Partia Demokratike nuk po rinovohet, por po mbyllet edhe më shumë rreth Sali Berishës dhe me këto ritme të djathtët nuk vijnë në pushtet as në vitin 2059. Ky ishte thelbi i kritikave të avokatit Fran Dashi dhe ish-kreut të PD-së së Librazhdit, Bujar Vreto, të cilët në emisionin “Studio Live” në Report TV analizuan zhvillimet e fundit në selinë blu pas rizgjedhjes së Berishës dhe zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar. Sipas tyre, premtimi për ripërtëritje ka mbetur vetëm në fjalë, ndërsa PD vazhdon të vuajë nga mungesa e reflektimit dhe e alternativave të reja politike.

Më kritik u shfaq Bujar Vreto, i cili tha se nga Kuvendi Kombëtar priste më shumë sesa një rizgjedhje formale të Berishës dhe një listë emrash që, sipas tij, nuk përfaqësojnë rinovim të partisë. Sipas tij, Berisha humbi një mundësi për të bërë analizë të së shkuarës dhe për të paraqitur një bosht të qartë ideologjik për të djathtën shqiptare.

Vreto kritikoi gjithashtu heshtjen e Partisë Demokratike për çështje që lidhen me pronat, duke përmendur rastet e Zvërnecit dhe Rrjollit, ndërsa shtoi se demokratët prisnin përgjigje për gabimet e së kaluarës dhe jo thjesht vazhdimësi të të njëjtit diskurs të gabuar politik.

“Pashë një ekzaltim të Berishës. Kur ai tha që nuk e ka tradhëtuar kurrë besimin e demokratëve mu duk mashtrimi më i madh.  Besimin e demokratëve, të njerëzve të lirë e të shtresave të margjinalizuara që  ka tradhëtuar gjatë gjithë kohës që nga viti ’90 e deri më sot.  Nuk ishte ripërtëritje me fëmijët e ish-ave të PD-së. Janë 35 ish drejtorë dhe ish-zv ministra që kanë ardhur në Këshill. Pra kjo nuk është ripërtëritje. Unë nuk kisha besim por mendoja që Berisha do të shpaloste një bosht ideologjik rreth të djathtës. Berisha nuk foli për gabimet. Ai nuk është se ka thyer një stop makine, por ka tjetërsuar pronën, nuk dëmshpërbleu të përndjekurit, bëri ligje për të legalizuar të paligjshmen. Sot jemi te Zvërneci dhe tek Rrjolli. Pse hesht PD para Zvërnecit?” tha Vreto.

Edhe avokati Fran Dashi e konsideroi Sali Berishën përgjegjësin kryesor për gjendjen ku ndodhet sot Partia Demokratike. Sipas tij, problemi nuk është vetëm rezultati zgjedhor, por mungesa e një ndryshimi real në drejtimin e partisë.

Për Dashin, demokratët duhet të nisin një proces të vërtetë ndryshimi brenda partisë nëse duan ta shohin PD-në sërish si një alternativë qeverisëse. Në të kundërt, sipas tij, opozita rrezikon të mbetet e bllokuar në të njëjtën situatë politike për vite të tëra.

“Por me këtë drejtues dhe me këtë Këshilli Kombëtar, PD nuk vjen në pushtet as në vitin 2059. Do të qëndrojë vetëm në opozitë. Më vjen keq për demokratët. Më e keqja është se Berisha thotë se u votua nga mbi 40,000 anëtarë ndërsa në mitingjet e tij i shkojnë 2000 vetë. Pra tregon që ka një boshllëk brenda PD. Deputetët e listave të mbyllyra janë thjesht servilë pas kryetarit. Heshtin sepse marrin rroga të majme. Demokratët që shkojnë në protestë nuk kanë bukë që të hanë e as lekët e biletës për tu kthyer në shtëpi. Demokratët duhet të bëjnë përpjekje të ndryshojnë lidershipin. Në të kundërt, PD është komode në opozitë” tha Dashi.