente










