'Rrëzohet' Nishani/ Skema e re për
kompensimin financiar të pronave 

'Rrëzohet' Nishani/ Skema e re për<br />kompensimin financiar të pronave 
TIRANE- Ngelet në fuqi formula e miratuar në fund të 2015-ës për kthimin dhe kompensimin e pronave. Komisioni i Ligjeve rrëzoi dje Dekretin e Presidentit i cili riktheu për shqyrtim ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Ledina Mandia, përfaqësuese e institucionit të Presidencës bëri një analizë të dekretit të Presidentit, duke theksuar se kthimi i ligjit për rishqyrtim, është i mbështetur mbi interesin publik. “Vihet re që nga vitit 2013, komiteti i ministrave priste që të kishte një vendim përfundimtar, të vendimeve administrative dhe gjyqësore dhe një faturë financiare, e cila duhet të paguhej përfundimisht nga shteti shqiptar.

Dhe mbi bazën e kësaj, qeveria shqiptare duhet të tregonte modelin se si do të realizohet kompensimi i pronarëve. Në fakt ka ndodhur diçka që nuk është e pëlqyeshme, pasi nuk është realizuar pritshmëria që pritej nga ana e Komitetit të Ministrave, sepse në fakt nuk ka një vendim përfundimtar real të vendimeve administrative dhe gjyqësore dhe nuk ka një faturë financiare referuar dhe hartës së vlerës e cila edhe sot është e kontestuar edhe nga ana e Gjykatës Evropiane referuar edhe rastit më të fundit, Sharra kundër Shqipërisë”,- theksoi Mandia.

Zëvendësministri i Drejtësisë tha se ligji i përmbush të gjitha kriteret që kërkohen edhe nga vendimi pilot i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Ne si qeveri nuk është se kemi ndryshuar mendim ose qëndrim, përsa i përket qasjes tonë në për zgjidhje në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Doja të thoshaa se pretendimet që fatura nuk ekziston, apo harta nuk ekziston, apo metodologjia nuk ekziston, janë të pavend,  sepse ne e kemi një faturë të saktë të kompensimit, harta është në përpunim e sipër dhe me sa jam i informuar, jo më shumë se 10 muaj harta mbylljet, por ai pretendim kërkon  edhe tre vjet për tu mbyllur procesi dhe për tu futur në brazda, për mendimin tonë nuk qëndron”,- theksoi Peçi.

 Relatorja e këtij projektligji, Vasilika Hysi argumentoi se pse dekreti duhet rrëzuar, duke e cilësuar Presidentin si subjektiv dhe të njëanshëm. “Shpreh keqardhje që në opinionin e Presidentit janë anashkaluar vendimet pilot të "Manushaqe Puto kundër Shqipërisë".

Me keqardhje them se presidenti është treguar subjektiv dhe i një anshëm edhe kur vlerëson punën e qeverisë. Nishani e dha veton ditën e fundit. Bazuar në gjithë faktet dhe argumentet dhe analizën e bërë që në relacion e keni shumë më të gjerë nga sa unë lexova dhe shtjellova këtu, ju ftoj që ta votojmë kundër dekretin e presidentit dhe njëkohësisht do të kërkoja nga Ministria e Drejtësisë, nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të çojnë nëse nuk e kanë çuar gjithë informacionin e plotë Komitetit të Ministrave, që Shqipëria në datë 30 të marrë atë vlerës real që ka, por edhe sugjerimet konkrete që përmirësojnë procesin e kthimit dhe zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronarëve”,- theksoi Hysi.

Në fund, pas diskutimeve, komisioni rrëzoi me 9 vota të mazhorancës dekretin, duke pasur kundra vetëm 3 të opozitës. Sot në komisionin e Ligjeve do të raportojë Jozefina Topalli e cila, nëpërmjet amendamenteve kërkon të zgjasë afatin e ligjit aktual të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Presidenca: “Ligji, sorollatje e re për pronarët”
Përfaqësuesja e Presidencës në Komisionin e Ligjeve, Ledina Mandia tha se ky ligj është një sorollatje tjetër për pronarët. ”Ky ligj nuk u përgjigjet pritshmërive legjitime të pronarëve. Kjo është një sorollatje tjetër për pronarët. Cenohet parimi i sigurisë juridike”,-tha ajo. “Duke marrë në konsideratë zhvillimin e këtij problemi prej vitesh, Gjykata Evropiane i ka kërkuar shtetit shqiptar, që të gjejë një mjet efektiv për zgjidhjen e këtij problemi. Është e vërtetë që edhe me vendimin e Manushaqe Puto, gjykata ka shprehur qartë se nuk është ajo që përcakton mjetin, por ama duhet që shteti të përcaktojë një mjet, i cili të jetë në përputhje me orientimet e kësaj gjykate. Ndërkohë, qeveria ka pas detyrën ta bënte diçka të tillë, gjë e cila është monitoruar herë pas here, përsa i përket masës së përgjithshme edhe nga ana e Komitetit të Ministrave”,-tha përfaqësuesja e presidencës.

Replika, Fino-Mediut: Ti mos fol për pronarët, ishe 8 vjet në pushtet 
Deputeti socialist Bashkim Fino ka replikuar me kolegun republikan, Fatmir Mediu. Ky i fundit kërkoi marrjen e fermave bujqësore të privatizuara për t’jua kthyer ish-pronarëve. Për fat te keq ky parlament e sheh veten shtojcë e qeverisë dhe jo kontrollues ndaj qeverisë. Falënderoj Presidentin e Republikës për analizën e detajuar. Komiteti i Ministrave ka vlerësuar angazhimin për  zgjidhjen e çështjes, jo brendinë e ligjit. Të merren fermat bujqësore që janë privatizuar e tu jepet pronarëve”-tha Mediu. “Ke qenë 8 vjet në pushtet. Jua merrje e ua jepje”-tha Fino. “Unë nuk kam votuar asnjë ligj kundër pronarëve”-ju përgjigj Mediu. “Ti nuk je korrekt me veten. Le të këmbëngulte që të zbatohej programi i qeverisë së tij. Ti s duhet të flasësh fare në këtë pikë. Mos bëj kot sikur i do shumë pronarët”,-shtoi përsëri Fino.
 
Hysi: Presidenti na nxjerr qëllimisht keq para KE
Relatorja e projektligjit të pronave, Vasilika Hysi tha se presidenti po ndikon qëllimisht negativisht në imazhin e Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës. “ Presidenti e la veton e tij për ditën e fundit. Duke na vënë kështu në pozitë të vështirë para Komunitetit të Ministrave që na kërkon në 30 janar aktet normative të zbatimit të tij. Pra me datë 30, nuk thotë Komiteti i Ministrave që parlamenti të sjell një ligj të ri. E mendon që ligji ka hyrë në fuqi dhe ka filluar zbatimi i tij dhe kjo është shumë e rëndë që qeverisja shqiptare vihet në një pozicion të vështirë thjesht me një relacion që bën dekreti i presidentit. A është dashakeqës, s’mund ta them dot. Por e gjithë kjo gjë që bëhet them që e demonton këtë proces dhe dëmton gjithë përpjekjet që janë bërë në këto dy vite”,-tha Hysi.
 
Peçi :“Harta unike gati brenda 10 muajsh”
Zëvendësministri i Drejtësisë tha se ligji i përmbush të gjitha kriteret që kërkohen edhe nga vendimi pilot i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. “Ne si qeveri nuk është se kemi ndryshuar mendim ose qëndrim, përsa i përket qasjes tonë në për zgjidhje në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Doja të thosha se pretendimet që fatura nuk ekziston, apo harta nuk ekziston, apo metodologjia nuk ekziston, janë të pavend,  sepse ne e kemi një faturë të saktë të kompensimit, harta është në përpunim e sipër dhe me sa jam i informuar, jo më shumë se 10 muaj harta mbylljet, por ai pretendim kërkon  edhe tre vjet për tu mbyllur procesi dhe për tu futur në brazda, për mendimin tonë nuk qëndron”,- theksoi Peçi.
 
Qato: “Për tre vjet mbyllim cështjet me vendim gjykate” 
Kryetarja e AKKP-së, Sonila Qato theksoi se aktualisht ekziston një faturë e plotë e kompensimit të ish-pronarëve dhe me hyrjen në fuqi të ligjit, brenda tri viteve të para do të bëhet mbyllja e procesit për vendimet e gjykatave që janë dhënë që nga vitit 1993. Krahas kësaj, Qato theksoi se Komiteti i Ministrave të KiE-s ka përshëndetur këtë ligj. “Ne kemi një faturë të qartë, që është publike prej 50 miliardë lekësh. Brenda tre viteve do të mund të mbyllet procesi për gati 11 mijë dosje që janë zbatim i vendimit të gjykatave”,-tha Qato. Ajo shtoi se vendimi i fundit i Komitetit të Ministrave të datës 9 dhjetor, ka inkurajuar shtetin shqiptar dhe qeverinë shqiptare për të vazhduar nismën e saj në raport me miratimin e ligjit më të ri për trajtimin e pronës dhe përfundimit të procesit të kompensimit.
 
Debatet në Komisionin e Ligjeve

Ledina Mandia, përfaqësuesja e Presidencës: Ligji nuk është kushtetues. Nuk ka një faturë përfundimtare. Nuk reflekton vendimet e gjykatës së Strasburgut. Është një ligj që nuk sjell faturën reale dhe numrin final të vendimeve. Nuk u përgjigjet pritshmërive legjitime të pronarëve. Nuk kemi një harte unike vlerash. Kjo është një sorrillatje tjetër për pronarët. Cenohet parimi i sigurisë juridike.

Myshit Vorpsi nga shoqata e ish pronarëve: Ky është një ligj që fut ujë. Do ta çojmë në gjykatën kushtetuese, ndaj rishikojeni tani që keni dekretin.
Zv. Ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi: Qeveria nuk ka ndryshuar mendim apo qëndrim në këtë çështje. Pretendimet se fatura dhe harta nuk ekziston janë të pabazuara. Kemi faturën ndërsa harta mbyllet brenda 10 muajve. Siguria juridike ka qenë e cenuar në këto 25 vite. Ky ligj nuk krijon pasiguri. GJEDNJ nuk na detyron, por na jep orientime. Kjo është zgjidhja më e mirë mes palëve.

Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato: Në 9 dhjetor Komiteti i Ministrave në BE ka inkurajuar vijimin e këtij plani veprimi për cëshjen e pronës. Kemi shqyrtuar dekretin e Presidentit. Harta unike dixhitale do të jetë gati brenda 10 muajve. Brenda 3 viteve 11 mijë dosje marrin zgjidhje.
Relatorja Vasilika Hysi: Shpreh keqardhje që në opinionin e Presidentit janë anashkaluar vendimet pilot të "Manushaqe Puto kundër Shqipërisë". Me keqardhje them se presidenti është treguar subjektiv dhe i një anshëm edhe kur vlerëson punën e qeverisë. Nishani e dha veton ditën e fundit. Është një zvarritje e qëllimshme për ta vënë në vështirësi Shqipërinë në 30 janar para Komitetit të Ministrave kur duhet të raportojë për procesin e pronave. Argumentet e Nishanit janë dashakeqe. Ju ftoj ta votojmë Kundër këtë dekret.

Fatmir Mediu: Për fat te keq ky parlament e sheh veten shtojcë e qeverisë dhe jo kontrollues ndaj qeverisë. AKKP na ka gënjyer duke na kërkuar votim për shtyrje afati me qëllim shqyrtim dosjesh. E vetëm këtë gjë nuk ka bërë. Falënderoj Presidentin e Republikës për analizën e detajuar. Komiteti i Ministrave ka vlerësuar angazhimin për  zgjidhjen e çështjes, jo brendinë e ligjit. Të merren fermat bujqësore që janë privatizuar e tu jepet pronarëve.
Bashkim Fino: Ke qenë 8 vjet në pushtet. Jua merrje e ua jepje.
Fatmir Mediu: Unë nuk kam votuar asnjë ligj kundër pronarëve.
Bashkim Fino: Ti nuk je korrekt me veten. Le të këmbëngulte që të zbatohej programi i qeverisë së tij. Ti s duhet të flasësh fare në këtë pikë. Mos bëj kot sikur i do shumë pronarët.
Fatmir Mediu: PR nuk ja pasur asnjëherë 50%+1 për të bërë ligjet të saja. Dy të këqija nuk bëjnë asnjëherë asnjë të mira. Ka vetëm interesa politike që kthehen në interesa korruptive.
Arben Ristani: Qeveria nuk ka vullnet për ta ri parë këtë ligj.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)      

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dita e katërt në qeli për “Babalen”, por Ervin Salianji vijon poston në Facebook nga Burgu! Telefonat dhe rrjetet sociale janë të ndaluara, si i realizon?

Dita e katërt në qeli për “Babalen”, por Ervin Salianji vijon poston në Facebook nga Burgu! Telefonat dhe rrjetet sociale janë të ndaluara, si i realizon?