TIRANE- Pesë gjyqtarët që dhanë pafajësi për 10 anëtarët e organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, janë caktuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
Me vendimin nr.88 të 8 korrikut 2016 dhe 4 nëntorit 2016, KLD ka vendosur të delegojë një trupë gjyqësore me 5 gjyqtarë, për të gjykuar dosjen e 10 të pandehurve.
 
Ky vendim është marrë në kushtet kur Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda, nuk kishte trupë gjyqësore tjetër, pasi të gjithë gjyqtarët ishin ezauruar në gjykimin e kësaj dosje.
 
Kështu sipas vendimit të KLD Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Tiranë dhe Korçë Alaudin Malaj, Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo, delegohen në përbërje të trupit gjykues për të gjykuar për llogari të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, çështjen penale në ngarkim të të pandehurve: Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Çaka, Nikolin Novruzaj, etj; të akuzuar për: Forma të veçanta të bashkëpunimit, vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, vrasje e mbetur në tentativë, vjedhja me pasojë vdekjen, vjedhje me dhunë, etj.


(d.b/Shqiptarja.com)