Vetëm rastësia na dha një dhuratë të ҫmuar: dokumentacionin që na ndihmoi të identfikonim disa kohë më parë flamurin që është valavitur në Vlorë në 3 shtator 1920, kur qyteti u ҫlirua nga pushtimi italian. Ndodhi fare papritur. Po kërkonim në Arkivin e Shtetit për të gjetur dokumente, që ndoshta do të na ҫonin pranë zbulimit të Flamurit të Pavarësisë. Në fondin etnografik të Istitutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, ruhen shumë flamuj historikë, është si të thuash banka e thesareve të triumfeve kombëtare. Për një gjysëm shekulli këta thesare mbetën të harruar, enigmatikë në atë që fshhnin në vetvete. Të rrije përpara tyre, e t’i vështroje, të lindëte detyrimi për të gjetur enigmën. Aq më tepër që prej kohe trashëgohej një thënie, se Flamuri i Pavarësisë ndodhej në fondin etnografik. Na ngriti mëndjen! A mund t’i rezistonte njeri në Shqipëri kësaj thënieje? Ja pra përse i u vumë punës për të gjetur dokumente, që do ta përqasnin ndonjë flamur me shenjtërinë.
Në Arkiv gjetëm disa dokumente që flasin për flamurin e Luftës së Vlorës. Po i rreshtojmë.
1-Nga dokumentacioni që lidhet me veprimtarinë e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar për vitin 1932:
Fondi 201. Dosja 29. Viti1932. Faqe 7
Dhurata për Muzeun Kombëtar
…………….
V. Lef Nosi. Flamurin që u pat ngreh në Vlonë, ditën kur ky qytet i u lëshue Qeverisë Kombëtare.
2- Një shkresë të vitit 1934, që Muzeu Kombëtar i a drejtonte Ministrisë së Arsimit, ku ndër të tjera thuhej se ata kishin në ruajtje “Një flamur të mëndafshtë me theka të arta dhe me kravatë të kuqe, që na udorëzua nga Mënistërija e Arësimitë të 30në të Dimëruarit’ 1932. Shënimet’ që kemi mbi të thonë se ky flamur’ qe shtëllitur’ në Vlorë, ditën’ që qyteti ulirua nga ushtërija e huajë”. Kjo shkresë gjëndet në: Ministria Arsimit. Fondi 295. Dosja 1. Viti 1934.
3-Ministrija Arsimit nga anë e N. M. së T. Mbretit;
Fali: nji flamur të mëndafshët (të kuq me shkabën e zezë) me theka të arta, me kravatë të kuqe edhe kjo me theka të arta. Ky flamur ka qenë ngrehun në Vlonë pas si u lërue qyteti nga ushtërijat e hueja më 1920.
Tiranë, më 3 Shëndre 1932
Kjo dëftesë âsht nji me origjinalin që ju dërgua Adjutanturës
Tiranë, 3. IV. 1935
(Hasan Ceka)
(Vetëm firma)
(E gjithe dëftesa është me shkrim dore. F. S.)
4-A.SH. Fondi 195. Viti 1935. Dosja 90. Faqe 74-78
MINISRTI E ARSIMIT
Prot 1422/II
Tiranë, më________
P. T.
Në lidhje me shkresën t’onë N: 1422, d. 29/III/1935.
Kemi nderin me ju njoftue se kopja e shpatës së Skenderbeut i u dorëzue sot Muzes Kombëtare me porosi që t’a ekspozoj bashkë me helmin në nji vend të posaçëm dhe të dukshëm të Sallës kryesore.
Bashk me dëftesën e dorëzimit të lëshueme prej drejtoris s’Institutit në fjalë, kemi nderin me i u përcjellë edhe fëtesën e dorëzimit të Flamurit që u ngref në Vlonë, mbas lirimit të qytetit nga ushtërit e hueja më 1920.
Ministri
Mirash Ivanaj
Nisur me 30/III/1935
5- A.SH. fondi 195. Viti 1935. Dosja 90. Faqe 75
M. A.
Nr i 477/869
Një flamur i Vlorësë
Ministëjës’ së Arësimitë
Q y t e t
Me volijën’ e dorëzimit’ të shpatës’ së Skënderbergut’, për të cilën’ ka për t’ubërë fjalë në shkresë të posaqëme, gjetëm’ të nevojëshm,e të kujtojëm’ një të jetër’ dhuratë të çëmuarë që M. e Tijë Mbreti pati mirësijën’ t’i bënjë Muzejës’ Kombëtare me anën e Mënistërijës’ së Arësimitë nga fundi i vitit’ 1932.
Mbë 30 Dimëruar të vitit’ në fjalë e Shkëlq Ministërijë pati mirësijën’ të na dorëzonjë – pa e përsjellur’ me shkresë – një flamur kombëtar të mëndafshëtë për të cilin’ na upat shënuarë se ishte muu ay flamur që valoj në Vlorë ditën’ 17 Gusht 1920 , (17 gusht është me kalendarin e vjetër, sepse me të riun i takon datës 3 shtator. F. S.), që qyteti ka qënë shliruarë nga pushtimi i huajë.
Kallzimi i si - e –qyshët’ i trajtës’ së këtij flamuri ka pas’ qënë shtruarë në dorë-dëftesën’ tënë Nr.i B.424, të lëshuar mbë 30 Dimëruar 1932, dhe një dorë të dytë të së cilësë kemi nderin të mpështesim’ pas kësaj shkrese.
Tiranë, 30 Mars 1936
Drejtori
Nr. B. 424
Duke lexuar këtë dokumentacion kupton menjëherë varfërinë e tij në të dhënat që jep. Të gjithë flamujt janë të kuq dhe kanë shqiponjën e zezë. Por nuk përmenden dimensionet e flamurit, që për identifikime të atyre kohërave, kur nuk kishte standard të raporteve gjatësi-gjerësi, janë shumë ndihmëse. Edhe për kravatën ka mangësi, njëherë thuhet se ka theka, ndërsa një herë tjetër nuk i përmend. E vetmja gjë që e veçon rastin nga tërësia e flamujve të ndryshëm, janë thekët.
Qenia e njëkohëshme në fondin etnografik e dy flamujve të kuq, e të mëndafshtë, me shqiponjë të zezë, të mbëdhej, e me theka “të arta”, por vetëm e një gravate me thekë “të arta” , pa numër inventari, e dokumentracion dorëzimi,e vështirëson identifikimin.
U ndoqën të dyja rastet.
Flamuri është i madh, dimensionet e tij janë: 143 X 118 cm. Në mes është qëndisur një shqiponjë dykrenore, jo e zakontë për nga forma. Madje ka qenë pikërisht kjo shqiponjë me formë të pa ndeshur më parë, që bënte edhe specialistët e heraldikës që të stepeshin në përcaktimet e tyre. Flamuri rrethohet nga thekë të verdha, por jo të arta siҫ thuhet në atë shkresën e ministrisë, por imitacione të arit. Flamuri ka edhe një kravatë të kuqe, edhe ajo me thekë të verdha metalike, që vijnë si spirale. Është flamur nga ata që mbaheshin në shkop, ku kapej me disa lidhëse, katër, por që njëra mungon.
Nga mbrapa ka një etiketë. Nga kjo etiketë mësojmë që ky flamur të jetë prodhuar në Napoli nga Firma C. Ҫiotola & Figlio, me adresë: Via Daomo 298-300 Napoli. E kërkuam në internet, por sot ajo firmë nuk gjindet.
Gjatë të gjithë kohës, vite të tëra, mendimet endeshin në thellësinë e misterit të formës së çuditëshme të shqiponjës dhe përpjekjeve për ta sqaruar atë dhe se si erdhi ky flamur në Shqipëri. Kërkuam në mundësinë e përdorimit në zonat jugore të pushtimit Italian. Por asgjë. Një mendim ishte për t’u lidhur me institucionet historike të Napolit dhe me arbëreshët. Edhe me koleksionistët shqiptarë. Dhe ja, Z. Artan Lame gjen nje fotografi, Foto 2, ku paraqitet Zogu në zyrën e tij në kohën kur ka qenë president, ose kryeministër. Në sfond qëndron i varur flamuri. Kërkimet e mëtejshme në internet na plotësuan koleksionin me një tjetër fotografi, ku Zogu, në të njëjtin funksion, paraqitet në zyrën e tij, së bashku me Ceno bej Kryeziun, Foto 3. Përsëri në sfond i njëjti flamur. Ceno bej Kryesiu është vrarë në atentat me 14 tetor të vitit 1927. Pra, deri në këtë datë jemi të sigurtë që flamuri ka qenë në zyrën e Ahmet Zogut.
A mund të jetë ky flamuri i Luftës së Vlorës? Kjo pyetje do të merrte përgjigje në se Lef Nosi i ka pas “huajtur” Ahmet Zogut flamurin e koleksionuar dhe ta ketë marrë më vonë, e ta ketë dhuruar për Muzeun Kombëtar. Por një dokument, që ta vërtetojë këtë variant, nuk kemi arritur ta gjejmë deri më sot.
Flamuri u gjet rastësisht nga ish punonjësja e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Ariola Prifti, e cila ka një meritë të padiskutueshme. Flamuri ishte shumë i dëmtuar dhe na u desh dy ditë punë për ta shtrirë dhe për ta parë me kujdes. Është i madh e prej mëndafshi, i kuq me shqiponjën e zezë në mes dhe me thekë anash. Duke e vërejtur me imtësi mund të dallojmë se figura e shqiponjës konturohet me një shirit të bardhë, i cili ose është mbuluar me bojë të zezë, ose është fshirë, gjë e cila duhet të ndiqet me analizat përkatëse në seksionin tërthor, gjë që nuk e kemi bërë akoma. Por më interesantja është se në barkun e shqiponjës, në pjesën e poshtme, dallohet një shqiponjë e brendashkruar, Foto 5. Ky është një tipar i flamujve të Aladro Kastriotit. Vite më parë kam lexuar kalimthi dhe pa i kushtuar ndonjë kujdes të veçantë në dokumentacionin e Arkivit të Shtetit, pakë a shumë, se “Lef Nosi thotë se flamuri i Aladro Kastriotit ka të brendashkruar në barkun e shqiponjës një shqiponjë më të vogël”.
Flamuri për të cilin po flasim nuk ishte i shoqëruar me kravatë. Por kjo nuk e shmang nga “konkurenca”. Në se vërtet është ky flamuri i Luftës së Vlorës, arsyeja e mungesës së kravatës mund të shpjegohet me peripecitë e kaluara gjatë qenies së tij në magazinazh në periudhën e luftës.
Le të shohim edhe ndonjë mundësi tjetër. Kemi vetëm një rast, flamurin e çetës “Besa-Besën”, për të cilin Kol Rodhe, udhëheqësi i çetës, pretendon të jetë flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë me 28 nëntor 1912 dhe që është dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1933. Mirëpo këtë e mohon zyrtarisht Muzeu Kombëtar. Mbas polemikave të shumta të zhvilluara për këtë çështje, Kristo Kirka, i cili pretendon se e risolli flamurin nga Amerika, botoi në gazetën “Drita” me 31 janar 1937 shkrimin “Mbi Flamurin e 28 Nëntorit 1912”, ku ndër të tjera thotë se “…flamuri ndodhet në zyrat e Ministrisë s’Arsimit”.
Le ta analizojmë. Mbas çlirimit janë marrë nëpër instiucione sende të ndryshme dhe janë dorëzuar pa inventar në “sistemin muzeor” të asaj kohe. Kemi plot shembuj të tillë, si vulat e administratës, etj. Duke u bazuar në thënien e Kristo Kirkës, mundet që flamuri të ketë qenë në Ministrinë e Arsimit dhe pastaj të jetë dorëzuar. Mirëpo bëhet fjalë për flamurin e çetës “Besa-Besën”, i ardhur nga Amerika. Nuk kemi ndonjë foto të atij flamuri, që të bënim krahasimin, por kemi një flamur të Shoqërisë “Besa-Besën”, që e ruan në koleksionin e tij Z. Shpëtim Sala, Ndryshojnë. Duke parë edhe flamuj të tjerë të shqipatrëve në Amerikë, vërejmë se shqiponja merr për nga shqiponja amerikane, me flatrat lart. Ky nuk i ka. Gjithashtu qenia e shqiponjës së brendashkruar, hedh poshtë çdo hamendësim të flamurit te çetës “Besa-Besën”.
Në dokumentacionin që ruhet në Arkivin e Shtetit, nuk bëhet fjalë për flamuj të tjerë. Atëhere, duke vënë në pjatën e peshores të dyja rastet, do të ulet pjata e flamurit të Luftës së Vlorës.
***
E tani, le të thomi disa fjalë për Luftën e Vlorës?
U kuptua se Italia nuk donte të ikte me të mirë. Atëhere deputetët e Vlorës në Këshillin Kombëtar, Qazim Koculi dhe Spiro Koleka, vendosën për çlirimin e Vlorës me luftë. Qeveria e Tiranës, me kryeministër Sulejman Delvinën, bëri sikur nuk i përkrahu, ndërkohë përgatiti situatën për të përballuar luftën.
Filluan luftimet e para. Qeveria e Italisë i u ankua qeverisë së Tiranës, por qeveria e Tiranës e mohoi që të kishte lidhje me kryengritësit.
U krijua Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare. Qindra vullnetarë u mblodhën në fshatin Beun. Tani kishte një ushtri sa për tu dhënë një ultimatum italianëve. Dhe i a dërguan gjeneral Piaҫentinit: duke i dhënë afat për t’u larguar nga Vlora deri me datë 4 qershor 1920.
Mirëpo gjeneral Piaҫentini kishte në Shqipëri 20000 ushtarë, shumë anije lufte dhe ndjehej i sigurtë, kështu që nuk e mori parasysh ultimatumin e komitetit te Mbrojtjes Kombëtare.
Sulmi i forcave shqiptare filloi në mbrëmjen e 5 qershorit. Deri vonë, rrugës për në Kuz Baba dhe në ullishtet e Vlorës gjeje shumë gurë varresh me emra italianësh me datëlindje të ndryshme, por me vit të njëjtë vdekjeje, 1920. I kam parë deri në vitin 1966. Kur kalonim andej i lexonim duke kujtuar Luftën e Vlorës.
Me 9 qershor Piaҫentini mori nga kryengritësit një tjetër mesazh për ta dorëzonte qytetin pa luftë. Për të përballuar situatën PiaçentiniMe u detyrua që me 10 qershor të merrte peng qytetarë të Vlorës, edhe gra, e fëmijë. Për të shmangur masakrën Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare urdhëroi kryengritësit, që të tërhiqeshin nga qyteti.
Ndërkohë çështja e Vlorës ishte bërë kombëtare. Nga e gjithë Shqipëria dolën vullnetarë, që shkuan në Vlorë. Këtu po gjej rastin të shpreh një patriotizëm që prek sedrën e familjes time: edhe xhaxhai im, Teodor Stamati, vullnetar nga Durrësi, mori pjesë në atë luftë, ku edhe u plagos. Duke kërkuar falje për këtë episod të vogël në krahasim me madhësinë dhe madhështinë e asaj lufte, po vazhdoj historinë e ngjarjeve.
Ndër trupat italiane ra malarja. Po e keqja më e madhe po vinte nga Italia. Komunistët italaianë pengonin transportet, ushtarët kundërshtonin të hypnin në vaporre e të vinin në Shqipëri. Kryeministri italian e pa situatën tejet të rënduar, ndaj u përpoq që të shpëtonte ҫfarë të mundej. Ai dërgoi në Tiranë baronin Alioti, por që nuk arriti të bënte gjë.
Lufta nuk po mund të mbahej dot. Me 17 korrik shpërtheu përsëri. Kryengritësit hynë në rrethinat e qytetit. Qeveria italiane dërgoi në Tiranë një tjetër negociator, kontin Manzoni. U arrit një marrëveshje shpëtimi, që u nënshkrua me 20 gusht. Ushtria italiane filloi evakuimin e saj dhe me 3 shtator, kur nuk mbeti më ushtar pushtues në Vlorë, populli i entusiazmuar valaviti këtë flamur.
Shumë, e shumë vjet ai qëndroi në enigmatikën e vet, por më në fund shpalosi të vërtetën. Vallë sa pika loti kanë rënë mbi të? Sa buzë janë mbështetur në pëlhurën e kuqe të mëndafshtë? Sa duar e kanë prekur? Të gjithë ata sot nuk janë më, por mbeten të mishëruar në tërësinë e tij, përgjithmonë!