Sot në mëngjes një portal online publikoi një lajm të pavërtetë sikur ABI Bank zotëron mijëra hektarë në Zvërnec. 100 për 100 mashtrim! Si gjithë mashtrimet e përditshme të mafiozëve mediatikë.
Po pse pikërisht sot ky mashtrim i radhës për ABI Bank? Sepse pikërisht sot hallexhinjve të vërtetë të këtyre ditëve u duket momenti perfekt për gjobëvënien e radhës duke “zbuluar” ABI Bank që paska mijëra hektarë në Zvërnec. Meqë u bë modë që të protestohet se “amerikanët po na marrin Zvërnecin”, duhet dhe një gënjeshtër tjetër ta ilustrojë me “fakte” që ka dhe një bankë amerikane pas kësaj historie të stisur.
Në frymën popullore të pakënaqësisë, këta mafiozë dhe hallexhinjtë e vërtetë që nuk dalin dot hapur në shesh, nxorën mikrofonin mediatik mafioz dhe mendojnë se gjetën hapësirën e radhës për të vënë gjobë, se tani helbete bankat duhet të kenë frikë “se janë dhe amerikane”.
Shumë pak histori:
Kjo media ka tentuar të vërë gjoba prej vitesh ndaj ABI Bank. Si dhe shumë portale periferike, premtimi ishte që po të paguanim atëherë nuk do publikonin gënjeshtrat e “pastrimit të parave”. Kërkesa e fundit ishte 120 milionë lekë në vit.
Titulli i këtij reagimi sipas stilit të tyre duhej të ishte: “Kërkohen miliona gjobë për ABI Bank”.
Pavarësisht se ABI Bank është nën supervizimin e Bankës së Shqipërisë, vlerësuar si nje nga investimet më të mëdha amerikane nga Ambasada Amerikane, vlerësuar nga përfaqësi të shumta diplomatike, ka marrëdhënie me bankat më prestigjioze në botë, ka marrë çmime shumë prestigjioze nga publikime financiare përfshi International Banker, dhe për më shumë ka dhuruar miliona euro për artin dhe çështje sociale në vend, mafiozët mediatikë kanë të gjithë lirinë ligjore prej vitesh të publikojnë pa asnjë problem mashtrimet e tyre. Këto mashtrime publikohen me një kosto të ulët në shqip, por dhe në gjuhë të huaja dhe falë teknologjisë postohen dhe hiqen shumë lehtë. Veprimi është tipik mafioz dhe ngjan me atë të një grupi të strukturuar kriminal qe do ta kishte zili vete Padrino/Kumbara/Godfather. Në fillim shkruajnë lajmin e rremë, pastaj presin t'i kontaktosh, dhe pastaj e heqin lajmin që shpesh e ka vënë “Koli”, “Liri”, “Genci” apo “Agimi” që nuk e dinte. Pas një viti pagese vijnë prapë dhe kërkojnë të paguhen përsëri; në mos do vijnë të publikojnë mashtrimin e radhës.
Mafiozët mediatikë që e mbajtën të varrosur si lajm Zvërnecin me muaj me lajme të rreme të kota. Me lajme ku përditë populli lexon qyfyret e mëngjesit për fonde që “gllabërohen”, “përlahen”, “vidhen” apo “përvetësohen” miliona dhe miliarda. Me foto të vërteta dhe të pavërteta ku përgojohet çdokush që nuk ua paguan gjobën mafiozëve. Ah, se harruam… ka dalë dhe një “gjarpër jeshil te liqeni” që në fakt është i vërtetë se e kemi pare.
Për ta mbyllur: urojme që shpejt të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë kjo racë e ndyrë mafie e shtypit. Për këtë duhen shkundur të gjithë politikanët dhe çdo punonjës i kompanive të ndershme që del në protestë duhet të flasë për mafian e shtypit që sulmon përditë biznesin e ndershëm.
Do jetë sukses i madh për vendin në qoftë se do te votohej nje forcë politike që e ka platformën për t'i dhënë fund kësaj mafie mediatike njëherë e përgjithmonë.
Nga ABI BANK







