A mund të rigjykohen vendimet e gjyqtarëve të korruptuar? Flasin deputetët e PS

 A mund të rigjykohen vendimet e gjyqtarëve të korruptuar? Flasin deputetët e PS

Deputetët e PS, Spartak Braho, Ulsi Manja, Alket Hyseni, Jurgis Çyrbja, Edmond Leka, Adnor Shameti

Shumë gjyqtarë e prokurorë po humbasin vendet e punës për shkak se rezultojnë nga kontrolli i vettingut me pasuri të pajustifikuar. Dyshimet se këto pasuri janë krijuar nga korrupsioni, e rrjedhimisht nga vendime të padrejta, ngre pyetjen se kush do ta zhbëjë këtë padrejtësi që ju është bërë qytetarëve. Pas debatit që ka nisur prej disa ditësh pas nje edtoriali te Carlo Bollinos, Report TV dhe Shqiptarja.com pyetën sot deputetët socialistë anëtarë të Komisionit të Ligjeve, nëse mund të bëhet një ligj i posaçëm që mund të rigjykojë vendimet e dhëna nga gjyqtarët e korruptuar. 

Qendrimet e deputetëve socialistë, Braho, Hyseni, Leka Çyrbja, Manja e Shameti:

Spartak Braho, deputet i PS: Duhet maturi juridike, ndryshe rrezikojmë ekstremizëm 
Në parim unë jam për rigjykimin e të gjitha çështjeve të cilat kanë një sensibilitet në opinion për anësi dhe shkelje të supozuara në gjykimin e tyre. Dhe shembuj të këtyre gjyqeve të kompromentuara ka dhe janë përmendur plot këto vite. Por çështja e gjykimit të tyre me ligj të posaçëm është delikate dhe e komplikuar. Si kuptohet e vepron ligji i posaçëm? Cilët do të konsiderohen gjyqtarët e korruptuar dhe si do të seleksionohen vendimet e gabuara të tyre apo edhe e të të tjerëve? Në ç’rrugë do të prishen këto vendime, çështje që duhen studiuar me kujdes. Ka ikur koha e ligjeve speciale, të jashtëzakonshme dhe gjykatave të posaçme të vitit 1945-51. Bashkë me to është abroguar edhe dënimi me vdekje, konfiskimet apo shpallja kulak. Është normale që ka një opinion që është i acaruar me korrupsionin e organeve të drejtësisë dhe punonjësve të tyre, që mbështet reformën në drejtësi, procesin e vettingut dhe ndreqjen e padrejtësive të mëdha që janë bërë në dhënien e vendimeve gjyqësore. Është pozitive që ka edhe një shqetësim e angazhim qytetar të mjaft rretheve intelektuale, shoqërisë civile e ndër ta edhe të një pjese të opinionistëve. Por formulimet ligjore për vetë specifikën e tyre nuk mund t’i bëjë e hartojë "populli", as opinionistët, por specialistët e mirëfilltë të ligjit, të zotë e mendjehapur që ndjekin dhe aspirojnë ndryshimin që kërkon koha dhe nevoja për forcimin e shtetit ligjor. Nuk bëhet fjalë për konflikte sociale apo cenim rendi. Çështja është që në të gjithë reformimin e drejtësisë që është një proces i ndërlikuar dhe kompleks, të mbizotërojë maturia ligjore, ligjshmëria dhe jo voluntarizmi e arbitrariteti që nxitin anarkinë dhe ekstremizmin.

Alket Hyseni, deputet i PS: Rigjykimi vetëm përmes kallëzimeve penale të organeve të Vettingut 
 

Së pari unë jam shumë i gëzuar që tashmë arritëm në momentin që po diskutohet thellësia e reformës. Deri para pak kohësh thuhej se reforma po dështonte, nuk kishte sukses, sot kemi ardhur në ditën që po themi se po ikin në mënyrë masive. Ky ishte thelbi i reformës. Të dalin jashtë sistemit gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Besoj që në masë dërrmuese të ardhurat e pa justifikuara janë si pasojë e korrupsionit, dhe është i drejtë shqetësimi qytetar se çfarë përfitojmë nga e gjithë kjo reformë. Mirë do të ishte edhe që të zgjidheshin një sërë problematikash të krijuara si pasojë e këtij sistemi të korruptuar apo të kalbur që ka ekzistuar. Sot ekzistojnë mekanizmat ligjore të rigjykimit, në kodin e procedurës penale apo asaj civile. Unë mendoj që vetëm ky është mekanizmi. Pavarësisht qëllimit të mirë që kemi, apo dëshirës së madhe të gjithë së bashku, ne nuk mund tejkalojmë këto institute. Në këtë kontekst, unë mendoj që duhet të shfrytëzojmë hapësirat ligjore që kemi, institutin e rishikimit për ato raste ekstreme, ku ka pasur devijim të vendimmarrjes si pasojë e korrupsionit. Vettingu nuk duhet të mjaftohet vetëm me nxjerrjen jashtë sistemit. Unë mendoj që për ato raste kur ka prova, dëshmi, për korrupsion, vetë institucionet e vettingut duhet të bëjnë kallëzim penal e të përcjellin në prokurori rastet. Për të kaluar në një moment të dytë, siç është dhënia e një dënimi penal për këdo që ka shkelur ligjin, dënim i cili do të përdorej si element për të rifilluar çështjen gjyqësore për të gjitha ato raste ku ka prova të qarta se është devijuar vendimmarrja për shkak të korrupsionit. Kjo shërben edhe si thirrje për të gjithë qytetarët: Ndihmoni procesin e vettingut me prova, fakte, informacione të sakta, dëshmitarë konkretë, duke çuar dokumente për rastet gjyqësore që ju është bërë drejtësi. Bëjeni tani sa nuk është vonë, në mënyrë që t’i hapni mundësi vetes që të rihapni çështjet gjyqësore. përkundër, unë mendoj që do të ishte vështirësi e madhe pavarësisht dëshirës së mirë, jo çdo gjë lejohet në shtetin e së drejtës, ku nuk kapërcehen limitet kushtetuese. 

Jurgis Çyrbja, deputet i PS: Shqetësimi i drejtë, por ligji i posaçëm na rrezikon 
Është e drejtë që qytetarët të cilët shohin se prokurori apo gjyqtari që ka gjykuar një çështje të tyre, sot shkarkohet nga vettingu për pasuri të pajustifikuar. Po me të drejtë qytetari mendon se ajo pasuri vjen nga korrupsioni që pala e tij kundërshtare në proces mund të ketë paguar. Shtrohet pyetja nëse mund të zhbëhet dëmi që i është shkaktuar këtij qytetari? Kodet tona të procedurës parashikojnë rastet e rigjykimit kur dalin prova të reja. Të dhënat e vettingut mund të përbëjnë prova të reja, të mjaftueshme për rigjykime të caktuara. Unë mendoj se çdo qytetar duhet të veprojë tani duke i ofruar KPK-së prova e fakte për rastet kur mendon se i është shkelur e drejta. Një ligj special? Mendoj që do të përbënte rrezik duke e futur rrafshin tonë ligjor e juridik në një kolaps të pafundmë e të pasuksesshëm.

Adnor Shameti, deputet i PS: Mund të sjellë anarki në zbatimin e vendimeve 
I vetmi mjet ligjor për rishikimin e vendimeve gjyqësore është rishikimi i vendimit (civil apo penal) të formës së prerë, që parashikohet si institut në kodet e procedurës respektive, ku përcaktohen dhe rastet eksplicite në të cilat rishikimi mund të kërkohet. Një ligj i veçantë nuk mund të vijë në kundërshtim për sa më sipër, aq më tepër po qe edhe një ligj i thjeshtë, pra vetëm me 71 vota. Nuk parashikohet si rast rishikimi në asnjë nga kodet, dhe mund të sjellë anarki në zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Edmond Leka, Deputet i PS: Kjo është temë e gjerë. Rihap histori pa fund mbi sistemin gjyqësor. Normalisht ka shumë çështje që duhen rigjykuar, por kjo kërkon konsesus shumë të gjerë dhe mendoj se është pothuajse e pamundur.

Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit: Po pse duhet te pyesni për çështje qe kanë marrë përgjigje nga Komisioni i Venecias dhe Kushtetuta jonë?

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Myrtezai: 26/07/2018 01:16

    Keta te gjithe jane tocat e Rames asgje nuk thone thote shefi dhe keta toca pohojne me Koke

    Përgjigju
    • GR-tirana: 26/07/2018 11:14

      Ne fakt kane te drejte, ske pse ben ligje speciale kur ligjet aktuale ta lejojne rigjykimin. Njerezit nuk i futeshin rigjykimit te nje ceshtjeje dikur se e dinin qe e kishin prape te humbur, por tashme sbesoj se ka bythe gjykatesi më qe te beje ato pacavure vendime qe jane bere me pare. Gjithsesi dihet qe e gjithe kjo do kohe sepse jemi akoa ne fillim te procesit... Rendesi ka qe fillimi duket i mare dhe te shpresojme te vazhdoje po keshtu...

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale