26-vjeçari Ervin Bixhi do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve nga prokuroria e Tiranës për aksidentin me vdekje të ndodhur në Laprakë mëngjesin e 4 janarit.

Masa e sigurisë arrest me burg Bixhit iu komunikua në ambientet  e spitalit ku qëndron pas aksidentit, në të cilin pësoi dhe vetë dëmtime.

Në aksident humbi jetën 28-vjecarja Xhenisa Trebeshina, e cila udhëtonte së bashku me Bixhin dhe ishte pasagjere në vendin e parë të fuoristradës që nga hetimet rezulton se ka shkelur semaforin e kuq.

Bixhi mësohet se nuk ka kundërshtuar masën e sigurisë arrest me burg ndërsa gjendja e tij shëndetësore pas ndërhyrjes së mjekëve rezulton të jetë jashtë rrezikut për jetën.

Në këtë aksident mbetën të plagosur edhe shtetësja F.F. dhe oficeri i policisë së komisariatit të Lushnjës, GJ.K.

Në dinamikën e rindërtuar nga hetuesit, ka rezultuar se fuoristrada me targa italiane, e drejtuar nga efektivi policisë, ka qenë duke u kthyer në të majtë për të hyrë në rrugën drejt spitalit të traumës.

Në momentin që me sinjal të ndezur futet deri në gjysmën e rrugës në kryqëzim, përplaset nga mjeti i drejtuar nga Ervin Bixhi, i cili jo vetëm shkel semaforin e kuq por rezulton se ka qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

d.i./Shqiptarja.com