Dy shoferët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të cilët u ndaluan nga policia greke, pasi po transportonin libra shqip, janë liruar disa orë pas ndalimit. 

Ka qenë ndërhyrja e ambasadës shqiptare në Athinë, që ka mundësuar edhe lirimin e dy shqiptarëve. Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Glevin Dervishi. Dy shoferët e Ministrisë së Jashtme po transportonin në drejtim të Greqisë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë atje. 

Arrestimi i dy shoferëve
Autoritetet greke kanë raportuar se dy shoferët e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë u arrestuan pasi transportonin me vete harta ku ishte skicuar Shqipëria e Madhe. Ata u ndaluan në kufi nga policia greke.

Dy shoferëve, Altin Tafa dhe Agim Asllani, pas kontrollit ndaj tyre, u janë gjetur abetaret dhe libra në shqip. Sipas policisë greke, këta dy shtetas, kishin me vete edhe harta të Shqipërisë së Madhe, të cilët e kanë cilësuar si përmbajtje sensitive.

Ndalimi i tyre është bërë në Janinë, ku edhe janë shoqëruar në komisariatin e këtij qyteti. 

Akuza që rëndon mbi ta është "shpërndarja e materialeve me përmbajtje propagande" si dhe "cënohen marrëdhëniet mes dy shteteve.

d.b-l.q/Shqiptarja.com