TIRANË-Kryeministri Edi Rama drekë me peshkatarët në Portin e Durrësit. I ulur mes tyre, me pjata ku menu kryesore kanë qenë prodhimet e detit, Rama ka dëgjuar nga afër shqetësimet e peshkatarëve.
 
Në krye të tryezës së improvizuar pranë detit, është kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Dreka transmetohet Live në Facebook, në faqen e  kryeministrit.

“Gjendja është skandaloze, edhe jetën e njerëzve nuk e kemi të garantuar, jo mjetet jo e jo. Nëse ia lë porosi Vangjushit dhe po e mori përsipër, ne ia hodhëm”, tha një nga peshkatarët.

Teksa ka dëgjuar shqetësimet, kryeministri nuk ka hezituar të bëjë batuta me peshkatarët.

Rama ka pranuar se kushtet janë mjerane. “E drejtë, kur u futa unë këtu, thashë o zot, si burgu i detit”.

“Kur Kryeministri nuk di not, nuk di të bëj port”, ka thënë Rama, duke i njohur peshkatarët me projektin që pritet të bëhet.

Rama teksa ka publikuar këtë video online në rrjetin social, Facebook, ka theksuar se “Ekonomia e peshkimit nga një rrumpallë në 2013 në një treg të formalizuar ku sot numërohen 1000 vende më shumë…”

Shkollat profesionale, peshkatari: Unë kam 25 egjiptianë. Kryeministri: Pse?
Njëri prej peshkatarëve e ka lavdëruar kryeministrin për cështjen e shkollave profesionale.  “Për atë arsimin profesional ke bërë gjënë më të mirë”.
Peshkatari: Unë kam 25 egjiptianë nën shërbimin tim në anije
Rama: Po pse egjiptianë
Peshkatari: Se kanë shkollë peshkimi
Rama: Epo shkolla jonë e peshkimit do bëhet tani dhe do keni punonjësit tuaj profesionale. Sepse nuk mund të merrni një jurist peshkatar

rama
(Moment nga dreka me peshkataret)

Anija peng ne Egjipt, Rama-peshkatarit: Foli Bushatit ne telefon
Gjatë drekës në Durrës, një peshkatar i ka shprehur shqetësimin kryeministrit Rama për varkën e peshkimit që ja kanë mbajtur peng në Egjipt dhe pa paguar 50 mijë euro nuk ja japin.

Peshkatari i kërkoi ndihmë kryeministrit, ndërsa ky i fundit i thotë se në dijeninë e tij problemi ishte zgjidhur. Në atë moment Rama i kërkon Vangjush Dakos t’i telefonojë ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Teksa Bushati e hap telefonin, Gjushi ia kalon Ramës.

“O Ditmir fol pak të lutem me këtë zotërinë për punën e asaj varkës”, i thotë kryeministri dhe i kalon telefonin peshkatarit.

Një tjetër peshkatar i pranishëm në tavolinë i thotë për Bushatin: “Është çun i urtë ai, nuk të zgjidh gjë”.

Ndërsa Rama ia kthen: “Edhe aq i urtë sa duket nuk është jo...”.

Rama nuk pranon të pijë verë
Në drekë bie në sy që të gjithë pijnë vetëm ujë.  Historitë legjendare të peshkatarëve janë zakonisht me rum, por peshkatarët  shqiptarë janë tek vera e rakia.
 
Në një moment peshkatarët e kërkojnë leje kryeministrit Edi Rama për të pirë verë, por kryeministri nuk i lejon. 
 
Peshkatari: Mund ta qisim ndonjë gotë vere, do na japësh leje.
 
Rama: Jo mo lere tashi se kemi punë tjetër.

VKM fut ne siklet Ramen
Një moment tjetër i sikletshëm për kryeministrin gjatë kësaj dreke ka qenë kur një peshkatar i thotë se kishte dalë në aeroport për t’i marrë firmën për një VKM qarkulluese. Kjo u anashkalua në bisedë e sipër, pa dhënë më shumë detaje se çfarë ishte konkretisht ajo VKM dhe si mundet që kryeministri të firmosë në aeroporte një Vendim të Këshillit të Ministrave.