45-vjetori i revoltës së Spaçit, Meta: Kujtesa mban gjallë kombin, të ngrihet përmendore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë pjesë në përkujtimin e 45-vjetorit të revoltës së burgut të Spaçit. Kreu i shtetit tha se në këtë 45-vjetor të një prej kryengritjeve më të mëdha gjatë viteve të regjimit komunist, në Spaç duhet të ngrihet një përmendore. Meta e vuri theksin gjithashtu edhe te dëmshpërblimet e ish të përndjekurve politik.

Sipas Metës, e kaluara duhet të trajtohet me transparencë dhe drejtësi.

Jemi sot këtu në rrënojat e teatrit më të përgjakur të krimeve të diktaturës për të afruar nga afër historinë e një qëndresë të pazakontë dhe për t’u takuar me ju dhe familjet tuaja që keni përjetuar përndjekjet e një diktature nga më të egrat në botë.

Spaçi sikurse gjithë burgjet dhe kampet e diktaturës ka gjurmët një persekucioni të pamëshirshëm por edhe të një qëndrese që na bën krenarë si popull.

Akti vetëmohues i martirëve të demokracisë si Hajro Pashai, Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja dhe gjithë kryengritësve të revoltës  së Spaçit ishte shkreptima që ndriçoi në errësirën e kohës egërsinë dhe të vërtetën e hidhur të shtetit totalitar.

Prandaj përballja me të shkuarën dhe çlirimi i shoqërisë nga makthi i krimeve të diktaturës ngelet prioritet serioz për gjithë politikën dhe shoqërinë tonë Përvoja botërore na mëson se tragjeditë e të kaluarës nëse harrohen janë të destinuara të rikthehen në një formë ose në një mënyrë tjetër. Kështu zbehja e kujtesës historike krijon premisa për tendenca totalitarizmi, por edhe të ksenfobisë, racizmit, ekstremizmit, krimit dhe përjashtimit.

Trajtimi me objektivitet dhe paanshmëri të të vërtetave historike merr një rëndësi të veçantë. Ne jemi një komb europian dhe historia jonë nuk mund të trajtohet jashtë perspektivës europiane të Shqipërisë. Vetë integrimi Europian është krijuar dhe ka në themel një aleancë kundër tmerreve të kaluara të diktaturës fashiste dhe komuniste. Ky projekt vazhdon!

Në këtë këndvështrim vendi ynë duhet të vazhdojë trajtimin e të kaluarës me transparencë dhe drejtësi për rehabilitimin,  integrimin dhe dëmshpërblimin e shtresës së të përndjekurve politikë. Disidenca shqiptare meriton të kujtohet dhe të shkruhet dhe plotësohet e  gjithë historia e saj.

Ngritja e një përmendoreje në kujtim të disidencës, viktimave të pafajshme të diktaturës, vuajtjeve të tyre është një detyrimi i shoqërisë ashtu sikurse është obligim gjetja dhe nderimi i eshtrave të të vrarëve. 

Ilir Meta, president i Republikës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:58
Romana Vlahutin: Absurdi, në Shqipëri dënoheshe pse këndoje Çelentanon

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë Romana Vlahutin merrte pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e përkujtimit të 45-vjetorit të revoltës së Spaçit.

Për të folur rreth absurditeteve të komunizmit, ajo kujtoi se të rinjtë mund të dënoheshin vetëm se këndonin këngët e Adriano Çelentanos. Ajo tha se shqiptarët u persekutuan vetëm se donin që vendi i tyre të ishte si gjithë Evropa.

Është e vështirë, thuajse e pamundur të mendosh që në Evropën e cila ka shkuar në hënë, ka shpikur internetin, ka biometrinë, zemrën artificiale,  4 dekada më parë një djalosh i ri mund të dënohej vetëm sepse i kishte rënë kitarës për të kënduar këngët e Adriano Celentanos.

Shqiptarët u persekutuan sepse donin të ishin poetë, mendimtarë, piktorë dhe studiues, donin të ishin si pjesa tjetër e Europës. Është e vështirë të mendohet që tragjeditë që kanë ndodhur në Spaç apo në mbarë Shqipërinë është një tragjedi që ta tregojmë si histori dhe ta shërojmë.

Jam e përuluar para detyrave që kemi për të respektuar të shkuarën dhe e ardhmja të jetë më e ndershme. Për të ruajtur Spaçin si një vend kujtese në mënyrë që fëmijët tanë t’i mësojnë fëmijëve të tyre për atë se çfarë ka ndodhur këtu.

BE ka nisur një projekt që është identifikimi i ADN të personave të vrarë. Kemi  nisur në zonën e Dajtit dhe kjo do të bëhet në mënyrë që që  familjet të fillojnë të identifikojnë të dashurit e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Romana Vlahutin, ambasadore e BE

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë