Partia Demokratike feston 35-vjetorin e themelimit të saj. Në një ceremoni para selisë së kësaj partie, kryedemokrati nisin fjalimin e tij duke kujtuar disa prej demokratëve më të shquar, me kontribute të mirënjohura në jetën e force politike, të cilët që sot nuk jetojnë më.
"Nderim dhe mirënjohje të pakufijshme për veprën e pavdekshme të tribunit të lirisë, themeluesit dhe prijësit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë! Nderim të veçantë dhe të madh për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar të Partisë Demokratike, intelektualit të mirënjohur, të pavdekshmit Gramoz Pashko. Ne përkulemi me nderim të thellë para kontributit dhe veprës së pavdekshme të themeluesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, Mandelës së Evropës, ish-kryetarit të parlamentit, Pjetër Arbnori. Qëndrestarit të pamposhtur dhe intelektualit të madh, drejtuesit kryesor të Partisë Demokratike dhe grupit të mazhorancës së saj në parlament, Ali Spahia. Personalitetit të shquar të Partisë Demokratike, burrit të shtetit që i dha aq shumë nder shtetit dhe presidencës, Bujar Nishani. Ministrit brilant të Partisë Demokratike dhe drejtuesit të rinisë së saj, Sokol Olldashi. Udhëheqësit të talentuar të rinisë, Partisë Demokratike, Genti Bogdani. Dhe dhjetëra e dhjetëra drejtuesve, deputetëve, qeveritarëve qëndrorë dhe vendorë të kësaj partie që nuk janë më",- tha Berisha.
Kryedemokrati theksoi transformimin që pësoi Shqipëria pas rënies së regjimit komunist, sipas tij falë Partisë Demokratike.
"Ne jemi një parti që në ditën e parë të ekziztencën tonë i dhamë vendit dhuratën më të çmuar pas Pavarësisë, pluralizmin politik. Forca e parë politike në Europën ish komuniste që kërkoi që në themelimin e saj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Jemi partia e interesit kombëtar të shqiptarëve, që shpallëm në themelimin tonë çështjen tonë kombëtare si yll polar. Ne jemi partia që në shtetin e parë ateist të botës rikthyem besimet fetare, jemi partia e cila pas më pak se një viti themelimi, arritëm të shembin diktaturën e fundit komuniste dhe më të egër të Europës",- tha Berisha.
Berisha deklaroi para deputetëve të tij besnikë dhe mbështetësve se Edi Rama ka tentuar të anëtarësohet në Partinë Demokratike në fillimet e themelimit të saj, por është përzënë nga kjo forcë politike.
"35 vite më parë në ditët e para pas themelimit të PD, shumë të rinj intelektualë na bashkoheshin çdo ditë, midis tyre ishte dhe një djalë 26 vjeç pedagog i arteve, askush nuk mendonte në atë kohë në e disa vite më vonë ai person do të kthehej në fatkeqësinë më të vogël të kombit shqiptar pas Enver Hoxhës. Ky djali ishte Edvin Kristaq Rama, ai nuk rezistoi dot më gjatë se disa orë në PD. Është forca e madhe e kësaj partie, demokratët kanë një instikt të pagabueshëm për të dalluar të mirën dhe të keqen",- tha Berisha.
Lideri i selisë blu tha se Partia Demokratike po përjeton një kohë të ngjashme me atë të ngjizjes së saj 35 vite më parë.
"Ne gjendemi sot në një situatë shumë të ngjashme me ditët e para. Kur u themeluam kishim një diktaturë, sot kemi një diktaturë tjetër, një diktaturë të bazuar në drogën dhe vjedhjen dhe ideologjinë postmarkiste të ekstremit të majtë",- tha Berisha.
"Edi Rama që përzumë nga PD sot ka themeluar narkoshtetin e parë në Europë. Ai qeveris me kartelet më të rrezikshme të drogës. Shqipëria është shpopulluar. Kombi ka pësuar katastrofën demografike më të madhe të ekzisrebncës së tij. Edi Rama ka grabitur pasuritë e shqiptarëve",- shtoi më tej Berisha.
Komente










