Kolonelët, "sulm" drejt Kuvendit

TIRANE (5/31/2001) Gjeneralë, kolonelë, majorë e kapitenë policie janë duke konkurruar për t'u futur në Parlamentin e ri shqiptar. Eshtë hera e parë në historinë parlamentare të shtetit tonë që kryepolicët, të propozuar nga partitë apo edhe të kandiduar si të pavarur, pretendojnë të futen në tempullin e ligjvënësve. Vetëm Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë nxjerë në listat e tyre përfundimtare 7 emra, të gjithë ish-shefa sektorësh të rëndësishëm në polici. Numri i të propozuarve "nga baza" në fazën e parë ka qenë edhe më i madh, por dekonspirimi i emrave të tyre në shtyp dhe sidomos frika për një "njollosje" të uniformave blu për zgjedhjet e shkuara dhe ato që presim, i ka detyruar krerët e 2 partive rivale të "skarcojnë" shumë emra të njohur të Ministrisë së Rendit Publik. Kryepolicë të PS Nga shumë ish-kryepolicë që u propozuan të jenë si kandidatë të Partisë Socialiste për të përfaqësuar popullin në Parlamentin e ri, ngelën vetëm tre. Emrat e tyre janë: kolonel Gëzim Goxhi, i cili kandidon në Has; major Xhevahir Karai, që ka nisur aktualisht fushatën e tij dhe të partisë që përfaqëson në Fushë Krujë, dhe kapiteni i parë, Preng Laskaj, që është duke luftuar për t'u futur në Parlamentin e ri, në një prej zonave elektorale të Kurbinit. Të tre këta kryepolicë vetëm pak ditë përpara shpalljes zyrtare të "luftës" elektorale, janë liruar nga detyrat e tyre dhe, në vend të kostumeve blu policore, kanë veshur ata të kandidatëve për deputetë, në jakat e të cilëve është montuar stema e Partisë Socialiste. Kështu, kolonel Gëzim Goxhi nuk është më nën drejtor i policisë kufitare në Ministrinë e Rendit Publik. Ka qënë Namik Dokle ai që e ka prezantuar të veshur me një kostum civil në Has, vetëm nja javë më parë. Major Xhevahir Karai "ka braktisur" postin e shefit të Rendit në një prej komisariateve të Tiranës dhe, bashkë me një staf të fuqishëm, ka nisur punën për të zënë vendin në Parlamentin e ri. Faktikisht ai ka marrë "famë" jo për këtë post që braktisi, por për kohën që ka qenë kryekontrollor në Komisariatin e Rinasit. Preng Laska që kandidon po për Partinë Socialiste në Fushë Krujë, njihet në rrethet policore si shefi i famshëm i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i cili arriti të "sfumojë" dhe të zgjidhë njëkohësisht pengmarrjen e komisarit të Laçit, Luan Mema. Kryepolicë të PD Kandidatët kryepolicë ose, më saktë, që kanë pasur role madhore në drejtim të policisë në kohën që drejtonte PD-ja, janë më spektakolarë se ata që ka partia kundërshtare. Kështu, në krye të listës së tyre, qëndron një gjeneral-major. Bëhet fjalë për të "famshmin" kryepolic të kohës së Berishës, Astrit Meja. Ai kandidon si i zgjedhur nga Partia Demokratike në Ishëm të rrethit të Durrësit. Ka qenë zëvendëskryeministër dhe drejtor i përgjithshëm i policisë në kohën që Ministrinë e Rendit e drejtonte Bashkim Kopliku. Një tjetër ish-kryepolic i përzgjedhur po nga ana e Partisë Demokratike, është edhe Sali Shehu me gradën nënkolonel. Kryepolici që përpara vitit 1998 ka drejtuar Komisariatin nr.2 në kryeqytet, kandidon në rrethin e Dibrës. Ndërkohë mësohet që nëpër partitë e tjera "dytësore" ka emra kandidadësh për deputet që kanë qenë në detyra të rëndësishme në strukturat e Ministrisë së Rendit Publik. Albert Pilo, një nga kolonelët më të njohur të Policisë Shqiptare në 3 vitet e fundit, edhe pse nuk u pranua nga kryesia e Partisë Socialiste si kandidat për deputet, ka vendosur të shpallet si i pavarur po në të njëjtën zonë, atë të Kuçovës. Pilo ka qenë drejtor i policisë në Shkodër, më pas për rreth 1 vit e gjysmë në prefekturën e Durrësit, për të përfunduar nga drejtor i policisë kufitare në shef të Komisariatit të Mallakastrës. Vetëm 10 ditë më parë ai ka dorëzuar detyrën e shefit në këtë komisariat dhe i është "futur punës" për të fituar karrigen e deputetit, pa ndihmën e ndonjë partie.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor