'Familje superkomuniste',Nishani
hedh në gjyq ish-zv/kryeministrin

'Familje superkomuniste',Nishani<br />hedh në gjyq ish-zv/kryeministrin
Ish-zv/kryeministri i Shqipërisë njëherësh dhe ish-ministri i Brendshëm Bashkim Kopliku, është paditur nga presidenti Bujar Nishani, për shpifje, pasi ish-funksionari i lartë i shtetit e quajti Nishanit si një familje superkomuniste.

Padia, Nishani kërkon 100 mijë lekë
Nishani ka vendosur që të padisë autorin e shkrimit dhe jo mediat në të cilat është botuar, duke kërkuar në gjykatë 100 mijë lekë. 
Padia civile e Nishanit është depozitiar në gjykatën e Durrës, ku pikërisht nga kjo gjykatë Nishani kërkon që Bashkim Kopliku të dënohet për shpifje, dhe ta dëmshpërblejë presidentin e Republikës Bujar Nishani me 1 milion lekë të vjetra.

Gazeta “Shqiptarja.com” zotëron një pjesë të ekstraktit të padisë së depozituar nga presidenti Nishani, i cili e ka depozituar në muajin prill 2017 në gjykatën e Durrësit.Seanca e parë mes Nishanit dhe Bashkim Koplikut është zhvilluar 24 prill 2017, por është shtyrë për shkak të mosprezencës së shtetasit Kopliku, pasi ky i fundit nuk kishte marë dijeni. Padia civile mban numrin 1268 dhe po gjykohet nga gjyqtarja Besjan Garxenaj.

Ndërkohë baza ligjore është shkelja e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë Neni 3; 15 paragrafi 1; 17,Konventa Europiane per të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore të Njeriut (Neni 10), Kodi Civil i Republikes Se Shqiperise (Neni 608; 609 e në vijim, 625 paragrafi "a"; 640 , Kodi i Procedures Civile i Republikes se Shqiperise (Neni 31, 32 paragrafi "a"; 34; 48; 154; 161, e në vijim.

Reagimi i Koplikut në “Facebook”
Ndërkohë në një status në FB Bashkim Kopliku shkruan se …“Pasnesër, më 10.05.2017, ora 10:30, në Gjykatën e Rrethit Durrës, me gjykatëse znj. Besjana Garxenaj, zhvillohet procesi gjyqësor me paditës presidentin Bujar Nishani, dhe të paditur opinionistin Bashkim Kopliku (ish-zëvendës kryeministër në periudhën 1992-1994), pra unë. Presidenti i Republikës synon të më dënojë me 100 000 lekë gjobë, për shkrimin tim me titull “Zoti president, heshtja është faj, kur ushqen gënjeshtrën”. Shkrimi është botuar nga gazeta Bulevard Durrës, që më 21.02.2017. Sa po ngjet, është një cenim i lirisë së shtypit në Shqipëri, por edhe një goditje indirekt për secilin nga ju, si botues të Shkrimit. Nuk di ta ketë bërë një padi kaq absurde ndonjë president a politikan, që nga viti 1991 e deri sot…”, shprehet Kopliku.

Shkrimi i Bashkim Koplikut 
Zonja Edith Haxhi, ish-zëvëndësministrja e jashtme e Sali Berishes, ajo që u pat bërë e njohur si qeveritarja shqiptare që kishte bërë “studime” ku shante e denigronte rëndë miqtë e shqiptarëve, amerikanët, sapo tha në televizionin ABC, datë 20.02.2017, rreth orës 18:45, pasaktësinë tjetër të radhës: Presidenti aktual Nishani, pavarësisht se ai personalisht mund dhe të ketë qenë enverist i thekur, por ai qenkësh bir i një familje tejet antikomuniste, të persekutuar e të shpronësuar skajshëm nga regjimi komunist…

Është detyrë patriotike, qytetare, demokratike e morale, që po qe se ajo zonja vertetë gënjeu, mos ta lënë pa përgjigje shqiptarët, sidomos durrsakët që e kanë njohur këtë presidentin aktual që kur lindi dhe që kur ishte adoleshent, si dhe familjen e tij që në vitet e para pas luftës së dytë botërore?! Nuk duhet të bëhen shqiptarët e ndershëm, bashkëfajtorë me falsifikimet e historisë, duke heshtur, kur hidhet në publik gënjeshtra kaq të paskrupullta?!

Nuk ka rëndësi të madhe se përse pati guximin, apo mbase injorancën e mendjelehtësinë, zonja që foli; ka shumë rëndësi që të demaskohen po publikisht ato që tha ajo, duke thënë të vërtetat. Vetë Nishani, ky që sot mban postin e presidentit, do të duhej të hapte publikisht dosjen e familjes së tij, para se të kërkojë hapjen e dosjeve të të tjerëve.

Nuk duhet të lejohet që ai, presidenti aktual, të dalë me familje të persekutuar nga komunizmi, ndërkohë që faktet janë të kundërta, e të njohura gjerësisht: tregohen, që prej dhjetra vitesh (unë personalisht i kam dëgjuar nga ju lexues, që nga viti 1970) bëmat në mbështetje të shtypjes komuniste të popullit, të kryera nga etërit e kësaj familjeje superkomuniste. Apo i keni shpifur kësaj “familjeje të gjorë”! Shkruani si është e vërteta.

nishani kopliku

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki