Sovraniteti i një shteti zakonisht matet me kufijtë e tij territorialë, ushtrinë apo njohjen ndërkombëtare. Por ekziston një përmasë tjetër, shumë më e padukshme. Është integriteti moral i drejtuesve. Kur një udhëheqje politike e humbet këtë integritet për shkak të korrupsionit të kapilarizuar, ajo njëkohësisht dorëzon edhe aftësinë për të mbrojtur interesin kombëtar. Korrupsioni eeliminon lirinë e vendimmarrjes. Ai e kthen pushtetarin nga një përfaqësues të popullit në një individ të shantazhueshëm.

Në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare, diplomacia e fuqive të mëdha nuk ka sentimente, vepron mbi levat e trysnisë. Përballë kërcënimit të izolimit, dosjeve penale apo përgjimeve komprometuese, politikanët e korruptuar detyrohen të bëjnë lëshime strategjike që dëmtojnë drejtpërdrejt shtetin. Lideri i shantazhueshëm pranon marrëveshje disavantazhuese që të blejë mbështetjen apo heshtjen ndërkombëtare.

Rasti i Kosovës dhe pranimi i Gjykatës Speciale të Hagës duhet të lexohet edhe në këtë prizëm. Pavarësisht argumenteve se ajo ishte një domosdoshmëri për ruajtjen e partneritetit me Perëndimin, mbetet fakti se një shtet i ri pranoi një mekanizëm juridik të vendosur jashtë kontrollit të tij të plotë.

Kjo nuk ishte vetëm pasojë e pabarazisë së pashmangshme mes një shteti të vogël dhe fuqive të mëdha. Ajo lidhej edhe me dobësitë e klasës politike të pasluftës, e cila, e rënduar nga akuzat për korrupsion dhe kapje të shtetit, kishte humbur një pjesë të autoritetit moral dhe rrjedhimisht të aftësisë për t’u përballur me trysninë ndërkombëtare nga një pozicion më i fortë.

Në Tiranë, modeli shfaqet në forma të tjera. Historia e pas ’90-s në Shqipëri është e mbushur me vendime të rëndësishme që janë diktuar më shumë nga nevojat e pushtetit sesa nga interesi afatgjatë i shtetit. Marrëveshje që prekin hapësirat detare, nisma rajonale të ndërmarra pa konsensus shoqëror, pranimi i barrave ndërkombëtare që vende shumë më të mëdha kanë hezituar t’i marrin përsipër, koncesionet dhe privatizimet e pasurive strategjike, na e kanë bërë të qartë se mbijetesa politike e udhëheqësve ka peshuar më shumë se mbrojtja e interesave kombëtare.

Këto vendime janë paraqitur si detyrime ndaj aleatëve apo si ‘kontribute për sigurinë globale’. Në të vërtetë, shteti nuk ka vepruar si subjekt sovran që negocion interesat e vendit. Ai ka pranuar kosto afatgjata për t’u siguruar mbështetje afatshkurtër timonierëve të radhës.

Për sa kohë do udhëhiqemi nga këto ‘llogari taktike’ pushtetarësh të kushtëzuar nga mëkatet e tyre, do vazhdojmë të kemi flamur, himn dhe kufij, por në thelb do mbetemi protektorat informal i diktuar nga interesat e atyre që zotërojnë “dosjet” e udhëheqësve tanë.

Për këtë arsye beteja kundër korrupsionit nuk duhet parë si ‘reformë’, nevojë për ligje mbi ligje, kusht për të hyrë në BE etj. Antikorrupsioni është akti më i madh i patriotizmit modern. Për fjalime dhe postime emocionuese është kollaj, patriotizmi matet me atë që bën njeriu kur ka në dorë pushtetin dhe paranë publike. Aty e fiton fuqinë për t’i thënë “jo” edhe një aleati kur interesi i vendit e kërkon.

Bota e sotme drejtohet nga interesa të ftohta. Pa drejtues me këtë autoritet moral, sovraniteti i Kosovës, por edhe i Shqipërisë do mbetet koncept i cunguar, i gatshëm për tregtim në pazaret e një gjeopolitike përditë e më cinike.