Është konsideruar si shpresa e vetme, ndoshta edhe e fundit, për të ndalur krimin e organizuar – këtë kuçedër që në këtë vend po hante gjithçka që gjente përpara – koka njerëzish e pasurinë e tyre.

Edhe personalisht pata besuar se misioni i BE-së në Kosovë, ishte këtu për ta realizuar dhe arsyetuar emrin e tij – mision për sundimin dhe forcimin e ligjit.

Për këtë arsye, në një editorial ca vite më parë, pata bërë thirrje që EULEX-i të përkrahej pa rezervë dhe nga të gjithë.

Ngase, sikur secili qytetar tjetër i këtij vendi, të cilit pamëshirshëm po i vidhej pasuria dhe me këtë edhe e ardhmja, pata besuar, naivisht e verbërisht, se këta zotërinjtë do të aplikonin standardin e rendit e ligjit, me atë përpikërinë që i karakterizon, sipas imagjinatës tonë, shtetet evropiane.

Mirëpo, nuk na ka askush faj që e trajtuam me shpërfilljen më të madhe atë thënien popullore “Ku thonë se ka dredhëza shumë, merre shportën e vogël”.

Premtimi i pambajtur i drejtuesve të EULEX-it se do t’i zënë “peshqit e mëdhenj”, pra se do t’i dërgojnë prapa grilave hajnat e kriminelët e kalibrit të lartë, është prerje në besë e këtyre qytetarëve.

Ajo që pamë me kalimin e kohës ishte e papërfytyrueshme.

Jo që kurrë nuk e futën në rrjetë një peshk të tillë të madh, por peshkatarët evropianë filluan t’u bëhen shokë. Si rezultat i raporteve shumë të afërta mes tyre, nga brendia e misionit lindën peshq edhe më të këqij, më të rrezikshëm, aso me dhëmbë – pirana.

Fjalët e akuzat se zyrtarë të EULEX-it, sidomos aso të profilit të lartë, janë të ligj dhe tejet jorezistues para fuqisë së koferëve me euro, ndoshta nuk do të dilnin në pah asnjëherë sikur brenda misionit të mos kishte njerëz me moral.

Por, ajo që misioni s’ka mundur ta fshehë dhe që shihet ashiqare edhe sot e kësaj dite është mospuna, konkretisht mungesa e rezultateve në luftën kundër “peshqve të mëdhenj”. As me caraga nuk është që kanë bërë ndonjë gjë të madhe.

E tash sërish kemi ardhur tek ajo dilema se a duhet ta përkrahim apo jo dhe a duhet apo jo t’i besojmë misionit më të madh dhe më të shtrenjtë të Bashkimit Evropian.

Përmes një opinioni, të publikuar në medie, shefi i EULEX-it vlerëson se misioni e meriton “ende” besimin e kosovarëve.

Me fraza si, “kemi politikë të zero tolerancës ndaj korrupsionit”, “jemi duke i shqyrtuar pohimet e publikuara në shtyp”, se “secili person është i pafajshëm deri sa të vërtetohet ndryshe”…,

Gabriele Meucci përpiqet ta shpëtojë me fytyrë, aq sa mundet, misionin, në krye të të cilit është që prej pak më shumë se një muaji.

Reagimi i tij ka ardhur vetëm pasi që në EULEX shpërtheu qelbi, të cilin s’mund ta mbulonte më askush.

Pohimet e shefit të misionit evropian se akuzat janë shqyrtuar e po shqyrtohen nuk janë tjetër pos një përpjekje për ta minimizuar skandalin, i cili u fsheh deri në momentin kur u publikua në mediet e vendit.

As Gabriele Meucci e askush nuk mund ta mohojë faktin se Brukseli filloi të marrë me shumë seriozitet aferën apo aferat që dolën sheshit në Prishtinë.

Edhe vetë numri një i misionit të BE-së në Kosovë e pranon në opinionin e tij se vetëm pasi ka udhëtuar këto ditë në Bruksel, kryediplomatja dhe shefja për siguri e Bashkimit Evropian ka emëruar një zyrtar për t’u marrë me akuzat për korrupsion, që janë ngritur nga (ish-)zyrtarë të EULEX-it për kolegë të tyre gjyqtarë e prokurorë.

Po ashtu, askush nuk ka dyshim se ajo që u publikua kohëve të fundit rreth asaj që është duke u zier brenda misionit evropian në Kosovë është vetëm maja e ajsbergut.

E tash, çështja e besimit ose jo në misionin evropian është shumë pak relevante.

Më e rëndësishmja është se atij më nuk ia ka frikën askush. Nga “Dieta Eulex”, siç e pat cilësuar një koleg misionin me idenë se zyrtarët kosovarë po humbin peshë nga djersitja, kur oficerët e EULEX-it ua mësynin në zyre ose shtëpi, misioni është shndërruar në një pudër, që i mbulon të palarat, si të vendorëve ashtu edhe përfaqësuesve të tij.

Prandaj, edhe sikur nesër të merrnin koferët (ndonjëri të mbushur me euro), e të shkonin nga këtu, pakkujt do t’i bënte përshtypje.

Për të bërat ose të pabërat, dënimin ndoshta do ta marrin secili në vendin e tij atë ditë kur të na lirohet pak qafa nga zgjedha që na është vënë sherri i peshqve të mëdhenj, të cilët jo që nuk u rralluan e u hoqën qafe, por u rritën e u shtuan.
Me bashkëfajësinë e tyre.