8 raste janë konfirmuar pozitive ditën e sotme në Shqipëri nga 140 testime të kryera gjatë 24 orëve të fundit. Nga këto 5 raste janë në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 rast në Durrës. Gjatë gjithë kësaj jave shifrat kanë qenë të qëndrueshme dhe ka shënuar dhe përqindjen e pozitivitetit më të ulët që nga fillimi i epidemisë me 4.3 %.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 803 qytetarë dhe aktualisht 68 % e tyre janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 229 persona aktivë me COVID19.
Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.
Në lidhje me lehtësimin e masave shtrënguese, si me shtimin e zonave të gjelbërta, lejimin e shërbimit taksi ndërqytetës me dy pasagjerë të së njëjtës familje si dhe lehtësimi për të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe, të cilët do të vetëkarantinohen në banesë, kërkojnë dhe ndërgjegjësim më të madh qytetar.
"Duke nisur nga ky lehtësim i masave është shumë e rëndësishme të rritet kujdesi vetjak, të respektohen rregullat e reja, ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë. Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus. Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40", tha shefja e epidemiologjisë Eugena Tomini.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 93
Krujë 87
Shkodër 17
Kurbin 14
Kukës 5
Elbasan 4
Mirditë 2
Berat 2
Durrës 1
Korçë 1
Lezhë 1
Lushnje 1
Mat 1
Durrësi ishte një zonë që prej ditësh nuk kishte më asnjë rast pozitiv të konfirmuar, por infeksioni është aktivizuar sërish ditën e sotme me konfirmimin e një rasti pozitiv nga Ministria e Shëndetësisë.
Dy raste të reja janë konfirmuar pozitiv me COVID-19 në qytetin e Elbasanit. Rastet e reja janë të veçuara dhe janë vatra të reja, pasi sipas burimeve nuk janë raste kontakti me të infektuarit e mëparshëm.
Burimet për Report Tv konfirmojnë se një 84-vjeçare nga fshati Mengel dhe një 50-vjeçar janë konfirmuar pozitiv mbrëmjen e djeshme pas bërjes së tamponit.
50-vjeçari punonte shofer në një kompani ndërtimi, ndërsa ështën i karantinuar në banesë.
Ndërsa 84-vjeçarja në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është transportuar drejt spitalit Infektiv, pasi vuan nga sëmundje shoqëruese dhe gjendja e saj paraqitet e rënduar.