A ka lidhje vrasja e Hasan Prishtinës me disa atentate dhe ofensivën serbe në Ballkan?

A ka lidhje vrasja e Hasan Prishtinës me disa atentate dhe ofensivën serbe në Ballkan?

Hasan Prishtina

Një nga vrasjet më të bujshme në historinë e Shqipërisë është ajo e ish-kryeministrit Hasan Prishtina. Ai njihej si irredentist dhe artikulues i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Kjo do të bëhet shkak, që brenda një kohe të shkurtër, ai të konsiderohet si armik kryesor i Jugosllavisë. 

Angazhimi i H. Prishtinës në ballafaqimet politike shqiptare në vitet 1920-1924 do të shoqërohet me pasoja për karrierën e tij si politikan. Ai shquhej si patriot i ndershëm, por emocional në zgjidhjet që bënte. Kjo dhe pikëpamja për ta çliruar Kosovën me armë e futi në konflikt me pjesën tjetër të politikanëve, të cilët, mendonin se fillimisht ishte e nevojshme të konsolidohej Shqipëria dhe më pas të zgjidhej çështja e Kosovës.

Karakterin e vendosur dhe sinqeritetin e H. Prishtinës e shfrytëzuan kundërshtarët e Ahmet Zogut, që bënin propagandë se ai ishte njeri i Serbisë. Ky disinformacion shkaktoi një armiqësi të pajustifikuar.

Raportet u acaruan edhe për shkak të disa përpjekjeve të H. Prishtinës për ta eleminuar fizikisht A. Zogun. Por, marrëdhëniet midis tyre ndryshuan në vitin 1931. Qeveria italiane bëri përpjekje për të krijuar një front të përbashkët antijugosllav nga Zogu te H. Prishtina. Si ndërmjetës shërbeu ambasadori italian në Vjenë, i cili u përpoq të organizonte një takim mes ministrit të Oborrit Mbretëror Ekrem bej Libohova dhe H. Prishtinës. Nga deklaratat që ky i fundit i bëri ambasadorit italian, theksoi se kishte rënë dakord që brenda pak muajsh të vendosej në krye të një komiteti revolucionar kosovar. Qëllimi i këtij komiteti ishte që të krijohej një forcë ushtarake prej 12.000 vetash me shqiptarët e Kosovës, e cila do të qëndronte në gatishmëri në rast të një konflikti mes Shqipërisë dhe Italisë nga njëra anë dhe Jugosllavisë nga ana tjetër.

Gjithashtu, H. Prishtina i deklaroi ambasadorit italian se kushti thelbësor për jetësimin e këtij programi ishte mbështetja dhe inkurajimi i qeverisë shqiptare. Për këtë, Mbreti Zog i kishte ofruar me anë të publicistit austriak dhe mikut të shqiptarëve dr.Leo Freundlich të pranonte drejtimin e komitetit revolucionar të Kosovës.

Për krijimin e këtij fronti antijugosllav, Mbreti Zog solli në Tiranë drejtuesit e komitetit revolucionar maqedon; dhe së bashku me Italinë e Bullgarinë ndërtuan një darë politike-diplomatike-ushtarake, që ngjalli panik në Beograd. Kjo bëri që shërbimi sekret jugosllav të hidhej në aksion. Më 20 shkurt 1931, ai organizoi dhe financoi atentatin për vrasjen e Mbretit Zog në Vjenë nga Ndok Gjeloshi, Azis Çami, Qazim Mulleti etj. Në vijim të këtij skenari, në gusht të vitit 1933, ai organizoi tre atentate politike brenda 10 ditësh.

- 14 gusht 1933 ekzekutohet në Selanik ish kryeministri H. Prishtina. Sipas gazetës greke “To Fos”, në Beograd të gjitha gazetat dhe partitë theksuan se, në personin e të vrarit u zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri. Madje, një prijës i rrezikshëm i minoriteteve shqiptare në Serbinë e Jugut.

- 18 gusht 1933 i bëhet atentat ish-kryeministrit të Bullgarisë dhe politikanit Aleksandër Zankoff. Dy bombat e hedhura shpërthyen disa hapa larg tij, duke bërë që ai të shpëtonte për një fije.

- 25 gusht 1933 vritet në Kroaci ish-ministri Mirko Neudorfer, anëtar i Partisë së katundarëve kroatë, kundërshtar i Beogradit dhe i nacionalistëve serbë.

A kanë lidhje të gjithë këto atentate me njëri-tjetrin? Apo siç theksonte një gazetë greke për vrasjen e H. Prishtinës, se ato do të qëndronin të mbyllura në korridoret misterioze të Ministrive të Jashtme, duke qenë objekt i marrëveshjeve të fshehta dhe i intrigave të pazbuluara.

Ky është konteksi përse u eleminua H. Prishtina dhe jo interpretimi që i bëjnë kësaj vrasjeje disa historianë, në përputhje me alibinë e shërbimit sekret jugosllav se gjoja atë e eleminoi Zogu.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)