5 'thërrimet' e pensionistëve dhe 4 hidrocentralet elektoralë në 2013!

5 'thërrimet' e pensionistëve dhe 4 hidrocentralet elektoralë në 2013!

Foto ilustruese

Mesdita e tretë e javës së fundit të marsit u mbars e polli zëra të zgjatur e gumëzhitës në zemër të metropolit. Disa OJQ, liderë e kalanderë politikë në opozitë dhe ndonjë analist fanatik në “pritë”, u shfaqën në publik duke kërkuar gjilpërën në kashtë rreth deklarimit të Kryeministrit se Qeveria kishte vendosur t’u jepte pensionistëve 5 mijë lekë shtesë (bonus) muajin e ardhshëm. Ndonjëri fërkoi duart dhe vrapoi për ta pagëzuar “lëmoshë elektorale”, “akt politik", "abuzim me fondet publike” ose “nëse vjen nga rritja e deficitit është një borxh që u lëmë brezave të ardhshëm”, “po shkelet haptas Kodi Zgjedhor “ etj.

Mirëpo, mëhallalinjtë e mi pensionistë te Bërryli, i shkelnin syrin njeri-tjetrit dhe filluan të derdhin jo pa humor e qesëndi mendimet e tyre kritike për këta gojështhurur e barkngopur që gjoja nuk i zë gjumi për Ligjet e për shtresat në nevojë. Arritën deri aty sa bënin pyetje therëse e të drejtpërdrejta, pa kokërr lajthie në gojë: Përse nuk ia mbushën mendjen Ramës e Qeverisë, që këto 5 thërrime t’i etiketonin si dhurata “për Ramazan e Bajram” ose “për Pashkë” dhe t’u mbyllej goja “opozitarëve” qaramanë e mediave namusqare ? Këto të fundit, para çdo Viti të Ri, çuditërisht shkruajnë e flasin gati përditë për të njëjtën shifër të rrumbullakosur e të mbështjellë mirë dhe e shesin me daulle brenda e jashtë Shqipërisë. Aq tepër e fryjnë me dashje e pa dashje dhe sikur është bërë nami, sa që tek njerëzit e ndershëm e dinjitozë të moshës së bardhë, herë-herë kthehet në boomerang e gati në fyerje të personalitetit.

Më tej: Përse vallë ndonjë “kompetent” në Polit(h)ikë a në Financa, e pagëzon “lëmoshë”? Mbajmë mend që në monizëm na thuhej hapur me gojë e me shkrim se ato janë “para, ushqime e sende të ndryshme, që u jepen për mëshirë një lypësi, një të varfri a një të papuni në vendet kapitaliste e revizioniste”(?!). Dhe akoma më tutje, lëmoshat përcaktoheshin si “grurë i zier, meshë dhe ushqime të tjera, të cilat u ndaheshin të varfërve në raste përshpirtjesh”! Pra, gjetkë daullja e gjetkë dasma…

Por pensionistët nuk harrojnë të thumbojnë edhe ndonjë OJQ buzëlarë, që tundin e shkundin vulat, zyrat dhe statistikat e fryra e të shfryra sipas oreksit dhe vetëm e vetëm të nxihet vendi në sytë e ndërkombëtarëve. Ja pyetja e tyre rrufe: Që të mos blihemi për 5 thërrime nga Qeveritë, përse këtyre “joqeveritarëve” u dridhet dora e zemra dhe nuk e hapin asnjëherë thesin e donacioneve të ardhura nga Evropa e Perëndimi?

Sepse kanë mbi tre dekada që vjelin e vjelin për hallet e popullit fukara! Madje ka prej tyre që tashmë rrojnë e mbretërojnë nëpër vila dhe i vëzhgojnë me dylbi të këputurit ekonomikisht në fshatra e qytete. Dhe na shesin parime e moral me okë. Apo vazhdojnë t’i besojnë urtësisë së moçme, për të tjerët jo për veten: Më mirë një kokërr me djersë se një thes me lëmoshë ?! Sepse shumë pensionistë në tërë vendin nuk e kanë gjetur ende “mesin e artë”, as andej, as këtej, pa përfituar nga të dy krahët…

Llafollogët e gjithollogët parallinj e hipokritë sipërorë nëpër ekrane e faqe gazetash, për të na e mbushur kokën plot se janë “opozitarë të përjetshëm”, vazhdojnë në të njëtën udhë shërbimi, tërbimi e shpërblimi. Bashkë me ca liderë që nganjëherë tregohen të “dhembshur” e të “pikëlluar” për shtresat vërtet në nevojë ! Vecse mëhallalinjtë e mi flokëbardhë e mendimebardhë, të mërkurën që kaloi, lexonin me zë Nenin 4 të Kodit Zgjedhor ku thuhet qartë e saktë për ndalimin e bonuseve e pagave “4 muaj para zgjedhjeve politike”(të Qeverisë së Re). Dhe i dhanë karar me atë pyetjen plot spec: Ish pushtetarët e vjetër e të rinj, përse nuk kërkojnë “gjilpërën” rreth mullarit të tyre të korrupsionit sa një mal ? Apo drapri tërheq nga vetja…

 

 

Fjala vjen, gjitonja jonë Myrvete, motra e aktorit të njohur durrsak Muharrem Hoxha(me origjinë denbabaden nga Dibra e Peja), paska lindur në Ulzë, kur babai i saj Irfan ndërtonte bashkë me shokët Hidrocentralin mbi lumin Mat. E pastaj mbi lumin Bistricë në Sarandë, ku një ditë… i hodhën pabesisht e poshtërsisht prangat “për agjitacion e propagandë” ! Por  Myrveti, vajza e vetme, paska lindur fiks në datën e “heqjes së triskave” kur njerëzia po shpëtonte nga marrja e frymës, në 1957 ! Humori i saj me vëlla Rremën, nuk shteron. Vecse ikja e beftë e bashkëshortes së tij të mrekullueshme, për pak ia vrau edhe satirën e sidomos sarkazmën.

Tre muaj më parë folëm gjatë me regjisorin legjendë të Estradës Profesioniste në qytetin bregdetar(mik i dajos tim dhe i peshtanakëve të Durrësit), të talentuarin Haxhi Rama…Dhe pensionistët e mençur hedhin edhe romuze. Mjaft prej tyre, vërtet “janë rritur me thërrime”, por Shqipërisë i falën gjithçka, djersë e mundime të pamata, atje “ku kishte nevojë Atdheu”. Dhe sot janë rreshtuar te “shtresat në nevojë” ! Pardje pyetën gati njëzëri e jo pa irritim : Përse harrojnë kaq shpejt vitin 2013 (Maj) këta soj politikanë e ish pushtetarë të “përgjëruar” për Kodin Zgjedhor, të cilët ia shitën një firme të huaj “Marksin”, “Engelsin”, “Leninin” e “Stalinin”(emrat e Hidrocentraleve), të gjithë në gjendje pune ? A do na shkoqitë dicka Doktori sot pas 10 viteve ?...Sepse shteti ynë do vazhdojë të paguajë deri 31 dhjetor 2044 (?!). Nga ajo shitje tepër e dyshimtë dhe plotësisht elektorale, na thoni sa qindarka fituan të shkretët pensionistë të Shqipërisë nga ata hidrocentrale ?

Duke mbyllur këto shënime, kujtuam edhe “shejtan budallain” e zgjuar zagorit, vjershëtorin origjinal e të papërsëritshëm që “nuk pati kritik që t’i pohonte apo t’i mohonte partishmërinë” e kohës. Kico Th. Spiri (Këthja), “ua ngatërron letrat të gjithëve, ua bën lëmsh llogaritë e pandehmat : kundërshtarët i druhen, aleatët nuk i zënë besë dhe nuk dinë c’të bëjnë me të, ta përgëzojnë apo ta injorojnë (gjersa më në fund kandisën dhe urdhëruan “të mos kërrente më vjersha”)…Përshembull, për 4 Hidrocentralet që u kullandrisën dhe u shitën  nga pushtpushtetarët e Doktorit në maj 2013 (vigjilje e zgjedhjeve politike), le të dëgjojmë 14 vargjet me zarar të Kico Spirit. “Sepse nuk ka burrë nëne ta ndajë mendjen : ka qesëndi apo adhurim. Nuk ka ende studiues të përcaktojë se ku fillon adhurimi dhe ku mbaron qesëndia…”.

Hidrocentralin kur e pashë

Në Ulzë, plot goja thashë:

Marksi brenda

Mjekra jashtë!

Dhe ky shoku në Shkopet

Engelsit shumë i ngjet !

Në Selitë sa ma ka ënda,

Sikur shoh Leninin brenda!

Në Bistricë seç u çmalla,

O Stalin, të lumtë palla!

U ndez drita, më nuk prita,

Nëpër ujë c’u vërvita

Dhe përqafova, m’u duk,

Stalinin me gjithë çibuk!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja