"Bashkia pranon shkeljen e ligjit për rritjen e taksave"

(16/12/2001)TIRANE Juristja e Bashkisë pranon se institucioni që ai përfaqëson ka thyer ligjet, ndërsa gjykata e Tiranës vendos të kundërtën. Kështu ka shkuar gjyqi i hapur nga katër anëtarë të Këshillit Bashkiak Agim Zeka, Kujtim Gjuzi, Genci Ramaj dhe Neritan Alibali ndaj tri vendimeve të marra në Këshillin Bashkiak. Objekti i padisë së bërë nga katër këshilltarët lidhet me shfuqizimin e tri vendimeve, përkatësisht: "Për vendosjen e taksës së përkohëshme në Parkun e madh të Tiranës", "Për ndryshimin e buxhetit të vitit 2001" si dhe vendimin "Për vendosjen e tarifave të shërbimeve që ofron Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit Urban". Sipas 4 këshilltarëve që kanë bërë padi në Gjykatë, të tri vendimet e mësipërme bien në kundërshtim me ligjin 8652 "Për organizimin e funksionimin e Qeverisjes Vendore", ndërsa miratimi i tyre është bërë me më pak vota se sa i parashikon ligji. Ka qenë kjo arsyeja që detyroi këshilltarët të shkonin në fillim te Prefekti, në atë kohë Taulant Dedja për rishikimin e vendimeve, më pas duke mos marrë asnjë përgjigje u bë denoncim në Gjykatën Kushtetuese, por pas dy muajsh përgjigjia u erdhi se këto çështje shqyrtohen në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Kështu 4 këshilltarët hapën gjyq kundra Këshillit Bashkiak në këtë Gjykatë. Javës që shkoi u zhvillua gjyqi, ndërsa trupi gjykues morri vendimin e rrëzimit të padisë nga 4 këshilltarët. Sipas trupit gjykues padia ishte ngritur jashtë afatit 10 ditor, ndërsa së dyti në vërejtjet e tyre shënohet se paditësve nuk i cënohet asnjë e drejtë nga vendimet të cilat tashmë janë vënë në ekzekutim nga Kryetari i Bashkisë. "Juristja që mbrojti Bashkinë pranoi se Këshilli Bashkiak kishte thyer ligjet, ndërsa vendimi i trupit gjykues ishte i pa pritshëm, pasi pala e paditur pranoi" - thotë këshilltari Agim Zeka, duke iu drejtuar të gjithë banorëve krye-qytetas të prekur nga vendimet e Bashkisë të mos paguajnë asnjë taksë, pasi çështja është në gjyq. Ndërsa katër këshilltarët çështjen e tyre e kanë hedhur në Apel.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Tragjedia në Shkodër, gra e vajza denonconi dhunën! Rezultati i sondazhit të shqiptarja.com