5 të plagosur dhe 5 të arrestuar për plagosje me thikë, leva e armë në lokal dhe në mes të spitalit...mister motivet

FIER - Një konflikt mes dy familjeve, në një lokal në Levan të Fierit, la pesë persona të plagosur nga të dyja palët.  Sherri i nisur në lokal mbrëmjen e të shtunës me sende të forta dhe thika, përfundoi në një skenë edhe më të përgjakshme në Urgjencën e Spitalit të Fierit, aty ku u transportuan të plagosurit me sende të forta nga sherri në lokal. Daniel Braçe 21 vjeç, që po shoqëronte në spital dy prej të afërmve të tij të dëmtuar, (Erlind Muçaj dhe Klajdi Lamaj) i mori armën nga brezi një punonjësi të policisë, dhe qëlloi ndaj një prej familjarëve të palës tjetër, Aleksandër Zhapës, duke e lënë të plagosur. Aleksandër Zhapa ndodhej në spital për të shoqëruar dy djemtë e tij, Gentjan dhe Aldi Zhapa të cilët kishin mbetur të plagosur me sende të forta në lokal në Levan. Sot, dy ditë pas ngjarjes, Aleksandër Zhapa dhe dy të plagosurit e tjerë, Erlind Muçaj dhe Klajdi Lamaj u transportuan me urgjencë në Tiranë për trajtim më të specializuar mjekësor, nën masa të forta policie.

Dy efektivë që u angazhuan për shoqërimin e të plagosurve të Levanit ndodheshin në spital për verifikimin e një aksidenti rrugor. Në kohën kur njëri prej efektivëve po shoqëronte në ashensor Gentjan Zhapajn, policit tjetrit që ndodhej në hyrje të korridorit iu mor arma nga Daniel Braçe 21 vjeç, i cili qëlloi mbi Aleksandër Zhapaj, 51 vjeç, banues në Ferras.

Pra të plagosur në total mbetën, Gentjan Zhapa dhe Aldi Zhapa (me sende të forta), Erlind Muçaj dhe Klajdi Lamaj me thikë, dhe Aleksandër Zhapaj me armën e policit.  Shtëpitë e palëve të konflikutara në ngjarje ndodhen larg njëra tjetrës, dhe lokali ka qenë pika e takimit mes tyre.

Për këtë ngjarje, ku duhet theksuar se policia është treguar mjaft e rezervuar në dhënien e informacionit dhe në zbardhjen e rrethanave dhe motivit që çoi në përleshje të dhunshme dy familje, u arrestuan 5 persona.

Kushërinjtë Daniel Braçe 21 vjeç dhe Gazmend Braçe, të dy banues në Levan që akuzohen për veprat penale "Vrasje me dashje mbetur në tentativë", "Goditje për shkak detyrës të punonjësit të rendit publik".

Ndërkohë, u arrestuan edhe anëtarët e familjes Zhapa, Aleksandër Zhapa 51 vjeç dhe djali i tij Aldi Zhapa 22 vjeç. I treti i vënë në pranga nga e njëjta palë, është një 32-vjeçar me inicialet E.K, banues në Vlorë. Të tre akuzohen për veprat penale "Vrasje me dashje mbetur në tentativë", "Mbajtje pa leje e armëve të ftoha".

Mësohet se edhe vetë Daniel Braçe ka marrë dëmtime nga konflikti në lokal, pasi është goditur me levë dhe mjete të mprehta, ndërkohë që në spital për të marrë mjekim ka shkuar edhe Eqerem Braçe, babai i Danielit. Ai nuk ka marrë goditje me sende të forta, por mësohet se është shtruar për shkak të problemeve me zemrën.

Policia e Shtetit tha në një njoftim zyrtar, se në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i një arme gjahu, dy mjeteve prerës dhe tre automjeteve, por nuk sqaroi se kujt i përkasin ato dhe se ku u gjet arma e gjahut.

Për hetimin e kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale. Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje shkuan edhe specialistët e Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e efektivëve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit. Hetimi po vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.

I vetmi motiv që policia ka dhënë zyrtarisht, është se konflikti i armatosur mes dy familjeve, nisi për "motive banale", por pa sqaruar asgjë konkretisht.

Dyshohet që palët të kenë pasur edhe një konflikt të mëparshëm mes tyre, por mbetet e paqartë nëse konflikti i fundit të ketë pasur lidhje me problemet e shkuara.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fshatarët: 02/09/2019 15:01

    Fshatarizëm prehistorik dhe psiqizëm shtazor, neandërtalizëm baj gash dhe egërsirllëk mu tash!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!