'Kristo Frashëri', familjarët: Do të
botojmë dorëshkrime të panjohura

'Kristo Frashëri', familjarët: Do të<br />botojmë dorëshkrime të panjohura
Bëhet një vit që akademiku Kristo Frashëri është larguar nga jeta.

Ndihet heshtja e rëndë që ka lënë pas historianin e polemistin e shquar. Njëvjetori i ndarjes nga jeta do të kujtohet në shtëpinë e tij të thjeshtë, në atë që fëmijët e quajnë faltoren e tij. Në orën 10.00 të paradites do të nisin homazhet. Është shtëpia ku akademiku Kristo Frashëri ka jetuar në 30 vjetët e fundit të jetës së tij, apartamenti ku jetoi familja dhe u frymëzuan e “lindën” kaq shumë vepra.

Për njëvjetorin e ndarjes nga jeta të akademikut të shquar, fëmijët e tij kanë lënë “të gjalla” gjurmët ku ai punoi deri në natën e fundit të jetës, qëkurse vdiq më 31 janar të vitit 2016.

Në intervistën e dhënë për “Shqiptarja.com”, dy nga fëmijët e akademikut të shquar, profesor dr. Gjergj Frashëri dhe profesor dr. Zana Frashëri sjellin emocionet, kujtimet, dhe bashkë me to lajme surprizuese: vepra e akademikut Kristo Frashëri do të vijojë të botohet. Dorëshkrime të panjohura po presin dritën e botimit.
Kristo Frashëri, pinjoll i Frashërinjve, djali i Anastas Frashërit, patriotit që braktisi mirëqenien në Stamboll për të ardhur në atdhe për të ndihmuar rilindjen e Shqipërisë, trashëgoi nga i ati misionin atdhetar. Edhe Kristoja vijoi të përmbushte amanetin e rilindësve me vepra. Kështu jeta dhe vepra e akademikut u lidh pazgjishmërisht me misionin, kulturën dhe traditën e Frashërllinjve rilindës. Njësoj si paraardhësit pena e tij nuk rreshti së shkruari deri në ditën e fundit.

Le të ndjekim këtë rrëfim të veçantë të dy prej fëmijëve të akademik Kristo Frashërit, Gjergjit dhe Zanës, të cilët kanë ndjekur rrugën e tij në fushën e studimeve të historisë, të trashëgimisë kulturore, të arkeologjisë, të monumenteve të kulturës, të bibliotekave, etj.
 
Biseda me prof. Dr. Gjergj Frashërin:
 
Ju jeni i biri i historianit të shquar Kristo Frashërit. Duke qenë se edhe ju vetë jeni historian i arkeologjisë, i arkitekturës dhe i historisë së ndërtimit dhe nëpërmjet profesionit tuaj si arkeolog dhe restaurator, gjejmë rastin të pyesim - si e çmoni ju rëndësinë e tij si historian i Shqipërisë?
-Për të vlerësuar kontributin e tij duhet të kemi parasysh, se historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve filloi të lëvrohet në nivelin profesional shkencor jo aq herët si letërsia e Rilindjes Kombëtare në shek. 19, por në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, madje në të vërtetë në vitet e Mbasluftës. Sipas meje historiani Kristo Frashëri është një nga themeluesit e historiografisë klasike shqiptare, pra një hedhës i këtyre themeleve prej mesit të shekullit të kaluar bashkë me historianët më të shquar klasikë të vendit si Fan Noli, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, etj. Jo vetëm kaq por historiani Kristo Frashëri është padyshim pjesëmarrës në ndërtimin e të gjithë kateve të ndërtesës së historisë së Shqipërisë dhe të historisë së shqiptarëve. E kam fjalën, se si klasik mori pjesë për ndërtimin e strategjisë strukturale të historisë sonë dhe në vlerësimin konceptual të gjithë segmenteve kohore dhe gjeografike të tyre. Kritika e kohës që e ka shoqëruar veprimtarinë e tij në rrugën dhe kohën që ka jetuar dhe punuar e ka cilësuar atë si historian i së vërtetës. Njëkohësisht ai është çmuar prej saj edhe si mësues i madh, sepse vepra e tij, për hir të qartësisë së mendimit dhe të thjeshtësisë së stilit dhe gjuhës së të shprehurit, është e kuptueshme më shumë se kushdo tjetër dhe e qartë për tërë nivelet e arsimuara të shoqërisë. Dua të them se vepra e tij është çmuar edhe për vlerën pedagogjike. Ai jetoi dhe punoi në klimën e katër regjimeve politike, thellësisht të ndryshme që ka pasur Shqipëria, por vepra e tij, e cila nuk është e vogël, ka vetëm një fill - zbulimin dhe paraqitjen shkencore të historisë nën dritën e mendimit të Rilindasve.
 
U mbush një vit që Babai juaj nuk është më. Frymëmarrja e tij shkencore megjithatë është ende e freskët. A e ndjeni mungesën e tij në familjen tuaj?
-Nëna jonë na ka mësuar ne të tre fëmijëve, si të sillemi me jetën dhe si ta përdorim atë. Babai na ka mësuar, si të punojmë për atë që ka nevojë Shqipëria, kudo qofshim-brenda apo jashtë vendit. Të dy na kanë frymëzuar për të realizuar ato që ata quanin të vlefshme për shoqërinë dhe ato që secili nga ne mundemi të bëjmë me aftësitë që ka gjithsecili. Aqherë kur babai ynë nxirrte në dritën e botimit një vepër, ai ndjehej i lehtësuar, na thoshte se e kishte përmbushur një dëshirë më shumë të Atit të tij, Anastas Frashërit (gjyshit tim). Anastasi e kishte ngarkuar Kriston e rí me detyrën për të ndriçuar historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Këtë babai e përsëriste drekave familjare çdo të djelë me një kreshendo zëri, sikur do ta dëgjonin të dy prindërit e tij, se po i përmbushte njëra pas tjetrës detyrat që u kishte premtuar atyre prej së gjalli. Në këtë skenë familjare e ndjej unë mungesën e tim Eti. Besoj se në këtë mënyrë e ndjejnë mungesën e tij edhe dy motrat e mija, Zana dhe Arbana. Por ne flasin me Atë gjithë kohën dhe e pyesim. Ai na përgjigjet. Mungesën e tim Eti nuk e ndjej vetëm në një çast, atëherë kur përfundoj një punë të mirë që besoj se do të jetë e vlefshme për të tjerët.
 
A ka vepra te tjera që pritet të botohen pas largimit nga jeta te akademikut Kristo Frashëri?
-Ka shumë. Ka edhe dorëshkrime që nuk i takojnë së sotmes. Tashmë janë të vlefshme njëherazi për t’u botuar tre monografi - “Jeta e vepra e Sami Frashërit (programator dhe strateg i të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve)” të cilën Prof. Kristo e ka mbrojtur më 1952 si diplomë universitare. E dyta është “Sinteza për Luftën Nacionalçlirimtare” për të cilën ai i ka vënë në dukje me tërë ndershmërinë e tij - djersën e merituar historike të popullit tonë në këtë segment kohor. E treta ka të bëjë me një “Studim përgjithësues për qëndrimin e historianit dhe ndershmërinë profesionale të tij”, e cila është sot shumë aktuale dhe kritike për edukimin e brezit të ri të historianëve të këtij vendi.
 
Përveç veprave historike ai është shquar edhe në veprimtarinë publicistike dhe kritike. Ka lënë gjurmë të pabotuara në këtë drejtim?
-Njeriu i letrave Kristo Frashëri ka shkruar dhe ka komunikuar direkt në mbledhjet brizante politike të kohës së diktaturës mbi vlerësimet dhe kritikën e tij të dhjetëra e qindrave veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, që prej vitit 1945 e deri në fillim të vitit 2016. Janë tre vëllime të mëdha me recensione, kritika, vëzhgime, vlerësime profesionale të shumë e shumë veprave të autorëve të ndryshëm, si vepra të mirëfillta shkencore të pabotuara, ndaj veprave artistike të dekadave të Diktaturës, ndaj filmave dokumentare dhe artistike, ndaj vepra letrare pa vlerë, atyre të dështuara, por edhe ndaj veprave fillimisht të skualifikuara nga politika censura e regjimit, të cilat nga vlerësimi apo kritika i Prof. Kristos arritën të klasifikoheshin të vlefshme dhe të botoheshin. Personalisht e çmoj shumë penën e babait tim në këtë lëmë, sepse këto recensione i kanë dhënë jetë veprave të klasifikuara të vdekura nga censura. Ato shërbejnë sot si busull e zhvillimit të kulturës dhe historisë shqiptare përmes furtunave politike mediokre të pushtetit.
 
Cilën prej veprave të tij akademiku Frashëri e quante më të rëndësishme ?
-Amaneti i veçantë që babai ka na ka lënë ne fëmijëve për të ardhmen në lidhje me botimet e veprave të tij, është ajo mbi “Skënderbeun”. Me konfirmimin tij testamentar që na ka lënë në tre fëmijëve të tij, kemi në dorë variantin e plotësuar në vitet 2013-2015 të kësaj vepre monografike, të shoqëruar me 9 vëllime me dokumente. Këto 10 vëllime priten të përkthehen nga një penë e mirë dhe e ndershme dhe të botohen në gjuhën angleze, gjermane, franceze, italiane dhe rusishte. Babai ynë dhe né fëmijët e tij jemi të bindur, se vepra e tij mbi Skënderbeun është vepra më e mirë e shkruar nga një historian shqiptar deri më sot. Së dyti mendojmë, se ka një rëndësi të madhe që vlera e veprës së popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut në shek. 15, do të çmohet shumë më tepër se deri më sot dhe do të zërë vendin e merituar në historinë albanologjike botërore. Vepra mbi Skënderbeun e realizuar mbi këtë koncept do t’i zgjojë të gjithë. Bota përreth do të mësojë më në fund, se elita intelektuale shqiptare dhe institucionet më të larta shtetërore shkencore shqiptare janë zgjuar, janë bërë të ndërgjegjshëm për vlerat e kësaj vepre të popullit shqiptar në zbatim të ideve të Renesancës në shek. 15 në mbrojtje të qytetërimit evropian.
 
 
Kohët e fundit kam dëgjuar se fëmijët e akademikut Kristo Frashëru kanë krijuar një njësi muzeale dhe një arkivë me dorëshkrime dhe vepra të pabotuara të tij?
-Akademiku Kristo Frashëri në 30 vjetët e fundit ka jetuar në një apartament me një dhomë ndenjjeje (pune) dhe dy dhoma të tjera dhe një kuzhinë, në Tiranë. Apartamenti ndodhet në katin e parë të një pallati të ndërtuar në vitet 70’ të shekullit të kaluar. Qëkurse ai vdiq më 31 Janar 2016, apartamenti është “ngrirë” në gjendjen që ishte në natën e fundit të jetës dhe të punës derisa ishte babai ynë. Gjithçka në atë apartament ka mbetur në gjendjen që e njohin të gjithë qytetarët që e vizitonin atë. Ky apartament është kthyer sot prej nesh në një muze privat të familjes tonë. Apartamenti është Faltorja e familjes tonë, e familjes Frashëri. Ajo nuk i takon asnjë prej feve të mëdha. Ajo nuk është as katolike, as ortodokse, as myslimane, as bektashiane, as protestane, as budiste, as judiste, asnjë prej tyre. Ajo është tempulli fetar (faltorja) e një familjeje të SHQIPTARISË. Në atë apartament faltore kanë hyrë me mijëra njerëz të paktën në 30 vjetët e fundit nga të gjitha besimet fetare dhe nga të gjitha racat dhe krahinat e botës. Gjithkush ka ikur duke marrë me vete një dhuratë – qetësinë dhe dakortësinë shpirtërore nga Prof. Kristo Frashëri, duke marrë me vete kthjelltësinë e besimit dhe përgjigjen e dyshimit që vuanin më parë.
Por çfarë marrim né fëmijët e tij kur hyjmë në atë faltore të Shqiptarisë? Marrim bekimin e një njeriu të ndershëm të sprovuar që jetoi gati njëqind vjet, marrim bekimin e një personaliteti të shquar të historisë se kulturës kombëtare shqiptare, marrim bekimin e një albanologu të shekullit 21, të një intelektuali shqiptar në mbrojtje të së vërtetës historike, të një shkencëtari në shërbim të kombit shqiptar. Kjo është faltorja, ku ne fëmijët e tij marrim fuqinë dhe shpirtin e shenjtë për të bindur dhe motivuar fëmijët, nipërit dhe mbesat tona për mbijetesën e përjetshme të ekzistencës sonë kombëtare. Kjo është për né faltorja e Shqiptarisë së sotme, e fytyrës sonë në tavolinën europiane.
 
Flet e bija e Kristo Frashërit, Prof. Dr.Zana Frashëri-Lito

“Babai im s’u influencua, madje ka humbur edhe favore politike”
 
.....
Ju jeni historiane, keni të njëjtin profesion me babain tuaj. Babai juaj ka qenë një etalon i studimit të mirëfilltë te historisë, ku ka shpërfillur edhe doktrinimin e saj ne kohen e diktaturës. Ka qene e lehte për ju te ndiqni gjurmët e babait ne fushën e studimeve historike dhe shkencore?
-Edhe unë jam historiane e formuar ne Universitetin e Shqipërisë dhe e kualifikuar më tej në universitetet e Turqisë, Greqisë dhe SHBA-së, ku punoj aktualisht si profesore në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, Departamenti Shkencave Humanitare.
Në ambientin familjar jam rritur me kujdesin e babait për t’u formuar si historiane per te kontribuar ne zbulimin e historisë së Shqipërisë. Për këtë im atë ka qenë udhërrëfyesi dhe pedagogu që me ka dhënë themelin e formimit tim, si ne koncept ashtu edhe ne metodologji. Gjatë përvojës time profesionale tashmë më se 40 vjeçare e kam ndjerë gjithmonë nevojën dhe kam diskutuar pa pushim me tim Atë, koncepte dhe interpretime të ndryshme historiografike. Dëshiroj të them se edhe tani që profesori nuk është më,vazhdoj bisedat me atë, madje marr edhe përgjigje prej tij.
 
Cila ka qene këshilla me e vyer e babait tuaj për ju ne fushën e studimeve shkencore?
-Profesor Kristo, siç e thërrisja unë vazhdimisht, me ka kultivuar të vërtetën historike dhe ndershmërinë e ushtrimit të profesionit. Unë kam pare tek im atë, se si ai nuk ka qene asnjëherë i influencuar nga rrethanat politike të çastit, madje për këtë shpesh ka humbur edhe favore politike, financiare dhe privilegje te ndryshme nga shteti, për hir te ruajtjes së integritetit të tij profesional dhe figurës shembullore qytetare. Por në të njëjtën kohë, ai i ka lënë shoqërisë shqiptare shembullin e një intelektuali të rrallë për ndershmërinë profesionale, saktësinë faktologjike dhe dokumentare në shërbim të historisë së Shqipërisë. Unë nuk e di se sa e kam arritur deri më sot kërkesat e tij edukative profesionale, por babai dhe njëkohësisht profesori im ka qenë dhe vazhdon të mbetet për mua një busull që më udhëheq. Dua të shtoj se këtë cilësi e kemi përvetësuar né të tre fëmijët e tij, kudo që jetojmë dhe punojmë.

Cilat janë kujtimet me te bukura qe keni me babanë tuaj?
-Midis shumë kujtimeve që kam, një nga më të bukurat për mua si vajza e tij është momenti kur një vepër e tij botohej dhe ai ndante me ne gëzimin e momentit. Ai e mbante atë para syve tanë sikur të ishte fëmija e re në familjen tonë. Dhe ne natyrisht gëzonim së bashku me atë.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Dëshmia e rrallë e vajzës së poetit të persekutuar: Im at shkrimin e dërgoi te ‘Zëri i Popullit’, por Todi Lubonja s’e botoi dhe e çoi ‘lart’ dhe pas gjyqit, kolegu i babait vrau veten…

Dëshmia e rrallë e vajzës së poetit të persekutuar: Im at shkrimin e dërgoi te ‘Zëri i Popullit’, por Todi Lubonja s’e botoi dhe e çoi ‘lart’ dhe pas gjyqit, kolegu i babait vrau veten…