Granatë në zyrën e Dedjes, "Ma dhanë këtë pako për ty"

TIRANE (8/11/2000) Granatë në zyrën e Prefektit Taulant Dedja. Bashkim Muceku, 43 vjeç, banues në Laprakë ka hyrë dje në zyrën e Dedjes me një granatë në dorë. Ndërkohë është lajmëruar grupi i gatshëm i Rajonit nr.3, që kanë bërë të mundur shoqërimin e 43- vjeçarit. Vetë Dedja ka treguar se është përpjekur të ruajë gjakftohtësinë, gjë që duket dhe se ka bërë të mundur që të shmanget tragjedia. Ngjarja Rreth orës 8.30 të mëngjesit të djeshëm, pas dy takimeve të para në zyrën e Prefektit, është paraqitur Bashkim Muceku, banor i lagjes Laprakë në Tiranë. Sapo është ulur në prezencë të shefit të Kabinetit dhe Dedjes, 43-vjeçari ka nxjerrë nga xhepi një pako të mbështjellë. "Hape, e kam sjellë për ty këtë pako", i është drejtuar Mucaku prefektit Dedja dhe kur ky ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, ai e ka bërë vetë. Por mbas heqjes së letrës së ambalazhit ka ndodhur dhe surpriza. Brenda saj ndodhej një granatë, por që fatmirësisht ishte e paaktivizuar. Vetëm gjakftohtësia e dy zyrtarëve ka shmangur komplikimin e paparashikueshëm të situatës. Biseda ka vazhduar qetësisht, ndonëse mbi tryeze qëndronte granata luftarake. Më pas është lajmëruar përgjegjësi i zyrës së rendit e mbrojtjes në Prefekturë dhe grupi i gatshëm, që ndaluan menjëherë Mucakun. Letra Pak ditë më parë Bashkim Muceku i kishte nisur një letër Dedjes, ku kërkonte një takim me të. Letra fliste për disa rregullime në infrastrukturën e Laprakës, ku nuk harroheshin së përmenduri interesat kombëtare. Ndërkohë 43-vjeçari është takuar me prefektin, duke i sjellë një granatë "dhuratë". Masat e sigurisë në institucionet e klasifikuara të rëndësisë së veçantë janë minimale. Ngjarja e djeshme në Prefekturë është pothuaj analoge me ngjarjen në komedinë "Prefekti" e Levonjës. Pasazhe të komedisë janë afërsisht njësoj: "Do t'vi njoni e do t'thotë, merre kte hurmë arabie e veja Prefektit mbi tavolinë". Sëmundja Pas ndërhyrjes së grupit të gatshëm të komisariatit nr.3 të policisë u arrit në përfundimin se Bashkim Muceku është me çrregullime nervore. Pas pyetjeve drejtuar tij, 43-vjeçari i ka thënë se një person ia ka dhënë në dorë granatën dhe i ka premtuar se në prefekturë do t'i jepnin para, pasi aty grumbulloheshin armët. Prefekti i Tiranës, Taulant Dedja, thotë për "Gazeta Shqiptare": "Nuk pata frikë në momentin që pashë granatën, pasi vura re se ishte e çaktivizuar, madje edhe Bashkimin e trajtuam me qetësi, duke parë gjendjen shëndetësore të tij".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nxiti protesta masive, presidentja e Gjeorgjisë i vë veton ligjit për 'agjentë të huaj'