'Si u burgos ‘Shaliapini’ shqiptar që tronditi skenat operistike të Evropës, nga Moska e gjithë Lindjen komuniste…”?! / Historia e panjohur e artistit të famshëm, Lluk Kaçaj

'Si u burgos ‘Shaliapini’ shqiptar që tronditi skenat operistike të Evropës, nga Moska e gjithë Lindjen komuniste…”?! / Historia e panjohur e artistit të famshëm, Lluk Kaçaj

Lluk Kacaj

Memorie.al publikon historinë e panjohur të artistit të madh Lluk Kaçaaj, me origjinë nga fshati Aliaj i Kastratit në Malësinë e Madhe, i cili që në moshë të vogël u dërgua për të ndjekur mësimet pranë Kolegjit të Jezuitëve, në qytetin e Shkodrës dhe më pas në Liceun Klasik “Ylliricum”, ku që në fillim ai spikati për zërin e tij melodioz me timbër të veçantë dhe Dom Ndre Zadreja, autori i famshëm i melodramave “Ruba e Kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës” e “Rozafa”, poeti e muzikanti i njohur që zbuloi sa e sa talente, së bashku me Dom Mikel Koliqin, zbuluan edhe talentin e Llukës, të cilin më pas do ta mbanin afër Filip Mazrreku e kompozitori At Martin Gjoka, duke e nxitur për të mos i’u larguar kurrë pasionit të tij, këngës. Ardhja e Llukës në Tiranë pranë Korit të Ushtrisë, ku mjeshtrit e muzikës, Gaqo Avrazi, Kristo Kono e Kostandin Trako, zbuluan menjëherë talentin me zërin karakteristik të tij, i cili në vitin 1947, do të merrte pjesë në Festivalin e Parë Botëror të Rinisë, në Pragë të Çekosllovakisë, duke korrur suksese me zërin e tij të veçantë. Karriera brilante e Lluk Kaçaj në skenat europiane, ku ai pati oferta të ndryshme për të shkuar në Perëndim, si dhe studimet në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, ku ai nga 170 kandidatë pjesëmarrës, zuri vendin e katërt, si dhe shumë çmime që ai fitoi në turne të ndryshme në vende të botës, i rritën atij famën, aq sa në Moskë, ai u quajt si “Shaliapini i ri shqiptar”! Dënimi i Llukës në vitin 1973, pas goditjes që diktatori Enver Hoxha i bëri të ashtuquajturit “Grupi armiqësor në art e kulturë” ku Llukës iu vunë hekurat në mënyrë demonstrative nga Sigurimi i Shtetit në prezencë të studentëve të tij në Institutin e Lartë të Arteve, nga ku më pas do të dënohej me 10 vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë, si “armik i popullit”!

Dikush e pat krahasuar zërin e tij të pastër me një det të thellë gjigant, kur këndonte ulët dhe me një det të trazuar nga furtuna e shkreptimat, kur ai këndonte lart, që të trondiste me fuqinë e jashtëzakonshme të shpirtit artistik, nga ngjyrimet e shumta që zotëronte vokali i tij. Por nuk ishte vetëm zëri e teknika tepër imponuese e tij, që bëri të tronditeshin skenat operistike të Moskës, Leningradit, Budapestit, Pragës, Bukureshtit, etj., vende të Lindjes Komuniste në Europën Lindore, gjë për të cilën një nga pedagogët më të famshëm të Bashkimit Sovjetik, i thoshte, Boris Hristovit, yllit të muzikës operistike botërore: “Ju jeni të dy të mëdhenj, por Lluka ka një shpirt shumë më të ndjeshëm, ai këndon më me shpirt…”!

Shkodra ishte qyteti ku më së pari, shkeli Lluka në fillimin e viteve ’30-të të shekullit të kaluar, për t’u regjistruar në Kolegjin e Jezuitëve, nën kujdesin e të njohurit Fratel Gjonit, mikut të familjeve të varfra shkodrane. I lindur në fshatin Aliaj të Kastratit, në vitin 1925, Lluk Kaçaj, do të largohej në moshë të vogël prej andej, i futur nën petkat e xhakojt jezuit. Në atë kolegj fetar, si dhe Liceun klasik “Ylliricum”, ku Lluka studioi më pas, që ishin dhe shkollat më të kompletuara të asaj kohe në Shqipëri, jepnin mësime një trup pedagogjike, që ishin diplomuar në universitetet e ndryshme të Perëndimit, jo vetëm në Teologji, por dhe në shumë degë të tjera.

Lluka do të binte shpejt në sy, për zërin e tij melodioz, që dallonte ndër moshatarët e tjerë, që mbushin korin e xhakojve. Dom Ndre Zadreja, autori i famshëm i melodramave “Ruba e Kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës” e “Rozafa”, poeti e muzikanti i njohur që zbuloi sa e sa talente, së bashku me Dom Mikel Koliqin, zbuluan edhe talentin e Llukës, të cilin do ta mbanin afër e do ta nxisnin, për të mos i’u larguar kurrë pasionit të tij, këngës. Shkodra, një nga qytetet e artit e kulturës në Shqipërinë e atyre viteve, ku u ngritën shoqëritë e para teatrore – muzikore, fetare dhe laike, si “Rozafa” e “Bogdani”, u bë një bazë e shëndoshë ku u kultivuan shumë talente që spikatën në disa gjini të artit për vite me radhë, duke arritur kulme, siç ishin: Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Tish Daija, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka e shumë e shumë të tjerë, ku midis tyre një vend të nderuar zë dhe Lluk Kaçaj.

I ndikuar dhe nga kompozitorët at Martin Gjoka e At Filip Mazrreku, të cilët do të kishin një rol të madh në formimin e tij, Lluka do të ishte tepër indiferent, ndaj jetës aventurore që i ofronte mosha e re dhe pasioneve që sillte ajo. Pasionin i tij i vetëm, ishte kënga e poezia, ku ai do të mbante me vete “Lahutën e Malësisë”, “Mrizin e Zanave” e “Juden Makabe”, etj., të cilat nuk do t’i ndante kurrë nga dora as dhe atëhere, kur për shkak të tyre do t’i rrëmbehej liria e do t’i ndalohej kënga, ndonëse nuk mundën t’ia shkulin kurrë nga shpirti. Lluka, si rrallë kush, ishte një ndër ata, që jo vetëm i dinte përmendësh shumë nga veprat e Fishtës, por dhe i recitonte me një interpretim brilant, që mahniste këdo, sidomos “Lahutën…”! Krahas këngës, i ndikuar edhe nga dy pedagogët e tij, At Martin Gjoka dhe At Filip Mazrreku, gjatë mësimeve në Kolegjin Jezuit, Lluka do të përvetësonte edhe disa instrumente muzikore, si organon dhe violinën.

Ishte kjo gjë që e ndihmoi shumë atë, në vitet e mëvonshme kur u ngjit skenave operistike, me një përsosmëri në aktrim, që intonohej së bashku me zërin karakteristik, si një duet perfekt. Shumë nga shokët e bashkëmoshatarët që kanë pasur rastin ta dëgjonin Llukën në ato vite, tek interpretonte plot pasion e shpirt “Gjuha Shqype” dhe “Emigranti” të Fishtës, thonë: “Kur dëgjoje Llukën të recitonte ato vargje, detyroheshe të harrojë ndjesinë e kohës e të hapësirës që të rrethonte”! Lluka i përfundoi studimet në Liceun Klasik “Ylliricum” në vitin 1944 dhe me sugjerimin e At Mati Prendushit, (për shkak se regjimi komunist kishte filluar luftën kundër Klerit Katolik), ai do të largohej edhe nga Shkodra, për të ardhur në Tiranë.

Në Korin e Ushtrisë në Tiranë në vitet

Në fundin e vitit 1944, pak ditë pas mbarimit të luftës, në Tiranë u krijua Kori i Ushtrisë, ku pjesa më e madhe e këngëtarëve që debutuan aty, vinin nga radhët partizane. Në këtë kor, që ishte edhe bërthama e parë e Ansamblit të Ushtrisë dhe gjithashtu edhe e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, krahas shumë udhëheqësve artistik, në mes të cilëve ishin dhe Gaqo Avrazi, Kristo Kono e Kostandin Trako, të cilët zbuluan talentin me zërin karakteristik të Llukës, që vinte nga qyteti i Shkodrës. Në këtë Ansambël, për disa vite me radhë, nën kujdesin e këtyre mjeshtrave të mëdhenj, për të cilët Lluka kishte një adhurim të jashtëzakonshëm, ai mësoi, rriti e disiplinoi zërin e tij, për ta çuar në një perfeksion brilant, që mahniste të gjithë pedagogët e tij dhe këdo që kishte rastin ta dëgjonte në prova e koncerte të ndryshme.

Aty nga fillimi i verës së vitit 1947, Lluka u njoftua se do të merrte pjesë në Festivalin e Parë të Rinisë Botërore, që do të zhvillohej në kryeqytetin e Çekosllovakisë së asaj kohe, në Pragë. Nisur nga kjo, për afro tre muaj me radhë, Lluka ushtroi zërin e tij, duke bërë prova çdo ditë, deri në në orët e vona të natës. Sipas programit të paracaktuar, delegacioni shqiptar i Rinisë, mori pjesë në Festivalin e Parë të Rinisë Botërore në Pragë, ku Lluka shkëlqeu me gjithë fuqinë e shpirtit të tij, duke mahnitur mijëra e mijra spektatorë që kishin ardhur nga shumë vende të Evropës Lindore. Pas koncertit konkurrues, si rezultat i shumë kërkesave të spektatorëve të shumë që mbushnin sallat dhe sheshet, grupi nga Shqipëria u detyrua të jepte edhe shumë shfaqje të tjera, ku Lluka korrte gjithnjë duartrokitjet e vazhdueshme, filluan dhe interesimet e para të specialistëve të huaj, duke i bërë atij oferta nga më të ndryshmet.

Kështu, ato ditë në kryeqytetin çekosllovak, ku merrnin pjesë në konkurrim një numër i madh shtetesh nga e gjithë bota, disa specialist muzike, morën kontakte me Llukën dhe i sugjeruan atij: “Hajde me ne, lërë Shqipërinë, ti je një talent i madh, që do të shuhesh kot. Për dy orë nisemi për në Londër, do të mbulohesh me para…”! Por edhe pse oferta e britanikëve ishte shumë dashamirëse, djaloshi i ri i talentuar nuk u josh, jo vetëm pse e dinte “fatin” që do e priste familjen e tij në Shkodër, por edhe për një gjë fare të thjeshtë: Ai që i vogël në Kolegjin Jezuit, ishte brumosur nga pedagogët e tij me dashurinë për atdheun, e kësisoj mendonte vetëm për Shqipërinë dhe nuk mund ta bënte kurrë një gjë të tillë! Pra ai nuk mund të largohej nga atdheu, ashtu siç kishin bërë dhe dishepujt e tij: Fishta, Mjeda, At Anton Harapi, Dom Mikel Koliqi, e të tjerë, nga elita e Klerit Katolik, që nuk e braktisën kurrë Shqipërinë në çfarëdolloj rrethanash që i’u solli jeta.

Në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, i katërti nga 170 konkurentë!

Në vitin 1953, Lluka morri pjesë në Festivalin е Dytë Botëror të Rinisë që u mbajt në Bukuresht, ku me interpretimin e aries së Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit, zëri i tij dhe fama u përhapën në të gjithë Evropën. Si rezultat, Lluka u vlerësua duke fituar dhe çmimin e II-të ndërkombëtar të atij Festivali,

Duke parë aftësitë e tij të rralla në kanto dhe sukseset e mëdha që korrte në shumë koncerte, i vlerësuar dhe nga shumë specialistë të huaj nga vendet e Lindjes Komuniste që vinin në Shqipëri, në vitin 1955, Lluk Kaçajt, i’u akordua një e drejtë studimi (bursë e veçantë) nga shteti shqiptar, për të ndjekur studimet e larta në Konservatorin e Muzikës “Çajkovski” të Moskës, ku në konkurrimin në mes 170 kandidatëve nga e gjithë bota, shqiptari Lluk Kaçaj, do të zinte vendin e katërt. Si rezultat, ai filloi studimet në atë Konservator të famshëm (ku i’u akordua edhe një pagesë prej 1.200 rubla në muaj), ku asokohe studionin me qindra e mijëra studentë, nga shumë vende të ndryshme të botës, nga ku dolën dhe yjet e muzikës të skenave operistike, siç ishte dhe Boris Hristov, shok kursi i Llukës. Në këtë Konservator, Lluka, do të spikaste shumë shpejt dhe do të ishte në qendër të vëmendjes, së specialistëve të muzikës operistike, si një nga basët më të kompletuar: Kështu ai shumë shpejt u ngjit në skenën famoze të “Balshoi Teatër” në rolet e Ivanit Zezamin (Ivani), Doktori (Traviata), Mbreti Rene (Jolanda e Çajkovskit), Sparafucile (Rigoleto) etj.

Krahas këtyre roleve në Operën e famshme të Moskës, Lluka dha dhe disa koncerte recitale, disa nga të cilat shoqëroheshin në piano nga kompozitori i njohur Dankijevije. Pas shumë sukseseve të mëdha që ai arriti gjatë viteve të studimit në atë Konservator, erdhi koha e diplomimit, ku me një repertor interpretimi, në katër gjuhë të huaja, (Lluka dinte latinisht, italisht, frëngjisht dhe rusisht), ai la të mahnitur anëtarët e komisionit. Kështu kryetari i Komisionit të Diplomimit, Çesjeviç, do të shprehej me superlativa për studentin shqiptar, duke thënë: “Të kenë nderin muret e Konservatorit të Moskës, të përgatisin e të nxjerrin këngëtarë të mëdhenj, si shqiptari Lluk Kaçaj, për muzikën klasike, muzikën e dhomës dhe atë operistike”. Nuk kishin kaluar më shumë se dhjetë ditë nga diplomimi i Llukës, kur ai mori pjesë në konkursin e madh të shpallur nga “Balshoi Teatër”, për zgjedhjen e këngëtarëve nga i gjithë Bashkimi Sovjetik. Me leje nga ambasada shqiptare në Moskë dhe personalisht nga krye dirigjenti i “Balshoit”, Melik Rashelev, Lluka u lejua të merrte pjesë në atë konkurs të madh, ku nga 170 pjesëmarrës, fituan vetëm katër prej tyre, njëri prej të cilëve ishte dhe Lluka.

Në vitin 1951, në Festivalin e Katërt të Rinisë Botërore që u zhvillua në Bukuresht me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga 54 shtete të botës, Lluka, me interpretimin e aries së Filipit II-të nga opera “Don Carlos”, e Xhuzepe Verdit, me zërin e tij, u njoh në të gjithë Europën. Në këtë konkurs botëror të Rinisë, Lluka fitoi vendin e dytë duke i’u akorduar ‘Medalja e argjendtë’. Më 28 shtator të vitit 1958, Lluka interpretoi në skenën e “Balshoi Teatër”, rolin e Don Bazilios në operën “Berberi i Seviljes të Xhiakomo Rosinit, duke pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Lidhur me këtë, redaktori i revistës së këtij teatri, në mes të tjerash në artikullin e shkruar për këtë ngjarje, theksonte “Skena e ‘Balshoit’ këtë rol e ka parë në Shaliapinin e Zesieviç, por interpretimi i Llukës, nuk ka ndonjë ndryshim prej tyre”. Në shumë turne të tjera, që Lluka mori pjesë në vendet e Europës Lindore, atë e joshën me oferta nga më të ndryshmet, për ta blerë.

Kështu më 14 tetor 1955, në Berlin (pas ndarjes së Gjermanisë), i propozohet pas koncertit të dhënë, në katër gjuhë të huaja, duke i ofruar një shumë prej 150.000 markash, për të filluar karrierën në Perëndim. Po kështu në vitin 1960, gjatë një turneu në Poloni, në hotelin “Bristol”, ku Lluka ishte akomoduar, i afrohet një diplomat jugosllav ( i ambasadës jugosllave në Poloni), i cili i propozon, që ai të ikte nga Shqipëria, për të zhvilluar aktivitetin e tij, në disa forume të larta artistike botërore, të asaj kohe. Përpara turneut të Polonisë, në vitin 1959, në Kiev të Ukrainës, ku jepej koncerti final i ‘Dekadës së Miqësisë Ukrainë – Shqipëri’, Lluk Kaçaj me interpretimin e tij, merr një vlerësim të jashtëzakonshëm nga më se 2500 spektator të pranishëm, që duartrokisnin me ovacione.

Lidhur me sukseset e këngëtarit të famshëm të muzikës operistike Lluk Kaçaj, në koncertet e dhëna në Bashkimin Sovjetik, shkruante dhe gazeta “Zëri i Popullit”, ku në një artikull të gjatë të saj, më 10 dhjetor të vitit 1958, nga gazetari Çot Papuli, i cili i referohej shtypit sovjetik, që e quante Llukën “Shaliapinin shqiptar”. Që nga viti 1947, kur Lluka për herë të parë mori pjesë në Festivalin e Rinisë Botërore në Pragë, (kur nuk ishte më shumë se 23 vjeç), e deri në vitin 1961, kur debutoi për herë të fundit në skenat e Europës, ai ka interpretuar me qindra arie, romanca, këngë popullore e balada, epiko –legjendare, për të cilat mund të thuhet pa mëdyshje, se kanë tronditur skenat më të mëdha të Bashkimit Sovjetik, Polonisë, Çekosllovakisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Hungarisë etj. Në shumë vende, ku ai interpretoi, u krahasua nga shumë revista prestigjioze, si: “Shalipaini i ri” i Shqipërisë!

Në moshën 36 vjeçare, i akordohet titulli: “Artist i Merituar”

Pas shumë koncerteve të suksesshme nëpër vende të ndryshme të Europës, në vitin 1961, Llukës i’u akordua titulli i lartë “Artist i Merituar”, në një kohë kur ai nuk ishte më shumë se 36 vjeç. Në motivacionin e certifikatës së firmosur nga kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të saj kohe, Haxhi Lleshi, thuhej: “Ka meritë për përhapjen e muzikës sonë, ka dhënë koncerte me vlerë artistike, që kontribuojnë në zhvillimin e artit operistik dhe vokal, të Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Krahas shumë roleve në skenat operistike që ai luajti nëpër vende të ndryshme të Europës para viteve ’60-të, Lluka vazhdoi të interpretonte dhe në Operën Shqiptare, që në të parën shfaqje të saj, “Mrika” të Prenk Jakovës, në rolin e Gjinit, (në vitin 1962) dhe në “Pranvera”, të Tish Daisë. Pak kohë më parë, ai kishte interpretuar arien në filmin shqiptaro – sovjetik “Skënderbeu”, i cili asokohe pati një sukses të madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, duke u shfaqur në pjesën më të madhe të republikave të tij. Po kështu. gjatë gjithë këtyre viteve në Tiranë, ai interpretoi dhe në operat e huaja, që u vunë në skenë nga Teatri i Operës, si “Peshkatarët e Perlave” të Zhorzh Bieze, në rolin e kryepriftit në “Eugjen Onjegin”, “Bohema” e Puçinit (gjenerali) në “Paljaço” (rolin e Kolinit) nga Leoncavallo etj.

Nga kritika e kohës, Lluka nuk vlerësohej vetëm si një këngëtar i madh, por dhe si një aktor i aftë. Lidhur me këtë, kritika shqiptare midis të tjerash në shtypin e kohës, theksonte: “Në trajtimin e personazhit lindte nga të kënduarit tepër shprehës, prej nga krijohej figura e gjallë dhe karakteri i mirëfilltë i personazhit, para së gjithash, situata dramatike deri në të shprehurit skenik, e plotësuar nga mimika e plastika, të gjitha të justifikuara në këndvështrimin muzikor”. Nisur edhe nga dhuntitë që Lluk Kaçaj kishte në fushën e aktrimit, në fundin e viteve ’60-të, regjisori i njohur, Piro Milkani, do t’i besonte atij një rol (babai i vajzës aksioniste), në filmin artistik “Përse bie kjo daulle” të Kinostudios “Shqipëria e Re” (sipas romanit Dasma të Ismail Kadaresë), ku ai u vlerësua nga kritika e kohës, për mjeshtrin e lartë të aktrimit.

Pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion, akuza edhe ndaj Lluk Kaçajt!

Nga mesi i viteve ’60-të, kur në Shqipëri nisën të frynin erërat e ‘Revolucionit të Madh Kultural-Proletar’ kinez, ku si rezultat dhe u ndaluan shumë nga pjesët muzikore të repertorit të huaj, Lluk Kaçaj, do të linte skenën e Teatrit të Operës e Baletit, për të shërbyer vetëm si pedagog i Kantos, në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ai shihte me keqardhje të thellë, që në vend të pjesëve klasike, në Teatrin e Operës, viheshin pjesët kineze, si: “Detashmenti i kuq i grave”, “Timonieri i madh”, etj., ku artistët ishin të detyruar të visheshin me kominoshe, apo me uniformat ushtarake dhe në duar të mbanin kazmën e pushkën! Lluka në vetvete ishte kundër këtyre modeleve, të kopjuara keqazi, që zhveshën nga pjesët më të bukura artin operistik në Shqipëri dhe për këto, herë pas here filloi të fliste hapur. Kjo gjë për kohën, përbënte një guxim të madh, apo më saktë një herezi, pasi sapo kishte filluar goditja ndaj të ashtuquajtur “Grupi armiqësor në art e kulturë” me në krye Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, (që kulmoi me Festivalin e 11–të Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion), e kësisoj politika e regjimit komunist në fuqi, nuk mund të pyeste për asnjeri!

Dënohet me 10 vjet burg, me akuzën: “Adhurues i Fishtës”!

Kështu në kuadrin e kësaj fushate terrori dhe represioni të egër ndaj njerëzve të artit e kulturës dhe jo vetëm, në vitin 1973, pas një sërë mbledhjesh që ishin mbajtur pothuaj në të gjitha institucione kulturore dhe artistike të Tiranës, (si Teatri Popullor, Teatri i Operës dhe Baletit, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Radio-Televizionin Shqiptar, Kinostudio “Shqipëria e Re”, Instituti i Lartë i Arteve, Estrada e Shtetit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, etj.), ku krahas Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, që ishin vënë në qendër të goditjes dhe akuzave, “vala goditëse”, u shtri dhe kapi fillimisht edhe disa nga personazhet kryesore të artit e kulturës, emra të njohur si: drejtori i Teatrit të Operës, Koço Vasili, udhëheqësi artistik i tij, Milto Vako, regjisori i famshëm dhe pedagogu, Kujtim Spahivogli, dramaturgu Minush Jero, regjisori Mihallaq Luarasi, gazetari dhe dramaturgu, Ibrahim Uruçi, etj., duke u ndalur edhe te Lluk Kaçaj.

Në këtë kuadër, organet e Sigurimi të Shtetit, më 23 prill të vitit 1973, organizuan arrestimin publik të Lluk Kaçajt, duke i vënë prangat, në mënyrë demonstrative përpara studentëve të tij të Institutit të Lartë të Arteve, për t’i terrorizuar ata. E akuzuan si: “antiparti, reaksionar, anti-pushtet”, e lloj lloj epitetesh të tjera, nga më të rëndat që filluan të artikuloheshin asokohe, pas fjalës së Enver Hoxhës, të mbajtur fillimisht më 6 janar, në mbledhjen me aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe më pas në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së. Akuzat që i’u bënë Lluk Kaçajt, në mbledhjet e institucioneve kulturore dhe artistike, u “kopsitën” nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe hetuesisë, duke e akuzuar se: “Ka kryer agjitacion e propaganda, kundër pushtetit popullor”, “ka mbajtur qëndrime armiqësore”, “ka propaganduar para kolegëve dhe studentëve të tij armikun e poshtër, Padër Gjergj Fishta”, etj.

Lluka nuk e mohoi në hetuesi, që i’u kishte propaganduar studentëve të tij, veprën e Gjergj Fishtës. Ai i recitoi dhe hetuesit të tij, për të bindur në vlerat e mëdha atdhetare e patriotike, të poetit të madh, apo “Poetit Kombëtar”, siç e quante ai Fishtën. Gjyqi i cili u zhvillua në muajin gusht të atij viti e dënoi Llukën, me 10 vjet heqje lirie, (dhe konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme) me akuzën: “Armik i popullit, që ka bërë agjitacion e propaganda, kundër pushtetit popullor”. Dënimin ai e vuajti në disa kampe e burgje të punës së detyruar, kryesisht në Ballsh, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore., ku u izolua për vite me radhë, duke e lënë vetëm familjen e tij, (bashkëshorten, Ana), madje në kushte të mjerueshme, e cila u detyrua të shiste jo vetëm pianon e tyre dhe librat e bibliotekës, për t’u ushqyer, por edhe të shiste gjak. Lluka u lirua nga burgu në vitin 1978 dhe pas vuajtjes së dënimit, si për ta poshtëruar, regjimi komunist e dërgoi për të punuar si hamall te Magazina e Fruta-Perimeve, te Pazari i Ri në Tiranë. Vdiq më 7 shtator 2001 në spitalin civil të Shkodrës, qyteti ku jetoi vitet e fundit të jetës.

Pas vuajtjes së dënimit, këngëtari dhe artisti i madh basi, me zë karakteristik që kishte bërë të dridheshin skenat operistike të Europës, u dërgua për të punuar në një ndërmarrje, duke bërë punë të ndryshme krahu, për të mbajtur veten e familjen. Po kështu që pas daljes nga burgu, pasi i ishin larguar pothuaj të gjithë miqtë e tij, Lluka gjente kohë dhe shkonte shpesh në qytetin e vogël të Laçit, ku ishin me banim prej vitesh të afërmit e tij, familja e madhe Kaçaj (Rrok Kaçaj, Anton Kaçaj, Ndue Kaçaj, Lec Kaçaj, Gjek Kaçaj, Zef Kaçaj, Seferin Kaçaj, etj.,) të cilët edhe pse me problem të shumta biografike, e donin, e mbanin dhe e respektonin Llukën, si dikur kur ai kishte qenë në kulmin e shkëlqimit të tij.

Lluka prehet afër Kishës së Shën Ndout, në Laç të Kurbinit

Lluka jetoi edhe një dekadë pas shembjes së regjimit komunist dhe më 7 shtator të vitit 2001, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë në një dhomë të Spitalit të Shkodrës, duke u ndarë nga kjo jetë, të cilës i dha gjithçka dhe i mori pothuajse asgjë! Duke mos pasur asnjë të afërm në qytetin e Tiranës, varrimi i tij u bë nga të afërmit që ai kishte në qytetin e Laçit dhe gjithashtu edhe nga Salvator Kaçaj, (ish-futbollisti i njohur i ekipit Kombëtar dhe ish-kryetar i Bashkisë së Shëngjinit), të cilët e përcollën atë me të gjitha nderet, për në banesën e fundit, te varreza e katolikëve që ndodhet afër Kishës së Shën Ndout, në Kurbin. Pak kohë pasi ndarjes së tij nga jeta, në vitin 2003, ish-Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh i Punës, ndërsa në vitin 2009, Presidenti Bamir Topi, i akordoi Lluk Kaçajt, medaljen e lartë: “Nderi i Kombit”. /Memorie.al

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?