Brilant, mjeshtër i komedisë dhe i pa shembull nga ana profesionale, Robin Williams, u gjend i vdekur mbrëmjen e djeshme në banesën e tij në Kaliforni. Sipas policisë dyshohet se aktori 63 vjeçar ka kryer vetëvrasje, pasi prej kohësh vuante nga depresioni dhe, siç është bërë e ditur prej dekadash nga mediat, kishte probleme me alkolin dhe drogërat.

Por ajo që vlen më shumë të përmendet në këtë ditë zie për komedinë botërore, përtej çrregullimit bipolar dhe problemeve martesore, është aftësia e këtij aktori për të rrëmbyer miliona të qeshura e lotë përmes ekranit të madh e jo vetëm. Gjeste e karaktere të arrira më së miri, me një filmografi për ta pasur zili, Robin Williams është tashmë një ikonë e komedisë dhe pse Oskarin e vetëm e ka tërhequr pas interpretimit në një film dramatik, “Good Will Hunting”.

Jo vetëm, në karrierën e tij gati 40 vjeçare aktori Williams është shquar dhe për role të interpretuara me shumë ndjeshmëri, si ai i mësuesit të letërsisë në “Dead Poets Society”, dhe ai i luajtur në “Jakob The Liar” , si mishërimi i një të internuari në getot e Polonisë së okupuar nga Nazizmi. Prova, këto te fundit, të një profesionalizmi unik dhe të një figure profesionale mëse të kompletuar. Qysh prej hapave të para së karrierës së tij të gjatë Robin Williams njihet dhe për aftësitë e tij si aktor i stand-up comedy apo i serialeve televizive, gjë që e ka ndihmuar jashtë mase në krijimin dhe orkestrimin e një mimike gati-gati hipnotizuese.

Një jetë nëpërmjet ekranit

Mork and Mindy
Robin Wiliams, dhe pse që në fëmijëri ishte i njohur për personalitetit e tij të ndrojtur dhe për vetminë që e karakterizonte, pasi studioi në Universitetin e arteve “Julliard” në New York u bë tejet i famshëm për karizmën e tij në serialin televiziv “Mork and Mindy”. Me vetëm 92 episode, nga viti 1978 deri më vitin 1982, Williams mahniti me situata komike publikun dhe imazhinarin amerikan duke luajtur rolin e një alieni të ardhur në tokë nga planeti, frut i fanta-shkencës, Ork. Roli në fjalë i siguroi një Golden Globe për serialet televizive në vitin 1979 dhe startimin e një karriere spektakolare.



Moscow on the Hudson
Interpretimin e parë në një film me metrazh të gjatë, Robin Williams e bëri në një komedi erotike me buxhet të ulët dhe të pa pëlqyer aspak nga kritika, “Can I Do it Till I Need Glasses?”.

Por suksesi në ekranin e madh të kinemasë do vinte shpejt në interpretimin që Williams bëri në “Moscow on the Hudson”, film i vitit 1984. Duke luajtur rolin e një performuesi cirku rus, arriti nominim e parë në Golden Globe për filmat me metrazh të gjatë.



Good Morning Vietnam
Golden Globin do ta rrëmbente gjithsesi pak vite më vonë me kryeveprën kinematografike “Good Morning Vietnam”. Në këtë film Williams personifikon mjeshtërisht një DJ të ushtrisë ameriakne në Saigon (Vietnam) ku mes censurës, dhunës dhe jo racionalitetit të luftës shfaq imazhin tragjikomik të konfliktit të brendshëm moral të një individi, ndërsa tenton të ruajë integritetin e tij. Ajo që mund të përmendet si kuriozitet por edhe si fakt për mjeshtrinë e tij është fakti se një pjesë e mirë e fjalimeve gjeniale përball mikrofonit në film janë të improvizuara nga vetë Williams.



Dead Poets Society
“Dead Poets Society”, film i Peter Weir, produksion i vitit 1984 do ti falte aktorit dhe nominimin e tij të parë për një Oskar dhe gjithashtu është vlerësuar dhe nga më cinikët apo skeptikët mbi punën e Williams. Në këtë film ai luan rolin e një mësuesi idealist së gjuhës angleze në një kolegj elitar djemsh, duke nxjerrë në pah dhe anën e tij më të ndjeshme në interpretim.



Hook
Viti 1991 do ta gjej Robin Williams në rolin e Piter Panit krahë për hrahë me Dustin Hoffman në filmin “Hook”, me regji të Steven Spielberg. Dhe pse regjizori vetë dhe kritika do ta “ngelnin”, ky film do ta afirmonte aktorin në zhanrin e filmave për familjen. Duke luajtur rolin e një avokati që detyrohet të përfshihet në botën e Piter Panit, për të shpëtuar dy fëmijët e tij, Williams, në këtë film personifikon mjeshtërisht magjinë e përfshirjes të të rriturve në botën e përrallave fëminore.



Mrs Doubtfire
Askush nuk mund ta harrojë rolin dhe suksesin e Williams në “Mrs. Doubtfire”. Si një nga filmat më të preferuar të fansave të aktorit, ky film i prodhuar në vitin 1993 pati shumë sukses në kinematë botërore por që për fitime monetare u mund vetëm nga Jurassic Park i Spielberg. Në “Mrs. Doubtfire” Williams gërsheton mjeshtrinë e tij në zhanrin slapstick dhe ndjeshmërinë e tij të lindur ndaj personazheve dhe perkursit të tyre. Në rolin e një babai që i duhet të maskohet si një kujdestare skoceze dhe e vjetër në moshë vetëm e vetëm që të qëndrojë më pranë fëmijëve të tij, Williams përmbys keqazi klishetë për ti dhënë një vend dashurisë atërore në sofrat familjare të të gjithë botës. Gjë që bën dhe në filmin “The Bridcage” ku homoseksualiteti , i shfaqur me ngjyra komike, batuta gjeniale dhe vallëzime, nuk perëndon apo zhvlerson aspak vlerat dhe moralin prindëror.



Good Will Hunting
Pas sukseseve komerciale me “Jumanji” (1995) dhe “Flubber” (1997), Robin Williams tërheq Oskarin e tij të parë në kryeveprën dhe në filmin kult të Gus Van Sant “Good Will Hunting”, produksion i vitit 1997. Në rolin e një mësuesi psikologjie që orvatet ti japi drejtim jetës së një student të tij gjenial por rebel, përkrah Matt Damon dhe Ben Afleck, Williams i’u rikthye dhe një herë me sukses aftësive të tij mahnitse në dramë. 



Patch Adams 
“Patch Adams” film i vitit 1998, me regji të Tom Shadyac, i bazuar dhe në një histori të vërtetë, është një nga filmat më të pa pëlqyer nga kritika kinematografike por mbetet një nga më të vlerësuarit nga publiku i gjërë. Williams në këtë film “luan në shtëpinë e tij” duke personifikuar Hunter Adams, personazh i cili pasi kalon një gjëndje të rëndë psikologjike të tijën dhe pasi kupton që me humorin e tij mund ti japë shtysë shumë njerëzve të sëmurë të shohin përtej sëmundjes, vendos të studiojë mjekësi. Kur dhe nisin peripecitë dhe notat komike gjatë orvatjes së tij për ti dhënë dinjitet figurës problematike të pacientit në institucionet shëndetësore amerikane.



Bicentennial Man
Një tjetër film ku Ëilliams lë shenjë me ndërthurjen e tij magjike të komikes dhe dramës është “Bicentennial Man” i vitit 1999, me regji të Chris Columbus. Në një botë fantastiko-shkencore të së ardhmes, Robin Williams luan rolin e një produkti të gjenialitetit njerëzor siç është teknologjia e robotikës. Këtë radhë drama e Pinokut prek dhe botën e të rriturve kur prototipi android “Andreë” hyn në një familje të pasur si shërbëtor dhe arrin më pas, gjatë një aventure plot komicitet dhe dashuri mbi qënien njerëzore, të përmbush ëndrrën prekëse për tu kthyer në një njeri “të vërtetë” vetëm pas dyqind vitesh përpjekjesh, në prag të vdekjes.