​Tahiri-Blushit:S'e prisja nga ty,kush
është bandit Majko, unë, Dashi?

​Tahiri-Blushit:S'e prisja nga ty,kush<br />është bandit Majko, unë, Dashi?
Mjaft i ashpër me deputetin Ben Blushi në reagimin e tij ka qënë edhe ministri Tahiri i cili i tha drejtëpërdrejtë Blushit se edhe sipas tij nuk është socialist
 
"Ti Blush the se s'je më socialist se ne mbrojmë bandat edhe sipas meje nuk je më"-tha Tahiri
 
Tahiri në mbështetje të pohimit që bëri Blushi se nuk e ndjen më veten pjesë të PS  pasi PS mbron bandat e krimit i tha drejtëpërdrejtë nga foltorja Blushit se nuk pret prej tij të tilla akuza
 
"Nuk u preka pak nga ajo që dëgjova. Për sa kohë kjo foltore është kthyer në atë të akuzës dhe gjykimit ndaj kujtdo pa asnjë kufi moral e respekt ndaj atyre që në këtë sallë as kanë pasur, kanë e do kenë ndoshta mundësinë e as është e drejtë ti quash si pjesë e PS të lidhur me krimin, bandave e me radhë. Unë hyj te ata që jam akuzuar nga opozita e Berisha pafundësisht, kam dëgjuar që edhe bombat në shtëpinë time i kam vënë vetë, që jam i lidhur me drogën e jam mafioz, që drejtoj trafikun e drogës, kultivimin, e atje lart janë ca të rinj, e jashtë sallës të tjerë, që s’na kanë kusur të dëgjojnë akuza, e as për parti të mbrojnë banditët. I fundit që do doja të dëgjoja të tilla gjëra je ti Blush, se është një gjë ta dëgjosh nga Saliu e opozita se kjo është pjesa e të bërit politikë, por jo nga ty e të thuash që s’je socialist se socialistët mbrojnë kriminelët nuk e pranoj, jam i fyer. Kush i mbron bandidët këtu, unë, Dashi, Pandi, Gramozi, Erjoni e me radhë? Moza e di këtë.

Ka qenë në krahun tim në disa beteja. E di fort mirë qasjen tonë si parti, me shtetin, me ligjin. Ne ndahemi me të kaluarën, shumë, këtu në këtë Kuvend e kam pyetur Berishën pse e mban Sefgjinin në detyrë edhe kur ishte në arrest shtëpie, ne ndahemi edhe kur një kryetar bashkie i PS, po, i mbështetur nga PS deri në momentin kur me fakte të pakundërshtueshme doli që ka probleme që nuk e zgjidh me PS-­në, por duhet ta zgjidhë me drejtësinë. Ky është qëndrimi im, duhet të mbrojmë këdo, i cili anëtar apo anëtar i PS, i emëruar apo zgjedhur, është vënë në bankën e të akuzuarve nga Berisha kot me kot, pa akuzë dhe ndahemi kur faktet na vënë përballë realitetit që ne nuk e pranojm
ë. Askush nga ne s’mbron kërkënd që ka problem me drejtësinë, por askush nuk vihet në bankën e të akuzuarve të opozitës që e ka kthyer modë akuzën ndaj kundërshtarit”, tha Tahiri.

*****
Fjala e plotë e ministrit Tahiri

Kjo nuk ka të bëjë as me gjithçka që kam bërë deri më sot. Kjo ka të bëjë me besimin (që kam unë me shumë kolegë të tjerë këtu) për këtë që bëjmë duke pasur një ideal që shkon përtej foltores e mureve të Parlamentit.
 
E kush u përmend tjetër këtu? Unë, Dashi, Pandi, Fatmiri, Gramozi, Bashkimi, Erjoni e shumë të tjerë këtu që nuk po i përmend. Kush i mbron këtu banditët?
 
Partia Socialiste nuk ka ndodhur kurrë të ketë pasur ndonjë qasje më të ndryshme në raport me shtetin ligjor dhe ligjin – se kjo që ka ndodhur sot, dje dhe çdo ditë. Moza e di këtë: ka qenë në krahun tim në disa beteja (të vetat apo të Partisë Socialiste),. E di fort mirë qasjen tonë si parti (me shtetin, me ligjin). E kjo nuk është një çështje që duhet të na verë përballë gjykimin “Ç’qëndrim kemi me individin” (me cilindo individ). Kjo është një çështje që duhet të na verë përballë me vendimmarrjen politike dhe publike të Partisë Socialiste dhe të qeverisë.
 
E çfarë u themi qytetarëve? U themi që këtu në Parlament është legjitime të vish e të akuzosh këdo, të drejtosh gishtin ndaj kujtdo, të bësh këtu edhe Prokurorin edhe Gjyqtarin: “Ky i akuzuar!”, “Ai i dënuar”, “Ky bandit!”, “Ky mbron banditin!” ?!
 
Jo , nuk është kjo Shqipëria. Nuk është ky Parlamenti. Unë e refuzoj fare idenë që këtu, në këtë Parlament “paska kriminelë më shumë nga ç’paska pasur”, “paska banditë më shumë nga ç’ka pasur”, “paska njerëz që kanë shkelur ligjin më shumë nga ç’ka pasur”. As nuk merrem me këtë, kjo është çështje që i takon institucioneve. Unë pres që në këtë Parlament të gjykohemi (secili për veten, e më pas të gjithë bashkë kolektivisht) për vendimet që marrim. Sepse mbas 2013-ës ky Parlament është ngritur mbi një rrënojë të mbi dy dekadave. Rrënojë morale (e kush thotë ndryshe e ka gabim). Rrënojë morale të cilën na duhet ta rikuperojmë të gjithë bashkë me njerëzit që janë jashtë kësaj salle e me ata të rinj atje që vijnë këtu për të dëgjuar çfarë themi ne për ta, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, si ta rrisim ekonominë më shumë, si ta bëjmë shoqërinë më të drejtë, si të përmirësojmë sistemin e drejtësisë.
 
E kjo nuk bëhet duke pasur akuzatorë apo gjyqtarë këtu në sallën e Parlamentit. Dëgjova që ti Blush the që nuk je më socialist “sepse Socialistët mbrojnë bandat”. Dakord, kjo është çështja jote. Edhe sipas meje nuk je më, në fakt. Por kjo nuk ka të bëjë me logjikën që ve pas kësaj. Kjo ka të bëjë me sa të drejtë duhet të jemi me njëri-tjetrin e mbi të gjitha sa bashkërisht duhet të jemi të drejtë me qytetarët.
 
Ne ndahemi shumë me të kaluarën. Këtu, në këtë Parlament, e kam pyetur personalisht Sali Berishën: “Pse e mban në Sevgjinin në detyrë edhe kur ishte në arrest shtëpie?”. Ne ndahemi me të kaluarën edhe për këtë shkak kur në rastin konkret, një kryetar Bashkie, patjetër i mbështetur nga socialistët dhe Partia Socialiste – deri në momentin kur, me fakte të pakundërshtueshme, doli që ka një problem që nuk mund ta zgjidhë dot më me Partinë Socialiste por me drejtësinë (në Shqipëri apo jashtë saj).
 
Ky është qëndrimi ynë! Ky është qëndrimi ynë dhe ne (kolegët e mi, miqtë e mi, anëtarët dhe anëtaret e Partisë Socialiste) duhet të mbrojmë këdo, i cili anëtarë apo anëtare e Partisë Socialiste, i emëruar apo i zgjedhur është vënë në bankën e të akuzuarve nga Sali Berisha kot më kot. Pa asnjë akuzë. Dhe ndahemi me këta në momentin kur, fakte të pakundërshtueshme na vënë përballë një realiteti, të cilin ne nuk e kemi pranuar dhe nuk e pranojmë as sot. Kjo ndodhi! Ky është ndryshimi i madh i të djeshmes me të sotmen. Ky është ndryshimi i madh i qeverisë së djeshme me qeverinë e sotme, i mazhorancës së djeshme me mazhorancën e sotme. Ky është ndryshimi i madh që kemi ne me anëtarët dhe anëtaret e Partisë Socialiste. Dhe mbi të gjitha ky është ndryshimi i madh që kemi ne me qytetarët. Këtu ndahemi. Dhe këto janë linja të pakundërshtueshme, të cilat na dallojnë ne për besimin që na dhanë shqiptarët në 2013-n, e që besojnë akoma.
 
Sot u bë i ditur një sondazh për perceptimin e publikut në luftën kundër korrupsionit. Ka hapa shumë pozitiv përpara. Askush nga ne në këtë sallë (i opozitës apo i mazhorancës) nuk thotë që është zgjidhur gjithçka lidhur me korrupsionin. Por të paktën biem të gjithë dakord dhe këtë e tregojnë dhe sondazhet, që jemi në rrugën e duhur. Kjo nuk është gjithçka, por nuk është pak. E po kështu në luftën kundër krimit. E po kështu në çdo reformë që ka ndërmarrë qeveria. Po kjo nuk është gjithçka, ne jemi të parët që e pranojmë vet. Nuk është gjithçka, por nuk është pak.
 
 Pikërisht për këtë shkak, këtu të paktën, në këtë foltore duhet të jemi më të drejtë me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha me ata që na dëgjojnë. Askush nga ne nuk mbron kërrkënd që ka një problem me drejtësinë. Po askush nga ne nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve vetëm pse është përballë një opozite, që dje ishte në qeveri, e që e ka kthyer në modë baltosjen, shpifjen, akuzën  e pamasë ndaj kujtdo që është kundërshtarë.
 
Ta përsëris - unë jam akuzuar - dhe deri që kam vënë bomba në familjen time. Këtu ka njerëz që janë akuzuar për çmendurira nga më të ndryshmet. Do me akuzosh dhe ti që i kam vënë unë bombat në familjen time?
 
Kjo është mënyra për të bërë politikë në këtë foltore? Kjo është mënyra për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo që s’bënë punën ashtu siç mendon ti apo siç mendojmë ne shumë këtu. Jo, nuk është kjo mënyra.
 
 
Kjo qeveri mund të ketë shumë gjëra për të përmirësuar. Ne kemi shumë gjëra për të bërë përpara. Po kjo kurrë nuk është mënyra për të akuzuar njëri-tjetrin dhe për të hedhur baltë ndaj njëri-tjetrit. Dhe kjo nuk ka lidhje me qeverisjen. Kjo ka lidhje me raportin që duhet të kemi të gjithë bashkë me shtetin ligjor edhe me drejtësinë. Prandaj ne jemi partizanët më të mëdhenj të reformës në sistemin e drejtësisë. Pikërisht për këtë shkak.
 
 
Në qoftë se ka një gjë që duhet të bëjmë siç duhet është: Të ecim përpara për të miratuar reformën në drejtësi pa pasur nevojë të dalim këtu dhe të bëjë njëri prokurorin dhe tjetri gjyqtarin.
 
 
Kjo nuk është të jesh socialist. Kjo është të jesh mbi të gjitha qytetar i mirë. Pastaj socialistë a demokratë s’ka lidhje fare.
Faleminderit!
 


Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi