36 tregtarë dhe industrialistë
në Durrësin e 1929

36 tregtarë dhe industrialistë<br />në Durrësin e 1929
Pasi dhamë listat e sipërmarrësve dhe tregtarëve më në zë të Korçës, Beratit, Vlorës, Tiranës, Elbasanit, Fierit, etj, të porositura nga Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare për nxitjen e tregtisë dhe sipërmarrjeve shqiptare nëpër botë, sot po përqëndrohemi tek Durrësi.
Lista e tregtarëve dhe industrialistve më me rëndësi të Durrësit në Shqipërinë e Zogut në prag të viteve 1930 përbëhej prej 36 emrash.
Struktura ligjore e sipërmarrësve durrsakë ishte mjaft e larmishme. Ajo përbëhej nga shoqëri anonime, sipërmarrje të ndryshme, agjenci, vëllazëri, ortakëri, shoqëri të thjeshta me një ortak kryesor, si në rastin “Leon Bodikjan e Shoku”, apo “Ali Kruja e Shoqënia”, përfaqësi ndërmarrjesh të huaja, si dhe sipërmarës individualë.

Në krye ishte Shoqëria Anonime “Stamles”, e cila përveç monopolit të letrave të cigareve dhe shkrepëseve, merresh me “industrinë e cigareve dhe litotipografinë”. Kjo ndërmarrje ishte e vetmja Në Durrës – dhe ndër më të mëdhatë në Shqipëri – që operonte në industrinë e duhanit.
Në vend të dytë vinte Shoqëria Anonime “Krahu”, e cila paraqitej si sipërmarrje punësh botore.  Në këtë zeje punonin edhe Vllazën Ragazzi, inxhinierë me gjasë italianë.


Për vetë karakterin e tij si porti më i rëndësishëm i vendit, në Durrës gjejmë edhe shoqëritë e sigurimeve, dhe pikerisht Agjencinë e Sigurimeve Vincenzo Roço, edhe ky me gjasë italian, që zinte vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm. Në vend të katërt gjejmë një tjetër sipërmarrës italian, inxh, Silvestro Raja, çka thekson dendurinë e kontakteve midis dy brigjeve tË Adriatikut në atë periudhë. Shoqëria e Inxh. Raja-s merrej me sipërmarrëse ndërtesash.

Në fushën e tregtisë së pijeve gjithfarësh kemi Kristaq Zaguridhi, i cili merrej edhe me “koloniale”; Dhimitër Thohari, që më saktë duhet të jetë “Theohari”; dhe Sotir Fushi, i cili merrej edhe ky me “koloniale”.
Në fushën e manifakturës dhe kolonialeve kemi: Vllazën Leka; Vangjel Spiru; Vllazën Dovana; Jan Nushi; Vangjel Manushi; Leon Bodikjan e Shoku; Mustafa Kosova e Vëlla; Vllazën Juma;

Të tjerë tregtarë merreshin vetëm me koloniale ishin: “Vllazën Shijaku – i cili merrej edhe me industrinë e miellit; Ali Veli e Vlla; Ali Kruja e Shoqnia, dhe Qamil Dibra e Vllazën.
Me “hekurishta dhe përfaqësime” merreshin: Idhomen Kosturi; dhe një ortakëri e quajtur “Kalem e Rrufa”.
Në kategorinë e lëndëve të ndërtimit, të quajtur “Lëndë gjithfarësh dhe çimento” merreshin: Kozma Koja; ortakëria “Goga e Spiru”; ortakëria “Neli e Koka”; Vllazën Fani; dhe Ing. Zef Shkanjeti, i cili merrej edhe me sipërmarjen e punëve botore dhe ndërtesave.

Me tregtine [eksport-import] dhe industrinë e makaronave merreshin Beshi Vllazën; me tregtinë [eksport-import} të lëkurëve merreshin Vëllezërit Gjata, kurse përgjithësisht me eksport-import merreshin Sabri Dermani dhe Vëllazën Dakoli.
Interes të posaçëm paraqesin koncesionarët e parë të automobilave në Durrës.  Përfaqësues të automobilave FORD në Durrës, dhe natyrisht në mbarë vendin, ishin Vllazën Haveriq, një familje e ardhur në Durrës pas shpërnguljes së shqiptarëve nga rrethet e Podgoricës dhe Tuzit si rezultat i shtypjes dhe terrorit malazez.  Kurse përfaqësues i Shoqërisë së Automobilave “FIAT” ishte ndërmarrja “Pini e Shoqënia”.

Së fundi, në industrinë e miellit shquheshin “Vllazën Ekonom”.
Ky dokument i rëndësishëm, hartuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme nga Kryetari i Odës së Ekonomisë Isuf Beshiri, tregon gjallërinë e jetës ekonomike tregtare të periudhës së fillimeve të kapitalizmit në fund të viteve 1920 dhe në fillim të viteve 1930 gjatë sundimit të Mbretit Zog. Mbetet me interes ndjekia e fatit të atyre tregtarëve durrsakë më tej, dhe gjatë viteve të periudhës komuniste, si dhe të hulumtohet nëse pasardhësit e tyre sot e kanë ringritur apo rigjallëruar në ditët tona sipërmarrjen e stërgjyshëve të tyre dikur.
 

Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane