500-vjetori i Skënderbeut/ Si u ftuan në Shqipëri një grup marksist-leninist italian

500-vjetori i Skënderbeut/ Si u ftuan në Shqipëri një grup marksist-leninist italian

Udhëheqësit marksistë-leninistë

Me radiogramin numër 3716 Tirana zyrtare, konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme, i pati kërkuar ambasadorit shqiptar në Romë, Ksenofon Nushit, njërit prej intelektualëve më të spikatur të diplomacisë kombëtare, t’i dërgonte një listë me disa marksistë-leninistë italianë, të cilët do të ishin të ftuar për festimet e jubileut të 500-të të vdekjes së Skënderbeut.

Kjo ceremoni, me një urdhër dhjetë pikësh të Mehmet Shehut, kishte nisur që në ditët e para të janarit 1967 dhe do të përfundonte në 17 janar 1968, përvjetor pesë shekullor i jetëhumbjes së Gjergj Kastriotit.

Ambasadori Nushi i ktheu përgjigje dikasterit epror në 27 nëntor 1967.

Në të u raportonte se “Në bisedë me udhëheqësit e partisë m-l u caktuan personat që parashikohet të dërgohen në Shqipëri për 500-vjetorin e Skënderbeut: Gabriele Montino, Giuseppe Golea, Vincenso Rosarino, Rimoli, Lo Cuoco Alessandro, Tubiti De Paolo, Conforte Marano, Valdokino, La Bua dhe Salvadore Miniaci”.

Për aq sa kuptohet nga rreshtimi dhe citimi i emrave, plot gabime prej deshifruesit të radiogramit, të cilët njiheshin atëkohë për nivelin e ulët arsimor dhe drejtshkrimor, marksistë-leninistët e ftuar qenë 8 deri 9 individë.

Gjithsesi në një të dhënë duket, tek i zbërthenin shifrat e ardhura nga Roma, nuk kanë gabuar: personat e mësipërm janë anëtarë të Partisë Marksiste-Leniniste.

Ta fiksojmë edhe muajin e vitin: fundnëntor 1967.

E vijon mesazhin e tij të koduar Ksenofon Nushi: “Me shumicën e këtyre personave është marrë kontakt dhe kanë shprehur dëshirën për të ardhur. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë ndryshim për arsye të lejeve mbas akordimit të vizave, të cilat duhet t’i marrin nga organet e vendit”.

Më tej: “Për çdo ndryshim eventual do t’ju njoftojmë. Mundësisht na njoftoni mjetin që duhet të udhëtojë për arsye se ditët do t’i kenë të numuruara në mënyrë që të mund të siguroja edhe lejet përkatëse”-

Erdhën apo nuk erdhën?

Në tre vëllimet, ku u pasqyrua tërë Konferenca e Dytë Albanologjike për 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit (Tiranë, 14-18 janar 1968), nuk gjendet asnjë prani e ndonjë marksist-leninisti italian, çfarë nuk do të thotë se silueta të tyre mund të mos kenë qenë nëpër llozhat e skajshme të seancës kryesore, ku merrte pjesë Enver Hoxha dhe tërë Byroja Politike e kohës. Po ashtu edhe nëpër veprimtaritë zyrtare jo shkencore. Pra ata duhet të kenë ardhur, qoftë edhe pjesërisht, por verifikimi i kësaj për qëllimin e këtij shkrimi nuk është patjetër e nevojshme.

Ajo që paraqet interes për historishkrimin kombëtar janë raportet që Hoxha dhe regjimi i tij pati organizuar me grupet e huaja të quajtura marksiste-leniniste, në këtë rast me ato italiane.

Sidomos me atë të drejtuar nga Fosko Dinuçi, emrin e të cilit shqiptarët e viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë të shekullit të shkuar, e kanë shumëdëgjuar nëpërmjet radios dhe televizionit të vetëm shtetëror, po ashtu edhe nga gazetat “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, revista propagandistike shumëgjuhëshe “Shqipëria sot” (në italisht “Albania oggi”).    

Kur PK e Bashkimit Sovjetik bëri Kongresin e saj të Njëzetë dhe në të Nikita Hrushovi mbajti fjalimin denoncues kundër Stalinit, në lëvizjen komuniste botërore ngjanë  ndarje me “pro” dhe “kundër”. Duke qenë se PK Italiane dhe udhëheqja e saj kryesore me në krye Palmiro Toliatin, u rreshtua në krahun antistalinist, një pjesë e anëtarësisë së kësaj partie themeloi më pas një tjetër organizim: Lëvizjen Marksiste-Leniniste Italiane.

Në qendër të kësaj nisme qe Fosko Dinuçi, njeriu që do të bëhet në vijim përkrahës i kursit politik të Enver Hoxhës në tërë lëvizjen komuniste botërore. Dinuçi në 1964 do të themelonte një gazetë rivale me “L’Unità” të Partisë Komuniste Italiane. Atë do ta quante “Nuova Unità”.

Rreth saj do të grumbulloheshin të divorcuarit me partinë e Palmiro Toliatit, e cila qëndronte afër sovjetikëve.

Grupi i mbledhur rreth gazetës së re në 1966 do të krijonte Partinë Komuniste Italiane (Marksiste-Leniniste). Kjo ngjarje themelimi ndodhi në qytetin e Livornos, ku në 1921 pati ngjarë një ndarje tjetër dhe formim i ri partie. Komunistët atëherë u shkëputën prej Partisë Socialiste Italiane.

PKI (ML) nuk qe për rrugën reformiste, evolucionare, të marrjes së pushtetit në një sistem demokratik pluralist, me parlament, por nëpërmjet revolucionit proletar dhe përmbysjes së “klasave shfrytëzuese”. Në këtë parti ku sekretar i përgjithshëm u zgjodh Fosko Dinuçi, mund ta merrje teserën vetëm nëse dëshmoje se njihje doktrinën e Karl Marksit, të Vladimir Iliç Leninit, të Josif Visianoroviç Stalinit dhe të Mao Ce Dunit.

Po ashtu duhej t’i përkushtoheshe gjithë jetën çështjes së revolucionit proletar. Kjo donte të thoshte se pranoje që zhvillimi i shoqërisë mund të kryhej vetëm me revolucion proletar, me vendosjen e diktaturës së proletariatit dhe kolektivizimin e mjeteve të prodhimit për të vendosur tërësisht ekonominë e planifikuar shtetërore.

Në 1967 “Nuova Unità” u bë organ qendror i PKI (ML).

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie që nga ditëthemelimi, Fosko Dinuçi, ishte një qendrestar i njohur në qytetin dhe rrethinat e qytetit të Pizës kundër regjimit musolinian. Edhe i jati qe ndër të përndjekurit dhe të persekutuarit nga fashizmi. Idetë e tij ishin mirëfilli komuniste: urrente shfrytëzimin kafshëror, siç shprehej, të punëtorëve prej padronëve dhe kur Italia sulmoi dhe pushtoi Etiopinë dhe Shqipërinë, u ngrit kundër. Në regjimentin, ku e mobilizuan si ushtar, Fosko Dinuçi organizoi një komitet të fshehtë dhe mes shokëve po ashtu celula komuniste. Më pas në provincën e Pizës u bë anëtar i Komitetit të Çlirimit lokal. Qe ndërkohë komisar politik dhe komandant partizan, deri sa u arrestua prej fashistëve dhe u torturua barbarisht. Por nuk u tërhoq nga idetë e tij komuniste dhe të militantit proletar.

Kur vendi u çlirua Dinuçi ishte mes atyre që dëshironin ta vijonin luftën e armatosur për çlirim duke e shndërruar në revolucion proletar për marrje të pushtetit.  Prandaj edhe nuk ra kurrë dakord me çmobilizimin e shumë njësive partizane, siç realisht ndodhi, dhe funksionimin në vazhdimësi të një Italie shumëpartiake dhe parlamentare.

Ja pse Fosko Dinuçi iu kundërvu kursit të Nikita Hrushovit, duke e konsideruar atë si “revizionist”.

Pikërisht në këtë pikë ai u përputh jo vetëm me Mao Ce Dunin, por mbi të gjitha me liderin komunist bolshevik, stalinian, që kishte fare pranë dhe mund më me lehtësi, të bashkëpunonte: Enver Hoxhën.

Por mes marksistë-leninistëve italianë të mbledhur rreth tij dhe PKI (ML), në 1968, kur tensionimi dhe diferencimi i marrëdhënieve midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës fitoi përmasë edhe më të madhe, po njëlloj edhe ndikimi i kësaj ndeshjeje në të gjithë politikën botërore, partisë së Foskos iu shkëput një krah më afër Pekinit.

Partia e Punës e Shqipërisë e kishte njohur zyrtarisht Partinë Komuniste Italiane (Marksiste-Leniniste) në gusht 1968 dhe i pati forcuar raportet bashkëpunuese me të, por ra menjëherë në heshtje ndaj njohjes së krijesës së re të porsa larguar nga Dinuçi: Partisë Komuniste Italiane Marksiste-Leniniste Vija e Kuqe.

Drejtuesit e kësaj të fundit, Osvaldo Peshe (Pesche) dhe Dino Dini,  vrapuan menjëherë drejt Pekinit dhe ja dolën të bënin një takim me shumë të adhuruarin prej tyre, Mao Ce Dunin. Pas tij edhe me Çu Enlain e të tjerë.

Ndërkaq PKI (ML), partia pro enveriste e Fosko Dinuçit, në 1969 do të pësonte edhe një çarje tjetër. Do të krijohej Organizata Komuniste Bolshevike Italiane Marksiste-Leniniste.

Në 1970 Osvaldo Peshe do të kryesonte aksionin e një shkëputjeje tjetër prej partisë mëmë të Dinuçit dhe e para gjë që me këtë rast sipërmori, ishte të legjitimohej ndërkombëtarisht prej dy partive zyrtare të shteteve komunistë: PK e Kinës dhe PPSH e Shqipërisë.

Realisht qenë ditët e fundit të motit 1969.

Radiogrami nr. 689

Në 4 qershor 1969 ambasadori ynë në Romë, Ksenofon Nushi, do t’i niste Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë këtë radiogram: “Kohë më parë Dinuçi më ka folur për gazetarin shkrimtar Golfredo Parise, i cili është mik i partisë (ML)”.

Në vijim: “Ka disa ditë që kemi marrë kontakt me të dhe ai shfaqi dëshirën të vizitojë Shqipërinë. Ky ka qenë në muajin prill 1969 në Kinë dhe Hanoi. Ka bërë një reportazh të mirë mbi Kinën në “Ekspreso” në dy numra dhe ka patur jehonë pozitive”.

Më tej: “Shokët kinezë këtu na kanë folur mirë për të. Mendojmë që të pranohet ardhja e tij në Shqipëri dhe po të shikohet e arsyeshme, kjo të jetë nga java e fundit e qershorit”.

Pesë ditë më vonë, në 9 qershor, Ksenofon Nushi i dërgoi Tiranës nga Roma një radiogram tjetër, atë me numrin 706, ku vihej në dukje: “Mora për darkë shkrimtarin Gofredo Parise dhe në vazhdim të thënieve të tij të mëparshme, më tha: 1) Realizimet në Shqipëri e gëzojnë dhe ato që ka shkruar (Robert) Eskarpit disa vjet më parë në “Le Monde” i kemi lexuar me interesim dhe tash do t’u hedh përsëri një sy. 2) Rusët i kanë kërkuar si me telefon nga Moska ashtu edhe me vizita që i kanë bërë në Romë që gjatë provokacioneve në kufirin kino-sovjetik të shkruante kundër Kinës, por ai i ka hedhur poshtë këto dhe si kundërveprim shkroi mbi Kinën”.

Duke plotësuar këtë të dhënë të rëndësishme për Tiranën ambasadori Nushi vazhdon në radiogramin e tij të koduar: “Sovjetikët kanë kërkuar që të shkonte në Vietnamin e Veriut nga vija e re ajrore që po vendosin nëpërmjet Indisë për në Hanoi, por ai nuk e ka pranuar këtë. 3) Në shtator është ftuar nga Potet Laosi të vizitojë zonat e tyre dhe ky do të shkojë”.

Në vijim: “Kërkoi që t’i jepet mundësia të vijë në Shqipëri  dhe të pushojë disa ditë me të shoqen”.

Po ashtu në radiogramin e 9 qershorit 1969 ndodhen edhe këto fjalë: “Bisedova gjerë e gjatë me të për realizimet e bëra dhe për politikën e PPSH dhe në shumicë ishte plotësisht dakord. Luketi, sekretari i ri i shoqërisë që ish së bashku me të, i tha Josifit (Pogaçe, diplomat në ambasadën e Romës, shënimi ynë) se Parise i shprehu kënaqësinë për realizimet e Shqipërisë dhe se do të shkruajë me siguri mirë po qe se e viziton Shqipërinë. Artikujt e tij janë me peshë, por më shumë merret me shkrime librash dhe më foli për përmbajtjen e një libri që ka shkruar kohët e fundit  dhe atje dënon shfrytëzimin kapitalist”.

Në 14 qershor 1969 kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme, Misto Treska, hartoi për eprorët një informacion ditor, ku nënvizohej se “Ambasada në Romë propozon që të vijë në Shqipëri javën e fundit të qershorit gazetari shkrimtar italian Golfredo Parise, mik i Partisë M-L. Për këtë ka folur pozitivisht Dinuçi”.

Pak më poshtë: “Ne jemi dakord me Ambasadën që ta presim me qëllim që pas kthimit të shkruajë mbi vendin tonë. Të vijë me shpenzimet e tij të udhëtimit, ndërsa të qëndrimit këtu të jenë tonat”.

Në shkresën e këtij informacioni prej eprorit, i cili duhet të jetë Ministri i Jashtëm Behar Shtylla, me stilolaps të kuq, është bërë shënimi: “Të vijë. I bëni njoftim Romës, por merrni masa si për shoqërimin ashtu edhe për lëvizjet këtu dhe çdo gjë”.

Golfredo Parise zbriti në aeroportin e Rinasit në 1 korrik 1969 dhe që prej këtij çasti nis njëri prej aksioneve të imazhit mediatik më të suksesshëm të Tiranës nën një qeveri komuniste.

Në një rast shumë të afërt do ta përshkruajmë me enjë shkrim të posaçëm këtë ngjarje. Deri tani spikatëm aq sa mendojmë që lexuesit i duhet të njohë profilin, peshën politike si edhe rolin në mbështetje të Enver Hoxhës, të kryetarit të Partisë Komuniste Italiane Marksiste-Leniniste, Fosko Dinuçi.         

Fraksioni M-L që e shpalli Enver Hoxhën revizionist dhe agjent të sovjetikëve 

Duke vijuar historinë e degëzuar në shumë shkëputje të marksistë-leninistëve italianë, e informojmë lexuesin se një delegacion i partisë së re m-l, e cila pëlqente të thirrej edhe bolshevike, madje të kishte me këtë titull një gazetë të vet, shkoi në përfaqësinë tregtare të Kinës në Romë. Këtë kohë Republika Popullore e Kinës qe ende e panjohur nga OKB, për pasojë edhe asnjë ambasadë apo legatë në kryeqytetin italian.

Ambasadë në Romë nga vendet me marksizëm-leninizëm shtetëror kishte vetëm Shqipëria, e cila quhej atëkohë, edhe ajo, Republikë Popullore. Pas këtij momenti partia e re e shkëputur nga Fosko Dinuçi, e vijoi përpjekjen për kontakt e njohje zyrtare dhe në 21 qershor 1970 u bëri letra paralele si Partisë Komuniste të Kinës ashtu edhe PPSH-së.

Kërkuan në këtë mënyrë këmbëngulëse të vendosnin përfundimisht kanalet zyrtare të bashkëpunimit, por vunë re se Pekini pëlqente zvarritjen. Këtu marksistë-leninistët italianë të partisë së Peshes dalluan “revizionistë”, siç i emërtonte ajo. Këta, gjithnjë sipas saj, qenë kundër alternativës së revolucionit proletar dhe fitores së diktaturës së tij.

Njëkohësisht kuptuan se, përherë nëpërmjet heshtjes së ambasadës shqiptare në Romë, edhe Tirana qe shumë e ftohtë.

Madje kjo ishte fare e akullt, nuk linte asnjë shpresë ngrohjeje. Gjithsesi me PPSH bënë përpjekje që të paktën të dyja palët të nisnin bisedime për të verifikuar në parim nëse kjo gjë bëhej apo jo. Megjithatë nga Enver Hoxha veshi sërish qe i shurdhët.

Sipas marksistë-leninistëve italianë Bolshevikë, ky refuzim ndodhte sepse Hoxha dhe PPSH kishin Fosko Dinuçin dhe nuk mund të shokëronin me të tjerë, ca më pak persona, të cilët i ishin kundërvënë atij.

Arsyen përse Hoxha i ndante fraksionistët e rinj bolshevikë  nga Dinuçi dhe partia e tij, qe se kishte hyrë në mes Kina e sidomos adhurimi i të shkëputurve italianë nga PKI (ML) ndaj Mao Ce Dunit. Divergjencat Enver-Mao këtë kohë nuk qenë bërë publike, por ne shqiptarët i dimë, sepse ato rreshtoheshin një për një në ditaret sekrete të kryekomunistit shqiptar.

Gjithsesi marksistë-leninistët maoistë të Osvaldo Peshes u përpoqën disa herë ta zbutnin qëndrimin e Tiranës dhe të komunistëve shqiptarë, por sërish morën si përgjigje heshtjen e prerë dhe pothuaj përbuzëse. Atëherë gjykuan se Enver Hoxha po ua përplaste qëllimisht në fytyrë derën dhe këtë e bënte sepse Fosko Dinuçin, më e pakta, e kishte agjent të vet, spiun personal madje.

Ndërkaq kishin edhe shumë dyshime për identitetin e vërtetë politik të Hoxhës dhe pak nga pak po i mbushnin mendjen vetes se edhe ky qe një agjent i depërtuar fshehurisht në lëvizjen marksiste-leniniste botërore. 

Me pak fjalë ishte një “revizionist”.

Ndërkaq që m-l italianë të fraksionit bolshevik po përjetonin kthimshpinën e komunistëve shqiptarë dhe ishin të zemëruar me ta, me Pekinin nisi e anasjella: afrimi i shpejtë. Në 15 shtator 1970 u erdhi një letër e nisur prej ambasadës kineze në Bernë të Zvicrës, në të cilën u thoshin se qenë të dëshiruar të merrnin rregullisht gazetën e tyre “Il Bolscevico” (“Bolsheviku”). Pasi diplomatët kinezë të Bernës morën në vijim “Bolshevikun”, marksistë-leninistëve të Osvaldo Peshes u erdhi në 14 janar 1971, prej një kutie postare misterioze në Pekin, revista propagandistike shumëgjuhëshe me përhapje në të gjitha vendet e botës “Informacione nga Pekini”.

Siç shkruam më sipër, do të kemi një rast tjetër për ta vijuar këtë temë të diferencimit që u krijua mes marksistë-leninistëve italianë, të ndarë në mbështetës të doktrinës së Mao Ce Dunit dhe të Enver Hoxhës. Sa ndjekës realë dhe sa ndikim kishte ky i fundit?

Hoxha tashmë, pas ndarjes së potershme me sovjetikët, një dekadë më pas po bëhej gati ta përsëriste divorcin me superfuqinë tjetër komuniste globale. Ditën e diel të 6 dhjetorit 1970 ai do të shkruante në ditarin e tij të fshehtë: “Ambasadori kinez në Tiranë, në një bisedë në Ministrinë e Punëve të Jashtme kishte thënë se aktualisht  nuk ka luftë në mes të Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik.

Kina tash do të bëjë me të gjithë një politikë të “Bashkekzistencës paqësore”.

Në fund Hoxha e mbyll shënimin e tij me fjalët: “Kjo është një fitore për revizionistët modernë...”

Bolshevikët italianë e emërtonin Enver Hoxhën revizionist, ky i fundit si të tillë quante sovjetikët dhe kinezët. Kështu fjala e mësipërme dhe vetë koncepti që rrekej të përcillte, ishte krejt e xhveshur nga kuptimi.

Tiranë, më 23 nëntor 2018

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja