99 vjetori i kryeqytetit/ Gojëdhënat: Tirana qytet që në kohën e Skënderbeut

99 vjetori i kryeqytetit/ Gojëdhënat: Tirana qytet që në kohën e Skënderbeut

Një pjesë ende e konsiderojnë Tiranën si një ish fshat që u bë vërtetë qytet rreth 99 vjet më parë, kur u mor vendimi që të bëhej kryeqytet i Shqipërisë. Më 11 shkurt 1920, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i marrë në Kongresin e Lushnjës (janar 1920). Ndërkohë që zyrat qeveritare ishin në Durrës, bëhej e vështirë qeverisja e vendit, sepse Durrësi ishte i pushtuar nga italianët. Kongresi i Lushnjës shqyrtoi si mundësi edhe Vlorën, e cila u konsiderua kryeqyteti i parë i Shqipërisë pas pavarësisë së vendit nga Ismail Qemali në 1912-n. Por Vlora ishte larg nga veriu i vendit. Më pas një tjetër mundësi ishte Shkodra, qyteti më i madh i Shqipërisë, por Shkodra ishte pranë Malit të zi, me të cilin gjithashtu vendi ynë kishte probleme. Zgjidhja më e mirë mbeti Tirana, për pozicionin gjeografik që kishte në qendër të vendit. Në fakt si qytet ishte në një gjendje të mjeruar, me shtëpi përdhese, por që nuk i mungonte gjelbërimi, kopshtet dhe disa vila luksoze të bejlerëve. Gjithashtu për faktin se kishte xhaminë dhe pazarin e madh, ishte shumë e frekuntueshme nga fshatarët përreth, që e konsideronin si qendër komunikimi dhe zhvillimi. Kjo ka krijuar opinionin se Tirana është aq rishtare sa e ka merituar të quhet qytet vetëm 99 vjet më parë.

Për të treguar zhvillimin dhe ecurinë e kryeqyteti në vite, Arkiva e Shtetit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës ka çelur në Kalanë e Tiranës një ekspozitë me foto e dokumente që rrëfejnë historinë e formimit dhe zhvillimit të kryeqytetit. Në kohën që hidheshin themelet e kryeqytetit dhe diskutohej vendimi përfundimtar, studiuesit e atyre viteve kanë mbledhur gojëdhënat popullore rreth kohës së themelimit të Tiranës si qytet. Sipas këtyre faksimileve të ekspozuara në 99-vjetorin e kryeqytetit të Shqipërisë lihet të kuptohet se jo vetëm Tirana, por edhe Mulleti e Petrela kanë qenë qytete të mëdha që njiheshin që nga koha e Skënderbeut dhe kanë qenë rrënuar para 350-400 vjetëve nga Turqit. Studiuesi rrëfen dy legjenda interesante që tregojnë rrënjët e një qyteti të madh 500-vjeçar Tiranë dhe historinë e themelimit të këtij qyteti nga kontributi që dha një bari i Sulejman Beut, feudalit më të madh të kohës. Ndërkohë Tirana kryeqytet do të zhvillohej vetëm 3 vite në 1923-shin, kur u bë plani i parë rregullues i Tiranës i përpiluar nga arkitektët austriakë. Por formën e kryeqytetit që kemi sot, e dhanë dy arkitektet e famshëm të Musolinit, Florestano Di Fausto and Armando Brasini, etj që dizenjuan gjithë ndërtesat qeveritare që ndodhen sot rreth sheshit “Skëndërbej” dhe ato janë aty sot e kësaj dite. Tirana u konfirmua si kryeqytet i Shqipërisë në dhjetor të 1925-s. Studimi i gojëdhënave shkon në një linjë paralele me të dhënat e historianëve të sotëm që tregojnë se në të fakt, Tirana ka qenë gjithnjë një kryqëzim mes rrugëve të hershme të qyteteve të mëdha. Rruga nga Dalmacia kalonte në Ulqin, Shkodër, Lezhë dhe shkonte në lindje të vendit duke kaluar në rrethinat e Tiranës, përmes Qafë- Kërrabës, Elbasan. Një tjetër rrugë e rëndësishme ishte Rruga Egnatia, e cila lidhte gjithë qytetet qendrore të Shqipërisë dhe vazhdonte drejt Manastirit, Selanikut e Stambollit. Tirana në kryqëzim të kësaj rruge që lidhte Veriun e vendit me detin duke kaluar përmes Shën Gjergjit. Një tjetër rrugë vinte nga Kavaja dhe shkonte në Ndroq, përmes Ura e Beshirit, Qafa e Tujanit dhe vazhdonte ne Dibër e Maqedoni. Nëse shihni këto tre rrugë, kryqëzoheshin në Tiranë, në Sheshin Skënderbej. Po sa afër janë legjendat e ekspozitës “Tirana 99 vjet kryeqytet” nga studimet historike.

Gojëdhënat popullore autoktone të Tiranës

Ja çfarë shkruhet në faksimilet nga historiku i Tiranës 1939. Gojëdhëna të mbledhura nga Osman Myderizi.

“Gojëdhëna që mbahet e gjallë edhe sot në popullin e Tiranës lidhet me thirrjen ne Stamboll të Sulejman Beut. Që e tregon në këtë mënyrë: Sulejman Beu kishte pasur një bari dhensh. Që një mëngjes tue shti ujë duersh për me la sytë, i kishte treguar një andërr të çuditshme që e kishte pa natën. Sikur në krah të djathtë i kishte lerë dielli e në krah të majtë hana. Sulejman Beu në interpretim të kësaj andre kuptoi se Sulejman Beu do të bahet njeri i madh. Dhe plot besim në interpretimin e vet, thirri bariun. Dhe e porosit me lanë dhentë e me shkue për me kërkue fatin e tij.

Thirrja në Stamboll e Sulejman Beut që i ishte bërë nga bariu që ishte bërë tashma njeri i madh dhe i mallëngjyer nga kujtimet e jetës së shkuar në Mullet, e bëri të ndjente nevojën për ta shpërblyer beun e vet për gëzimin e fatit të tij të shkëlqyeshëm.

Në mes të favoreve që pat Sulejman Beu në Stamboll, prej ish bariut, qe edhe një ferman për të ngritur një qytet të ri në fushën që shtrihet mes Lanës dhe Reglatës, përmes kodrave të Selitës e Saukut. Aty një gojëdhanë mbajtur gjallë në popull tregonte se ka qenë një qytet.

Mbasi u kthye në Mullet në ditë me disa njerëz të vet doli të kontrollonte vendin ku do të ngrifej qyteti. Dhe vendosi të ndërtoj tri ndërtesa: të parën një xhami, një furrë e një haman. Që janë si tri kontribute të para krejt  të nevojshëm për një jetë qytetare. Të vumit e themeleve të këtyre tri ndërtesave në vendin ku u caktua, nuk u bë pa kundërshtime, pse i zoti i fushës Selim Beu një feudal i fortë q’e kishte ndodhjen e tij ne Selitë, një katund afër Tiranës,  nuk e kishte shitur vendin e nuk i kishte lejuar kurrkujt me ngref ndërtesa në tokën e tij. Por sa u prenë londit në pyllin që mbulonte një pjesë të fushës, u ngritën tri ndërtesat e para. Ndërtesa e parë e qytetit si Xhamija e vjetër, themelue në 1023 arabisht, domethënë në 1604, datë që më vonë u muerr si kryedatë e themelimit të Tiranës. Tashti ashtë për ty pyetë se emrin Tiranë nga e gjet Sulejman Beu, që i vu qytetit të ri. Vallë asht ky emni i ndonjë qyteti të vjetër të shumë gjurmëve të të cilit ndofta po ngrihej ky i riu, apo ashtë ndonjë amën i isnpiruem nga rasat e themeluesi desh ta mbaj si kujtim për veprën e tij?

Një gojëdhanë e Tiranës na thotë se Sulejman Beu emnin e  qytetit e muarr nga një plakë, që e gjetë kur po kontrollonte për të shënue vendin. Tye tirë anë në prag të kasolles së vet në brez të Lanës, andej nga do të ngrihej qyteti, të cilën ai sa e paka pa e paska pyet se ca po bënte? Ajo iu paska përgjigjë:

-Po tir an.......!

E ai këtë përgjigje të plakës e paska marr si emën që e paska quajt qytetin e ri Tir-anë...!

Mirëpo një gojëdhanë tjetër e vjetër, e ruajtur sot në Bendë Malësi e Tiranës, tregon se në fushë ku është ngref qyteti i ri, andej pak më poshtë nga është Kroi i Shëngjinit, ka qenë dikur një qytet i madh, i quajtun Tiranë, në të cilin Skënderbeu e kishte si zakon të hajë drekën, gjithsaherë i takonte të shkojë prej Kruje në Petrelë e viçavaras. Pas kësaj gojëdhane, që besojmë të jetë e gjallë, në kohë që u themelua Tirana, edhe në Mullet, qyeti i ri u ndërtua në gjurmë të qytetit të vjetër, që duket u prish në kohë të luftërave me turq, tue ruajt gjithnjë edhe emnin e tij të motshëm. Tirana e vjetër për të cilën flet gojëdhana e Bendës  e bënë të sigurt se ka ekzistue në kohë të Skënderbeut, sepse të gjithë qytetet e vjetra rrotull kanë gjurmët e qëndrimit të tij në këto qytete. (Dokumenti është shkruar në dialektin e kohës)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë