TIRANE - Deputeti i LSI Luan Rama, në një konferencë për shtyp, i bëri thirrje qeverisë që brenda 15 prillit, të krijojë Komisionin Shtetëror për të programuar dhe nisur përgatitjet me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit.
 
Në fjalën e tij Rama theksoi se ky komision duhet të jetë gjithëpërfshirës, ndërsa shtoi se është e pafalshme që nuk ka filluar restaurimi i varrezave të dëshmorëve në të gjithë vendin.
 
"Shqipëria antifashiste është meritë e gjakut të dëshomrëve, e heroizmit të gjithë popullit, duke u bërë ndër popujt kontributor më shumë se disa vende që edhe pse nuk e kanë këtë meritë përpiqen ta shesin si të tillë prandaj 70 vjetori i çlirimit të vendit meriton më tepër mirënjohje. I kërkoj qeverisë dhe në veçanti kryeministrit të formojë Komisionin Shtetëror mundësisht brenda 15 prillit, për të programuar dhe përgatitur kremtimet e 70 vjetorit të çlirimit. Ky komision duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë të gjithë grupet e interesit, me qëllim që përgatitjet të jenë të denja për një shtet demokratik antifashist. Në themelet e Evropës së sotme, aty ku ne aspirojmë të integrohemi, qëndron kjo vlerë antifashiste. Është e pafalshme që nuk ka asnjë shenjë për restaurimin e varrezave të dëshmorëve të atdheut në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë." tha në fjalën e tij Rama.
 
Duke vazhduar më tej deputeti Rama kërkoi angazhimin e qeverisë në kremtimin e këtij përvjetori duke e cilësuar se “pavarësia dhe çlirimi i atdheut janë dy nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë”.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)