43 mijë vende pune kanë mbetur të paplotësuara në vetëm gjashtë muaj, një tregues që, sipas ekspertit të ekonomisë Ergis Sefa, nxjerr në pah problemin më të madh të tregut shqiptar të punës: mungesën e punonjësve me aftësitë që kërkon ekonomia.
I ftuar në Studio Live, Sefa e cilësoi situatën një paradoks, pasi, sipas tij, nga njëra anë bizneset nuk po gjejnë punëtorë, ndërsa nga ana tjetër shumë persona nuk po arrijnë të punësohen. Sipas Sefës, mungesa e fuqisë punëtore nuk lidhet me mungesën e njerëzve, por me mospërputhjen mes aftësive që ofron sistemi arsimor dhe atyre që kërkon tregu i punës. Ai paralajmëroi se, nëse nuk ndryshojnë politikat në arsim, ky hendek do të thellohet edhe më shumë në vitet e ardhshme.
"Nga njëra anë kemi këto dhjetëra mijëra vende pune dhe nga ana tjetër kemi shumë persona që nuk po arrijnë të gjejnë punë dhe krijohet kjo mungesë balance në treg. Arsyeja kryesore është disbalanca mes aftësive profesionale që kanë njerëzit dhe aftësive që kërkon tregu. Hendeku mes asaj që kërkohet në treg, sidomos në turizëm, industri e ndërtim, është shumë i madh me atë që po përgatit sistemi arsimor shqiptar. Nëse mendojmë se jemi keq, nuk kemi parë gjë akoma. Në të ardhmen hendeku do të thellohet, ndaj duhet ndryshuar politika arsimore. Duhet të rikthehemi te zanati. Aftësitë profesionale nuk të lënë kurrë pa punë", u shpreh ai.
Eksperti tha se problemi është krijuar ndër vite nga politikat arsimore, ndërsa zgjidhjen e sheh te forcimi i arsimit profesional. Duke marrë si shembull Gjermaninë, ai argumentoi se përgatitja e fuqisë punëtore duhet të ecë paralelisht me nevojat e ekonomisë.
"Aktualisht vetëm 15% e nxënësve janë në arsimin profesional, të tjerët janë në degët klasike. Kjo është grumbulluar ndër vite, por pika kritike po vjen dhe 2-3 dekada politika jo të duhura në arsim po japin efekt në tregun e punës. Gjermania e viteve '70 pati një fushatë 6-7-vjeçare për t'i orientuar të rinjtë drejt një karriere profesionale në bazë të kërkesave të ekonomisë gjermane. Paralelisht, qeveria ndërtoi institucionet e duhura arsimore. Industria gjermane pati boom atëherë. Nëse shkojmë drejt një ekonomie ku turizmi apo industria do të jenë shtyllat bazë, kapitalin njerëzor për industrinë e pas pesë viteve duhet ta përgatisim sot", tha eksperti.










Komente
Komento