Liqeni në Gjykatën Kushtetuese

TIRANE (5/17/2001) Taksat për lokalet te Liqeni Artificial mbërrijnë në Gjykatën Kushtetuese. Dje 5 anëtarë të Këshillit Bashkiak kanë dorëzuar padinë në institucionin e Drejtësisë, bashkëngjitur me sqarimet përkatëse. Ndërkohë nga prefekti Dedja është ngritur një grup pune për verifikimin e ligjshmërisë së vendimit për vendosjen e taksave në Parkun e Madh të Tiranës. Sipas Dedjes, ende ky grup nuk i ka sjellë një raport përfundimtar të kontrollit. Gjithsesi, objekt për Gjykatën Kushtetuese janë bërë dhe dy vendime të tjera që janë: projektvendimi "Për një ndryshim në buxhetin e vitit 2001 për Bashkinë e Tiranës" dhe projektvendimi "Për tarifat e shërbimeve që ofron Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit Urban". Sipas anëtarëve të Këshillit Bashkiak të opozitës, padia në Gjykatën Kushtetuese për këto projektvendime ka si objekt pabazueshmerinë ligjore të tyre. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 27.04.2001 u votua miratimi për projektvendimin që miratonte vënien e taksave në Parkun e Madh të Tiranës. Në këtë mbledhje merrnin pjesë 29 këshilltarë, prej të cilëve 4 ishin nga të opozitës. Për miratimin e këtyre taksave duhej zbatimi i nenit 33 të ligjit 8652 "Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore", ku saktësohet se për miratimin e këtij projektvendimi duheshin 3/5 e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve ose minimumi 33 vota, ndërsa miratimi u kalua me 25 vota. Ndërkohë, në rregulloren e funksionimit të Këshillit Bashkiak në kapitullin "Rezultatet e votimit" thuhet: "Projektet e Këshillit Bashkiak quhen të miratuara kur ato përputhen me rregullin dhe procedurën e nenit 33 të ligjit nr.8652 "Për organizimin e funksionimin e Qeverisjes Vendore". Këshilltarët Agim Zeka, Aleko Gjergo, Kujtim Gjuzi, Genc Rama dhe Neritan Alibali kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.43, 41 dhe 46, datë 27.04.2001.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Rama: Asnjë forcë tjetër politike s’i ka hyrë detit me këmbë për të pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik, ne rrëzuam ‘monumentin’ e pandëshkueshmërisë