TIRANË-Shkollat, cerdhet e kopshtet publike apo private do të qëndrojnë mbyllur deri më 16 Janar. Ky është vendimi më i fundit mëson Shqiptarja.com duke cituar burime qeveritare.

Institucionet arsimore ishin parashikuar të hapeshin në datën 4 janar, por me një urdhër para pak ditësh, Qeveria vendosi që pushimi të zgjaste deri ditën e hënë, (9 Janar).

Por për shkak se epidemia e gripit ka përfshirë mijëra banorë ndërsa moti nuk premton përmirësim, burime nga qeveria pohojnë se, pushimi për sistemin parauniversitar pritet të zgjasë deri më 16 Janar.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në një komunikim telefonik për Report Tv u shpreh se, nuk ka ende një vendim zyrtar, por po shqyrtohet mundësia që pushimi për sistemin parauniversitar të mund të zgjasë dhe disa ditë.

“Besoj se deri nesër në mëngjes do të kemi një vendim. Situata është dinamike dhe ne po vijojmë ta ndjekim me dinamikë. Kështu qoftë ju dhe publiku do të njoftohen paradite sesi do të jetë procesi mësimor për javën e ardhshme. Edhe dje në mbledhjen e Emergjencave u shpreha se po e shqyrtojmë si mundësi, pas vendimit që u mor në datën 3 Janar që të shtynim nisjen e procesit mësimor, tani do dalim sërish me një vendim tjetër”, tha Beqaj.

Sa i përket situatës së gripit, ministri u shpreh se situata është e rënduar, ku më të riskuarit janë fëmijët, moshat e treta dhe të sëmurët kronikë.
“Duhet që prindërit të tregojnë kujdes për fëmijët. Moshat e treta e sidomos të sëmurët kronikë janë më të riskuarit. Në reanimacion ka të sëmurë rëndë që u është shtuar dhe gripi. Ajrosni ambientet, pini sa më shumë lëngje, qëndroni në në të ngrohtë, shmangni ambientet me shumë njerëz”, tha Beqaj.

Ndërkohë Shqiptarja.com mëson se zyrtarisht janë 19 mijë persona të prekur nga virusi i gripit stinor.