A i dorëzoi regjimi i kaluar një “kalë troje” PD-së, deri në shpartallimin e armiqve të tij!

A i dorëzoi regjimi i kaluar një “kalë troje” PD-së, deri në shpartallimin e armiqve të tij!

Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Drejtuesja aktuale e së djathtës gjermane, kancelarja Angela Merkel, feston 67 vjetorin e lindjes gjatë një vizite në Uashington.

Takimi me Joe Biden ishte një takim lamtumire në SHBA, i vlerësuar prej saj pavarësisht disa divergjencave me Donald Trump, si partneri më i madh strategjik i Gjermanisë. Plot 16 vjet në krye të Gjermanisë, Merkel vendosi të largohej plotësisht nga skena politike këtë shtator me dëshirën e saj, duke dhënë një leksion të hapur udhëheqësve të tjerë të së djathtës demokratike kudo në botë, të cilët aspirojnë të ndjekin modelin dhe suksesin e saj.

Sot çdo 30-vjeçar i cili ka lindur në kohën e lindjes së partive të para pluraliste, mund të pyesë me të drejtë: Pse Shqipëria ishte vendi i fundit Europian që rrëzoi sistemin komunist dhe kush e rrëzoi atë?

Ai mund të pyesë po ashtu se, pse vetëm liderit historik të së djathtës shqiptare, si askund në Europë, i është ndaluar të shkojë në SHBA? Këto pyetje ia bën shpesh vetes ndoshta çdokush tjetër, në vendin tonë.

Gjatë protestave dhe demonstratave në vendet e tjera komuniste të Europës, shumica e shqiptarëve nuk ishin vënë ende në dijeni se kishte rënë Muri i Berlinit. Shumica prej tyre as nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte në vende të tjera të Lindjes. Përkundrazi, kur mësuan se regjimi po kërcënohej nga lëvizjet e para, të cilat po ndjeheshin më në fund edhe në Shqipëri, në shkolla, ndërmarrje dhe organizata të ndryshme u ndjenë më tepër lëvizje në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës, sesa pati kërkesa për rrëzimin e regjimit, lëvizje të cilat drejtoheshin nga njerëz që më vonë u denoncuan se u shpërblyen me poste në drejtim të selisë dhe degëve të partisë së parë pluraliste të Shqipërisë, Partisë Demokratike.

Në dhjetorin e ‘90, Ramiz Alia i vënë nën presionin e lëvizjes së studentëve, duke ditur që Shqipëria ishte e vetmja në Europë që kishte mbetur totalisht e izoluar nga Lindja dhe Perëndimi, e kuptoi se kishte ardhur koha që ai para pushtetit duhet të shpëtonte veten, partinë dhe vendin nga kriza. Si zgjidhje Ramiz Alisë i duhej të distancohej me kujdes dhe pa u kuptuar nga vartësit e tij, besnikët e betuar të regjimit të Enver Hoxhës, pasi mund të rrezikonte të dënohej ose të vritej prej tyre për tradhti. Fillimisht ai u detyrua të lejonte krijimin e forcave politike të pavarura, duke shënuar kështu fundin e sistemit njëpartiak. Besohet gjerësisht se në fakt Alia i trembej më tepër kundërshtarëve të regjimit për të mos pasur fatin e Nikolla Çauseshkut, diktatorit komunist të Rumanisë i cili u ekzekutua gjatë trazirave të vitit 1989.

Në Shqipëri pavarësisht protestave dhe rebelimeve sporadike, më 31 mars 1991, Ramiz Alia dhe Partia e drejtuar prej tij fituan zgjedhjet e para pluraliste. Zgjedhjet nuk u kontestuan nga asnjë faktor vendas apo ndërkombëtar. Perëndimi dhe sidomos SHBA nuk mund të pajtoheshin që e njëjta parti që mbajti në këmbë për 50 vite idealin e komunizmit duke shkelur rëndë të drejtat e njeriut, të futej ironikisht në histori edhe për ndërtimin e shtetit pluralist. E kërcënuar se do përfshihej në një krizë të thellë ekonomike, nëse ndryshimi nuk do të ndodhte shpejt, Ramiz Alia kuptoi se i kishte ardhur fundi, edhe nëse do t’a votonte populli. Me siguri përmes një marrëveshjeje të fshehtë, Alia shpalli zgjedhje të parakohshme dhe ia besoi para kohe, ka zëra që thonë me ndihmën e tij, qeverisjen partisë së parë pluraliste të së djathtës. PD do të fitonte për herë të parë dhe të vetme bindshëm zgjedhjet e 1992, nën udhëheqjen e Sali Berishës, i cili mori përsipër të përfaqësonte kundërshtarët e regjimit, ose të përndjekurit politik (ka pretendime se mori përsipër t’i mashtronte), dhe sot njihet si lideri i saj historik.

Edhe pse disa drejtues dhe aktivistë kishin qenë anëtarë të partisë së regjimit të kaluar, të cilët kishin ndryshuar papritur qëndrim, më vonë do të dilnin dokumente që tregonin me saktësi edhe pozitën e kreut të saj, Sali Berishës, si anëtar i Partisë Komuniste deri në ditët e fundit të regjimit.

Ramiz Alia ideoi një pension politik që të ishte sa më komod dhe i qetë pas ndryshimeve që priteshin dhe besoi se do t’i vinte në ndihmë partia e parë pluraliste. Por këtë garanci mund t’ia siguronte një lider i fortë dhe i besueshëm. Në vend të demokratizimit të premtuar të shoqërisë dhe idealeve që ai pretendoi se përfaqësonte, me ardhjen në pushtet, pas burgosjes së Alisë dhe të sidomos të kundërshtarit të tij politik, Fatos Nanos, mbetet e paqartë nëse Berisha pikërisht në këtë periudhë ngriti dyshimet e para në Perëndimin, se ai mund të ishte shfaqur si një nga besnikët e Enver Hoxhës. Komunizmi pas ’90 besohet se u nda në dy klane të mëdha, në mbështetësit e Enverit dhe të Ramizit. Të parët që ishin më konservatorë kaluan dhe u përshtatën në PD, të dytët më liberalë, mbetën në PS.

Berisha, në fakt, akuzohet se kishte bërë fillimisht përpjekje që binin ndesh me parimet demokratike, për të marrë drejtimin e PD-së, dhe jo të pushtetit. Më pas, kur erdhi në një kohë të vështirë lehtësisht në pushtet ai u bë disa herë i njohur në arenën ndërkombëtare me përpjekjet jodemokratike dhe radikale për ta mbajtur ose marrë atë përmes dhunës (zgjedhjet e ‘96, në ‘98 e mori pushtetin me tanke, por u tërhoq pas kërcënimit amerikan).

Ndonëse pati shansin të reformonte të djathtën dhe shoqërinë kur u bë i gjithëpushtetshëm, si Kryetari i PD-së deri më 2013, President për 5 vjet dhe kryeministër për 8 vjet, deputet nga ’91 deri më ‘2021 (2025 nëse respekton mandatin) paralelisht është sot edhe i vetmi politikan i nivelit të lartë në vendin tonë, i shpallur “non-grata” nga SHBA, përmes një akuze të rëndë të cilën ai nuk e pranon dhe paradoksalisht këmbëngul dhe beson te e vërteta e tij.

Në mungesë të institucioneve të besueshme që do t’i jepnin zgjidhje, për të cilat Berisha nuk bëri asnjë përpjekje serioze që t’i ngrinte kur ishte në pushtet, ai sot kërkon që akuzat e tij politike t’ia imponojë me forcë jo vetëm publikut, por edhe Perëndimit.

Ndryshimet e ndodhura nga e majta radikale dhe që i impononte koha në ’91, fatkeqësisht dhe ironikisht duket sikur nuk janë kuptuar ende sot nga partia që pretendon se solli demokracinë dhe përfaqëson idealin e lirive në këtë vend. Sot tetë vjet pas rënies nga pushteti, e djathta është para një fakti që fsheh plot mistere: Berisha sa të jetë në jetë, siç nuk ndodh askund në një parti tjetër demokratike të së djathtës në Europë, është projektuar që të mbetet i vetmi frymëzim i kësaj partie, ose kjo e fundit është projektuar që të mbetet peng i tij!

Përtej akuzave politike besohet se PD-ja në vend të “masakrës zgjedhore” që pretendon publikisht, dhe në vend të një disfate edhe më të rëndë që mund t’i ndodhte, druhej se do të zgjonte lëvizje të reja të së djathtës, por mori në kohë mbështetje nga Edi Rama për t’u rritur në kurriz të LSI-së. Nga ana tjetër, për të mbetur në vëmendjen e Perëndimit si e vetmja alternativë qeverisëse, Ramës të paktën derisa të siguronte edhe një mandat të tretë historik, i duhej një opozitë me PD-në që frymëzohej dhe entuziazmohej ende nga i njëjti lider, si një gabim historik i saj.

Edhe në Kuvendin e thirrur pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe rikonfirmimit të Lulzim Bashës kryetar i saj, kjo parti duket qartazi se për të ndryshuar nuk ka fituar ende intuitën e partisë së Ramiz Alisë, për të kuptuar se ka ardhur pikërisht koha e një ndryshimi të madh, e transformimit total, duke nisur prej riorganizimit, me njerëz dhe ide të reja, me koncepte, mendime, dhe përmes debateve të dobishme dhe strategjive efikase. Mark Marku ishte i vetmi zë ndryshe i cili duket se e kishte kuptuar nevojën e ndryshimit të madh kur foli në mënyrë surprizë në Kuvend për nevojën e rithemelimit të Partisë Demokratike, si e vetmja mënyrë shpëtimi.

Ai i quajti fare të kota të gjitha propozimet dhe vendimet e Kuvendit të PD-së, madje përmendi rrezikun e opozitave të vendeve të tjera me demokraci të brishtë, si në Turqi, Rusi, Bjellorusi, Venezuelë. Si ndryshim, Marku përveç se e quajti Kuvendin e PD-së “teatër absurd”, nuk bëri dot dallim se Perëndimi në këto vende me qeverisje me tepër autokratike sesa demokratike përkrah opozitat, kurse opozitën në Shqipëri e ka kërcënuar jo më larg se dy vite më parë deri aty se ishte gati t’a quante edhe ‘organizatë terroriste’. Nëse në Kuvendin e sotëm, përpos fjalimit të Mark Markut, do të bëhej ky dallim dhe do të kishte një farë reflektimi, PD-ja mund të jepte sadopak shpresë për të gjetur një rrugë, para se të pretendojë sërish rikthimin e saj në pushtet.

Në të kundërt, pritja me entuziazëm e ish-kryeministrit dhe liderit historik të PD-së, Sali Berisha, dhe largimi nga Kuvendi i deputetit demokrat në Tiranë, Agron Shehaj, si dhe injorimi gati i të gjithë zërave të tjerë kritikë ishin treguesit e qartë, të një prove, që shfaqi edhe një herë tjetër të vërtetën e pamundësisë biologjike të kësaj partie për t’u reformuar dhe për t’u prezantuar si një alternativë serioze e së djathtës, edhe atëherë kur këtë ndryshim ia imponon koha si e vetmja alternativë. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Lulzim Basha në zgjedhjet e 25 prillit mori 16208 vota preferenciale, ndërsa Agron Shehaj doli i dyti me 13862 vota.

Kujtojmë se Shehaj nuk kishte postin e kryetarit, as struktura partie me vete dhe nuk ka qenë asnjë ditë në pushtet.

Hakmarrja e fundit e PD-së ndaj Agron Shehajt, duke i hequr të drejtën e fjalës vetëm pse ai kritikoi gjatë kandidimit stilin e lidershipit, si dhe liria që kjo parti pretendon se iu solli apo do t’ju sjellë shqiptarëve janë seritë e paradokseve të mëdha të 30 viteve të ekzistencës së kësaj partie.

Kuvendi i mbledhur i PD-së, jo me entuziazmin e pritjes së Berishës, por me përgjegjësinë që ia impononte koha, kishte shansin që të sillte shpresë tek elektorati i saj, se ajo mund të mbetej ende partia e realizimit të idealeve të reja të së djathtës, jo thjesht partia e përsëritjes së të njëjtave ideale. Por thirrja me kusht apo sa për të larë gojën për rikthimin e mundshëm të Topit, Topallit, Patozit, Hajdarit, Murrizit, Imamit, Nishanit, Harxhit, Kadillit, Bregut, Bodes atj, si dhe nga ana tjetër largimi i turpshëm nga salla i Shehajt dhe lënia në hije e të gjithëve atyre që kritikuan së fundmi stilin dhe mënyrën e lidershipit të kësaj partie, provon më tepër se në ADN-në e saj ekziston fatkeqësisht një mentalitet dhe model si ai i Enverit, por ndryshe nga ai, pa ideale, në kohë dhe sistem të gabuar.

Opozita është sot më tepër se kurrë para rrezikut për t’u alternuar pavarësisht vullnetit të saj, gati njësoj siç ishte nevoja e alternativës së majtë në ‘91, pavarësisht vullnetit që kishte pasur Ramiz Alia në atë kohë. Me gjasa, në zgjedhjet e 2025 qeveria e majtë e drejtuar nga Edi Rama mund të konkurrohet me një opozitë tjetër të djathtë, nëse aktualja refuzon transformimin në kohë që të jetë sa më e vërtetë, me parime dhe ideale më demokratike, më e gatshme për të ngritur institucione të pavarura, më e hapur me publikun dhe më e pranueshme dhe e kuptueshme nga të gjithë faktorët. Koha do të imponojë që ajo të ngrihet sa më shpejt përmes bashkimit të të gjithë të përjashtuarve, nga ata të idealeve të dhjetorit ’90 deri tek të fundit si Agron Shehaj, me të rinj të tjerë më idealistë, dhe me ndihmën e Perëndimit.

Në analizën e humbjes së tretë radhazi në vend të një reflektimi të mundshëm, PD përsëriti të njëjtin refren: Fajin e kishte fituesi i tyre, Edi Rama. Gjatë diskutimeve të shumta në Kuvend për shkaqet e humbjes së PD-së, si “shpresë” e vetme mund të veçohet ai i Grida Dumës, e cila përdori një togfjalësh që mund të ketë tronditur shkencën botërore, ‘varfëria e mirëqenies’.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë