A abuzojnë spitalet private me tarifat? Konkurrenca pas 1 viti ende pa përgjigje: Presim çmimet e rajonit që të nisim hetim

A po abuzojnë spitalet private me çmimet për shërbimet që u ofrojnë qytetarëve shqiptar? Kësaj pyetje dhe kërkese të Kuvendit, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur t’i japë përgjigje edhe pse ka më shumë se 1 vit që i është lënë si rekomandim.

Në Komisionin e Ekonomisë, drejtuesi i Konkurrencës Denar Biba teksa prezantoi raportin vjetor të institucionit tha se nuk ka nisur hetim për spitalet private pasi nuk mund ta vërtetojnë nëse ka apo jo abuzim sepse s’ka çmime reference për shërbimet e tyre.

“Disa nga spitalet private ofrojnë shërbime që mund të kenë pozitë dominante. Ka dominancë në shërbime që i jep vetëm privati dhe nuk i ka spitali publik. Abuzimi me pozitën dominuese, bëhet në çmimet, por ne nuk kemi çmime referenciale për këto shërbime”, tha Biba.

E vetmja metodë për të nisur një hetim mbi këtë treg, sipas Autoritetit të Konkurrencës është duke ballafaquar çmimet e spitaleve private në Shqipëri me ato të rajonit.

“Në këtë pikë i jemi drejtuar homologëve tanë në rajon dhe ende nuk na kanë kthyer përgjigje se sa janë çmimet e këtyre shërbimeve në rajon. Nuk kemi nisur hetim për spitalet private, por nuk nisim hetim. Po presim edhe spitalet e rajonit për të parë se sa janë çmimet e shërbimeve atje, për të bërë një analizë në spitalet tona. Shpresojmë të na vijnë referencat e shteteve të huaja. Ne i dimë çmimet që kanë spitalet private por s’kemi të rajonit që të bëjmë analizën nëse ka abuzim. Presim edhe analizën e çmime që caktojnë privatët”, tha Biba.

“Përsa kohë nuk keni një përgjigje nga homologët, po lodhemi kot apo kjo është forma e vetme që ekziston? S’ka ndonjë metodë tjetër?”, pyet Shalsi.

“Ne nuk na intereson çmimi i spitalit në vendet e rajonit, nuk na intereson të ballafaqojmë spitalin publik me çmimin e shërbimit në spitalin Privat. Koha e hetimit është domethënëse, s’ka sens të thuash pas një viti që po prisni përgjigje, ose s’dini ta bëni ose s’doni ta bëni për arsye të ndryshme”, tha Agalliu.

Biba tha ndër të tjera se vijojnë hetimet në tregun e qumështit dhe ushqimeve.

“Ne lidhje me monitorimin e tregut të qumështit dhe ushqimeve, hetimi është vijues. Kemi mbyllur hetimin me produktet oriz sheqer, tek qumështi hetimi vijon. Ne mund të na kryqëzoni për kohëzgjatjen e hetimeve. Hetimet tona zgjasin”, tha Biba.

Debate në komision ka pasur edhe për çmimet e operatorëve të telefonisë celulare, ku opozita tha se Konkurrenca po lejon një treg monopol me çmime abuzive. Për këtë Biba e kaloi topin tek AKEP, të cilit i është lënë detyrë të monitorojë tregun.

Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga Kuvendi më shumë fonde, burime njerëzore e godina, për realizimin e detyrave të tyre në mbrojtje të konsumatorëve. Po ashtu u ngrit si shqetësim, edhe mos-dhënia e urdhrave ekzekutiv nga gjykata për të velur gjobat.

“Të gjitha vendimet tonë me gjobë janë ankimuar në gjykatë. Në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë në Tiranë, Autoriteti ka pasur 12 çështje në gjykatë, në 4 raste janë rrëzuar paditë, 2 raste janë pranuar, një prej tyre është një çështje shumë sensitive ajo e plehrave kimike ku gjykata vlerësoi se nuk kishte kartel. Ky është një problem, s’dua të krijoj konflikt, ka një lloj paradoksi se në jemi 40 individë të specializuar për të mbrojtur konkurrencën, ndërsa gjyqësori shqiptar është ai që është, ka shumë pak trajnimi, dhe trajnimi i fundit për mbrojtjen e konkurrencës për gjyqtarët është bërë para 8 vitesh, dhe një gjyqtar rrëzoi punën 2- vjeçare të 40 specialistëve. Është e pakëndshme, të shohësh punën tënde të zhbëhet nga një gjyqtar i vetëm. Ka shtete ku vendimi i konkurrencës kalon direkt në Apel, duke e konsideruar autoritetin si kuazi gjykata, si gjykata të Shkallës së Parë. Kemi hasur në probleme edhe me urdhrat e ekzekutimit, kemi vendimet tona që janë tituj ekzekutiv, që janë lënë në fuqi nga gjyqësori dhe nuk dalin urdhrat dhe ne nuk vjelim gjobat sepse gjykata nuk nxjerrë urdhrat e ekzekutimit që prej 2021. Kemi një çështje me 3 ndërmarrje ku për dy nxirren urdhrat e ekzekutimit dhe për një jo”, tha Biba.

K.T./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • abdiu: 05/06/2024 21:07

    Sa te fokusuar jane te tregu i konkurrences keta hajdutet e Autoritetit. Nje tufe bazibozukësh qe vjedhin ku te mundin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen