Emigrantët shqiptarë të cilët ndodhen në Londër të Britanisë së Madhe, kanë paralajmëruar një tjetër protestë në orën 10:30 të datës 19 dhjetor. Njoftimi për protestën është bërë pas publikimit të lajmeve për zhdukjen e 39 fëmijëve shqiptarë brenda një viti. 

“Në një muaj janë zhdukur 39 fëmijë shqiptarë vetëm në Kent. Ftojmë shqiptarët të mbrojmë familjet tona dhe të mos pranojmë poshtërimin nga Rishi dhe Suella”-thuhet në njoftimin e bërë.

Në foton e publikuar në rrjetet sociale, mësohet se protesta do të mbahet para institucionit të ‘Home Office’.

Kjo është protesta e dytë që pritet të mbahet nga emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe pas asaj të mbajtur në 12 nëntor ku mijëra prej tyre u mblodhën në Londër për të kërkuar dorëheqjen e ministres së Brendshme Britanike, Suella Braverman e cila i konsidceroi si ‘kriminelë’.

Njoftimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Britania po tenton të ndjekë një politikë të re për azilkërkuesit, duke krijuar një listë të bardhë për vendet të cilat konsiderohen të sigurta, në këtë formë kërkesat e azilkërkuesve konsiderohen të pabaza. Tema e shqiptarëve në Britani të Madhe është tepër e lakuar duke kujtuar këtu debatin që ka përfshirë vendin mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka nëpërmjet kanalit të ‘La Manshit’.