Asnjë viktimë nga COVID në 24 orë, por rritet numri i pacientëve në terapi intensive! 82 raste pozitivë, infektohet pedagogia në Gjirokastër (VIDEO)

Pavarësisht se sot nuk është raportuar asnjë vdekje nga koronavirusi, situata në spitalin infektiv është e rëndë. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, pacientët në terapi intensive janë duke u shtuar, ndërsa në spital janë 84 persona të shtruar. Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë shënuar 82 raste të reja me koronavirus.

"Situata në spitalin infektiv paraqitet serioze. Është rritur numri i të shtruarve dhe rëndohet situata shëndetësore e pacientëve në terarapi intensive. Aktualisht janë të shtruar 84 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 6 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rënde. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 401 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 30 raste në Tiranë, 11 në Shkodër, 6 në Kukës, 5 në Elbasan, nga 4 raste në Bulqizë, Krujë, Berat, Malësi e Madhe, nga 3 raste Kavajë, Përmet, 2 në Korçë, nga 1 rast në Pukë, Mirditë, Kamëz, Gjirokastër, Tepelenë, Dibër.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar në 1832 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në vendin tonë janë 1273 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Rekomandimi për qytetarët
Ruani distancën nga të tjerët të paktën 1.5 metër;
Mbani maskë në ambiente të mbyllura dhe kudo ku nuk mund të ruani distancën;
Ruani higjienën personale dhe kolektive
Nëse keni shenja të sëmundjes izolohuni dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

COVID-19 – Statistika (9 Korrik 2020)

Testime totale (molekulare dhe serologjike)   31,093

Raste pozitive               3188

Raste të shëruara         1832

Raste Aktive                 1273

Humbje jete                  83 (Qarku Tiranë 46, Durrës 13, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 12, Kukës 1, Elbasan 2, Lezhë 1, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                  509

Durrës                  215

Shkodër               173

Vlorë                    116

Lezhë                   64

Fier                      41

Elbasan                33

Korçë                   32

Kukës                   32

Berat                    24

Gjirokastër          17

Dibër          17

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:29
Ministria e Shëndetësisë: Tre prej pacientëve të intubuar te Spitali Infektiv, mosha të reja! COVID-i ekziston

1594199173_1590223397koronavirusi3.jpg

Në përgjigje të të gjithë atyre personave që thonë se koronavirusi nuk ekziston, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije te spitali Infektiv janë të intubuar tre persona në moshë të re. "Dhe akoma mes nesh që thonë se s’ka COVID! Po nuk e besoni, shkoni tek infektivi, ku aktualisht 6 persona janë të intubuar, mes tyre tre janë në moshë të re: 45, 46, 49 vjeç. Kjo nuk është lojë. Kush e konsideron lojë apo konspiracion, na rrezikon të gjithëve, Duhet marrë me shumë seriozitet kjo situatë, është shumë serioze”, tha ministrja.

Ora 13:48
39-vjeçarja e prekur me COVID në Tepelenë sillet me urgjencë në Tiranë, tamponë prindërve të saj

Në Tepelenë është shënuar sot një rast i ri me koronavirus që burime bëjnë me dije se është një 39-vjeçare nga fshati Nivicë, e cila është nisur me urgjencë drejt Tiranës pak minuta më parë, sapo është mësuar se është e prekur.

Rasti konfirmohet nga NJVKSH Tepelene ku specifikon se 39-vjeçarja kishte ardhur nga Tirana para disa ditësh tek prindërit e saj në fshatin Nivicë dhe më pas kishte ndjerë simptoma të ngjashme me ato të COVID-19.

Kanë qenë inspektorët e NJVKSH ata që kanë marrë tampon tek 39-vjeçarja e cila sapo u konfirmua me këtë virus. NJVKSH sapo ka marrë tampone tek prindërit dhe tek kontaktet e 39-vjeçares në fshat.

 

Ora 13:29
4 nga 5 rastet pozitive në Dibër familjarë të mjekut epidemiolog, në monitorim vëllai që punon në minierë

Katër nga pesë të infektuarit e ditës së sotme në qarkun e Dibrës janë familjarë të mjekut që doli pozitiv të martën. Burime bëjnë me dije se këta janë persona që kanë patur kontakt të ngushtë me mjekun epidemiolog, i cili ndodhet në spitalin infektiv pas përkeqësimit të shëndetit të tij.

Ndërkohë ka nisur hetimi epidemiologjik i kontakteve të këtyre rasteve pasi vëllai i mjekut punon në minierën e Bulqizës.

Aktualisht në Dibër janë 17 raste aktive me koronavirus.

Ora 12:27
Dy rastet me COVID në Korçë, persona kontakti! Janë vetëizoluar

Dy rastet e konfirmuara sot ne Korçë janë kontakte të personave qe së fundmi kanë rezultuar pozitive. Te dy janë  banorë të qytetit të Korcës dhe ndodhen të vetkarantinuar në banesat e tyre

Ora 12:14
Pedagogia e Universitetit të Gjirokastrës e infektuar me COVID-19, zv/rektori: Nuk ka vend për panik, po bëhet dezinfektimi i auditoreve! (VIDEO)

Një pedagoge e Universitetit të Gjirokastës është infektuar me koronavirus. Lajmin e ka bërë të ditur për Report TV, zv/rektori Jaho Canaj, i cili tha se kolegia e tij është në gjendje të mirë shëndetësore.  Sipas tij autoritetet kanë marrë të gjitha informacionet per personat e kontaktit.

"Një prej kolegeve tona ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Sapo është marrë ky njoftim rektorati u mblodh dhe mori masat për të eliminuar përhapjen e koronavirusit. U morën informacionet kush ishin kontaktet e pedagoges, ishte një pedagoge dhe data e provimit të saj korrespondoi me 3 studentë sepse ishte provim i mbartur. Nuk ka vend për panik. Kolegia jonë është në gjendje të mirë shëndetësore. Është vetëizoluar në shtëpi dhe janë marrë masat për tu vetëkanrantinuar personat e kontaktit", tha Canaj.

Zv/rektori bëri të ditur se është izoluar godina B dhe është dezinfektuar i gjithë ambienti.

"Është izoluar godina B ku gjendet fakulteti ekonomik, janë dezinfektuar auditorët dhe për 24 orë do të jetë i hapur për tu zhvilluar mësimi", tha Canaj.

Ora 11:28
Rastet pozitive në Berat, mes katër të infektuarave një infermiere në Urën Vajgurore

Në rrethin e Beratit sot kanë rezultuar pozitiv me koronavirus katër persona, ndërsa burime bëjnë me dije edhe nga ku vijnë. Dy prej tyre janë punonjës të Drejtorisë së Shëndetit Publik, ndërsa një është në fasoneri dhe rasti tjetër një infermiere në Urën Vajgurore.

Ora 08:40
Krujë, 4 raste të reja me koronavirus

Pas Tiranës, Kruja është një nga vatrat më nxehta, ku janë regjistruar më shumë raste me koronavirus.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se nga 28 testime, 4 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Deri tani në vendin tonë e kanë humbur betejën me COVID 83 persona. 

Autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të ndërgjegjësohen për respektimin e masave të vendosura, pasi në spitalin infektiv janë shtruar edhe të rinj. Ndërsa bizneset duhet të respektojnë protokollet. Sipas ministrisë, situata në spitalin infektiv paraqitet serioze, ku ka rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në terapi intensive dhe është rritur numri i pacientëve të intubuar. 

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Zëvendësministri rus paralajmëron: Moska po shqyrton opsionet nëse SHBA vijon me testin bërthamor

Zëvendësministri rus paralajmëron: Moska po shqyrton opsionet nëse SHBA vijon me testin bërthamor