A do të binden amerikanët për ta bërë 'ves' maskën edhe pas pandemisë?! Flasin ekspertët

A do të binden amerikanët për ta bërë 'ves' maskën edhe pas pandemisë?! Flasin ekspertët

Një vit më parë, nëse shikoje dikë që mbante maskë, mendja të shkonte se ata mund të ishin të sëmurë, ose me fiksime mendore. Por në ditë e sotme, falë pandemisë, përdorimi i maskës për të parandaluar përhapjen e COVID-19 është normaliteti i ri për shumë amerikanë.

Tridhjetë e katër shtete dhe kryeqyeti amerikan Uashington u kërkojnë njerëzve që të mbulojnë fytyrën në mjedise publike. Por a është një zakon që mund të vazhdojë edhe pas pandemisë?

“Pres që disi të bëhet një efekt që mund të zgjasë si puna e një vesi, përdorimi i maskës kur del nga shtëpia,” thotë Dr. Barun Mathema, profesor i epidemiologjisë në Universitetin Kolumbia në Nju Jork. “Por, ndoshta me zbehjen e pandemisë, do të zhduken edhe këto zakone.”

Jo të gjithë amerikanët janë përshtatur me përdorimin e maskave, kryesisht ata që i shikojnë maskat përmes lentes politike. Por pandemitë në të kaluarën kanë ndryshuar edhe prirjet e shoqërisë. Përdorimi maskave është diçka shumë më e zakonshme për Azinë Lindore që nga shpërthimi i virusit SARS në vitin 2003, një sëmundje që prek rrugët e frymëmarrjes.

Por ekspertët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës shprehin dyshime se shumë amerikanë do të vazhdojnë të përdorin maskat pasi të zhduket pandemia.

“Mendoj se sa herë të jemi në sezonin e gripit, më shumë njerëz do të përdorin maskat, por nuk e shoh si një prirje të re për të gjithë vendin,” thotë Dr. Boris Lushniak, dekan i Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin e Merilendit. “Ka qënë mjaft e vështirë që të bindësh njerëzit të përdorin maska mes të gjitha të dhënave dhe raportimeve për këtë pandemi. Mendoj se do të kemi edhe më shumë, por nuk mendoj se do të përhapet gjerësisht.”

Megjithatë, zoti Lushniak, i cili ka qënë zyrtari numër dy për shëndetin në qeverinë amerikane nga nëntori i vitit 2010 deri në shtator të vitit 2015, mendon se shtrëngimi duarve do të zbehet.

“Në të ardhmen, kryesisht gjatë sezonit të gripit, njerëzit nuk do të shtrëngojnë duart dhe do të përshendeten nga larg. Mendoj se do të ketë një ndryshim kulturor me shtrëngimin e duarve.”

Në përgjithësi, amerikanët mund të bëhen më pak sentimentalë kur të takohen me njëri-tjetrin, thotë Dr. Aaron Glatt, zëdhënës i Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës.

“Mendoj se do të ndryshojnë praktikat shoqërore kur dy njerëz takohen, më pak përqafime apo shtrengime duarsh. Do të kemi praktika që konsiderohen të pranueshme siç është përshëndetja e dy njerëzve ndërsa takojnë bërrylat në vend të shtrengimit të duarve. Ndoshta njerëzit nuk do të duan të përqafohen apo puthen me të panjohurit aq shumë sa në të kaluarën,” thotë zoti Glatt i cili është gjithashtu profesor dhe shef pavioni për sëmundjet infektive në spitalin “Mount Sinai South Nassau” në Nju Jork.

Mes prirjeve të tjera që mund të vazhdojnë është edhe pritshmëria e një niveli më të lartë të pastërtisë.

“Kur përjeton diça të tillë si kjo pandemi, pavarësisht ndjenjave politike, është një situatë e frikshme dhe e paparashikueshme. Mendoj se disa prirje që kemi fituar, si vesi i higjenës, ka të gjarë të vazhdojnë deri diku,” thotë Dr. Barun Mathema me Universitetin Kolumbia. “Disa nga këto zakone të përvetësuara si larja e shpeshtë e duarve, përfshirë përdorimi i maskave, dezinfektimi i sipërfaqeve, pra disa nga këto prirje do të vazhdojnë.”

Kjo mund të jenë ana pozitive e pandemisë.

“Mendoj se është rritur ndërgjegjësimi se si mund të përhapen disa sëmundje,” thotë zoti Glatt. “Njerëzit nuk do ta pranojnë papastërtinë, ose higjenën e dobët, madje tani ata pastrojnë edhe gjërat që në të kaluarën nuk u ka shkuar mendja. Ata mund të jenë më të kujdeshëm për të larë dart”.

Industritë gjithashtu mund të ndryshojnë. Gjatë pandemisë shumë biznese kanë hequr nga përdorimi letrat apo kontaktin njerëzor. Është ulur nënshkrimi i faturave, restorantet kanë hequr menutë prej letre ndërsa kompanitë ajrore kanë vënë standarde të reja të pastrimit dhe filtrimit të ajrit.

“Duke qënë përbërësi më i rëndësishëm, industria e sherbimeve e ka kuptuar se pastërtia është e rëndësishme, se dezinfektimi është i rëndësishëm dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë,” thotë zoti Lushniak me Universitetin e Merilendit. “Janë ato lloje praktikash që njerëzit do të kërkojnë dhe në fakt, industri specifike mund të reklamojnë mënyrat e tyre më të mira duke i krahasuar me të tjerët.”

Një tjetër ndikim afatgjatë nga pandemia mund të jetë që më shumë njerëz të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë.

“Ajo që kemi mësuar, por që nuk funksionon në të gjitha rrethanat, është se puna nga distanca ka ofruar mundësi të reja. Kur dikush nuk ndjehet mirë, mund të punojë nga shtëpia, që dikur shihej si një shenjë dobësie,” thotë Lushniak.

Në një botë pas pandemisë, qëndrimi në shtëpi mund të ketë më shumë gjasa të shihet si shenjë mirësjelljeje për kolegët e punës si dhe udhëtarët e transportit publik, si dhe një përpjekje për të ndaluar përhapjen e sëmundjes. /Zeri i Amerikes

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën