Durrës-Bari: Kapet me 8 kg heroinë inxhinieri

(28/3/2002) BARI Vazhdon seriali i drogës që kalon nga Porti i Durrësit duke u zbuluar më pas në Bari. Kësaj radhe plot 8 kilogramë heroinë me vlerë rreth 150 mijë euro i janë gjetur në serbatorin e makinës inxhinierit të anijeve, Sami Braimi. Madje sipas policisë italiane e ndarë në porcione të vogla, heroina mund të kapë një vlerë më shumë se 3 milionë e 800 mijë euro. Shqiptari i arrestuar është 49 vjeç, me profesion inxhinier anijesh dhe kishte hapur një aktivitet në Torino ku jeton bashkë me familjen. Hetuesit e kanë përcaktuar si një person pa asnjë njollë në të kaluarën dhe fare i padyshimtë. Në fakt 49-vjeçari nuk ka pranuar të ketë dijeni për drogën e gjetur. Ai ka deklaruar se përgjegjës mund të jetë një mekanik në Shqipëri, i cili kishte rregulluar makinën pak para nisjes, pasi kishte humbje benzine. Braimi udhëtonte me një "Ford Escort", e cila ishte e pajisur edhe me një impiant gazi, dhe ishte blerë e përdorur rreth 20 ditë më parë. Sipas policisë ndoshta është marrë pikërisht për të transportuar drogë. Heroina, prej rreth 7 kilogramësh e gjysëm, krejtësisht e pastër ishte ndarë në pako të vogla dhe ishte fshehur në një hapësirë të krijuar në serbatorin e benzinës, e mbyllur më pas nga sipër me një pllakë alumini. 49-vjeçari, është nisur nga Porti i Durrësit dhe ka kaluar kontrollet kufitare pa asnjë problem. Makina duhej të ishte nisur që 1 javë më parë, por është penguar në Durrës, pikërisht nga fakti që automjeti derdhte benzinë. Pikërisht për këtë arsye policia ka dyshuar dhe e ka kontrolluar më imtësisht. Italianët kanë dyshuar nga era e rëndë e benzinës dhe nga fakti që Braimi nuk ka ditur të japë shumë sqarime. Për të zbuluar drogën hetuesve italianë u është dashur ta dërgojnë makinën në ofiçinë dhe të çmontojnë serbatorin e pjesët e brendshme.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie