Adriatik Kallulli, shkrimet e një jete

Adriatik Kallulli, shkrimet e një jete
Njeriu vjen në jetë dhe lë aty një gjurmë. Gjurmën e emrit të tij. E madhe apo e vogël, aty është rruga e tij, puna e tij, dashuria e tij. Vitet ikin, të tjerë breza njerëzorë vijnë, dhe pak, fare pak prej atyreve që ikin bëhen ura lidhëse të kohërave e brezave, pika referimi dhe apel kujtese. Adriatik Kallulli është pjesë e kujtesës së letrave shqipe. Kujtesa e mban njeriun pranë të sotmes.

Dhe kjo s’është pak. Sepse të mbetesh në analet e kujtesës së mendimit shqiptar jo kushdo e mbërrin. Duhen dhunti të shumta, punë e mundimshme, kontribute të vyera, dhe pastaj impakte me mediume sociale të gjera që të mund të hysh në ato anale. Adriatik Kallulli si kritik i shquar i letërsisë shqipe, si profesor dhe si intelektual ka shënuar emrin e vet në mbamendjen tonë.

Është një emër me dritë, sepse ai gjithë jetën dritë dha nëpër mijëra artikuj, mijëra biseda të larmishme përballë njerëzish të niveleve e shkollimeve të ndryshme, në ligjërata pa fund auditorëve të universiteteve. Adriatiku fliste, nuk bërtiste. Mësonte të tjerët duke mësuar vetë. Jo rrallë më ka takuar të dëgjoj fjalë të sinqerta, plot shpirt, nga ish studentë të tij që tani punojnë nëpër institucione të ndryshme të vendit dhe të gjithë sjellin ndërmend atë komunikim të çlirët që ai ndërtonte me ta, ligjërimin e tij të veçantë, të gjendurit e tij për çdo hall e problem, të qeshurën dhe gëzimin për suksesin e tjetrit. Po, profesor Adriatik Kallulli ishte i veçantë.
 
Sa herë rrekemi t’i vëmë një emër, një cilësi a shenjë dikujt, dallojmë disa syresh që kanë më shumë spikamë. Adriatik Kallulli ishte njeriu i dijes, i horizontit të mendimit. Ishte një mendje enciklopedike. Ai lindi mbi një det më 28 gusht 1938 teksa nëna e tij shkonte për të lindur në një tjetër tokë, në Bari të Italisë, dhe prandaj mori emrin e atij deti: Adriatik. Ai e reshti frymën në një tjetër tokë të huaj, në Vjenë të Austrisë, në prag krishtlindjesh, më 24 dhjetor 2011, kur dita mundte natën, për t’u rikthyer në tokën e tij përmes qiellit.

Ja që njerëzit vdesin një ditë, por emri mbetet.Në studion e mendimit të profesor Adriatik Kallullit, përpos gjerësisë dhe lartësisë,  vinte thellësia e dijes dhe e shqyrtimit, po ashtu aventura e guximit teksa u jepte formë qasjeve kritike e analitike aq interesante, mbushur plot vrulle emocionale.

Studimet, shkrimet, esetë dhe artikujt e tij shquhen për pasurinë e ideve dhe argumenteve, për kulturën dhe gjerësinë e informacionit estetik, për paralelet e menduara dhe ekskursionet filozofike, për përthyerjen emocionale të faktit letrar e artistik në vetëdijen prej studiuesi e kritiku, si dhe qasjet e mprehta me poetikat letrare e artistike botërore; gjithashtu, ai spikati për stilin e shkathët, tonet entuziaste, zbulimet dhe afirmimet e sinqerta të risive, patosin e shpjegimit dhe analizës, marrëdhënien e çlirët antikanonike ndaj veprës së artit dhe krijimtarisë artistike përgjithësisht.

Përkitazi stilit të tij të shpenguar dhe elokuent, shumëkush shijoi flukset emocionale dhe entuziazmin e sinqertë prej kritiku ndaj zbulimeve të autorëve të rinj të talentuar dhe veprave të shquara në kohë. Brezat e studentëve dje dhe sot, u mëkuan nga pena e tij e shkathët, nga mendja e tij e hapur, nga dituria e tij. Ata mësuan inxhinierinë e shqyrtimit kritik ku idetë nuk duhen mbytur nën zhguallin e klisheve dhe skemave, as të ftohen nga bryma e racionalitetit të tepruar, por të fluturojnë hapësirave të çlirëta të asociacioneve sikurse aq hijshëm dinte të fluturonte ai. Profesor Adriatik Kallulli ishe modeli i fjalës së zjarrtë, pasionale, i stilit të veçantë, i frymës së kohës.

Ligjërimi ishte dashuria e tij më e madhe. Shkrimet e tij kishin nerv, gjak, shqetësim. Ai nuk mund të shkruante ndryshe. Ndonëse koha qe e mbushur përplot paragjykime e klishe, ai bënte-ç’bënte dhe turavrapej drejt esesë, drejt një mendimi më të çliruar nga shkretimi i arsyetimit dogmatik e sociologjik ku përshkruheshin subjektet e veprave letrare dhe listoheshin idetë si porosi morale.

Ai rrekej udhëve ku bulonte emocioni duke i dhënë rëndësi të madhe aspektit receptiv, impakteve që vepra realizonte me lexuesin e gjerë dhe kohën, komunikimit të saj. Kështu poezia dhe proza e Kadaresë dhe e Arapit, romanet e Xoxës, rrëfimet e Petro Markos dhe Agollit, vargjet e Spahiut e Reshpjes, tregimet e Faik Balancës dhe Koço Kostës,  proza e Bilal Xhaferrit dhe e Teodor Laços, Fatos Kongolit apo Kasem Trebeshinës, Murat Isakut dhe Rexhep Qosjes, kishin po aq ahtin e tij si kritik dhe eseist, kishin brenda shpirtin e tij.

Edhe Migjeni apo Noli, edhe Poradeci apo Kuteli, dhe më tutje të mëdhenjtë e hershëm me Naimin, Samiun, Çajupin, Mjedën, Konicën, Nolin, Fishtën dhe, posaçërisht Migjenin, të adhuruarit e tij, paçka se koha kishte hedhur mbi fjalën e tyre velin e vlerësimit historik, te lexuesi ata kalonin po përmes portës së mendjes e frymës së tij prej kritiku që dinte të zbulonte të pazbuluarat, të pathënat, që njihte e deshifronte bukur mirë mistikën e vetë artit.

Ai shkonte drejt veprës jo si shkencëtari pedant, i distancuar qysh në krye të herës, por si kritiku mik e bashkëbisedues, si i ftuar në një sofër për të ngrënë tok me të zotin e saj, shkrimtar e poet, i djeshëm a i fundmë, për ta shijuar drekën letrare që shtrohej bujarisht. Emocional siç ishte, shpesh e rrëmbente ekstaza e vlerës letrare e artistike të shënjuar. Kur shquante gjësende të bukura, nuk vuante nga ndjenja eksentrike e të qenit “dijedhënës”.

Përkundrazi, i frymëzuar nga epëria estetike e veprës hynte edhe vetë me shpirtin e tij aty, me përjetimet e tij, prandaj dhe ishte aq i ngrohtë, miqësor, emocional. Qe si fryma që jetësonte tjetërçka e tjetërkë, duke mbetur gjithëpo ajo, e ngrohtë dhe e shtrenjtë sa s’ka. Ndjenja e bukur estetike, emocioni i thellë, sqima stilistike ishin tre të parapëlqyerit e tij.

Ky ishte modeli më elegant që aso kohe, kur fjala ishte e lidhur nga vargonjtë, të rinjtë mësuan, vlerësuan dhe pëlqyen prej profesorit të tyre.
Adriatik Kallulli ishte një estet. Ai realizonte vështrime të gjera gjithëpërfshirëse për artet dhe letërsinë shqipe, shikonte, analizonte dhe nxiste prirjet e tyre, kumtonte për ligjësitë, parimet fondamentale, kategoritë estetike dhe trajtat konkrete në rrjedha historike, gjer dhe në vepra konkrete.

Ai realizonte ndërthurje dhe referime artesh të llojeve të ndryshme gjegjësisht ligjësive estetike, bënte vështrime gjithëpërfshirëse të zhvillimit të arteve në rrafshe diakronike e sinkronike, bashkonte parime, ligjësi e shenjime nga letërsia tek artet vizuale, nga muzika tek ekrani, nga teatri tek arkitektura, nga filmi tek opera, baleti, muzika etj. Të shumtë janë artikujt e tij për vepra të njohura të artit: piktura, skulptura, grafika, opera, tragjedi, drama, filma, balete, variete.

Shumë nga shkrimet dhe librat e tij me shënime kritike apo qasje estetike kanë fituar disa çmime e diploma nga institucione kombëtare e ndërkombëtare. Artikujt për dramaturgjinë dhe shfaqjet mbresëlënëse të teatrit në hapësirat mbarëshqiptare shquhen, përveç se nga kultura dhe mprehtësia e analizës, edhe nga fryma e sinqertë e mirëkuptimit kundruall dobësive, sikundër nga qëllimi për të nxitur prirje, rryma a talente të sigurta në këto fusha.

Emra të mëdhenj të teatrit filluar nga Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Pirro Mani, Fadil Hysaj apo aktorë si Mihal Popi, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Tinka Kurti, etj, personalitete të kinemasë si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, Vladimir Prifti, Kujtim Çashku, emra të mëdhenj të arteve pamore si Odise Paskali, Abdurrahim Buza, Guri Madhi, Janaq Paço, Sali Shijaku, e dhjetëra e dhjetra të tjerë, në të gjitha artet. Sepse ai ishte një ligjërues i arteve, një estet i tyre.

Libri në formë bibliografie “Adriatik Kallulli”, që është përgatitur posaçërisht nga e shoqja e tij, Nezi Kallulli dhe bibliografi i njohur Aleks Gjinaj, ka vlerën e një skedari. Sepse një skedar shkrimesh janë kontributi ndër vite i prof. Kallullit. Qysh student ai nis të shkruaj e botoj. Viti 1959 në gazetën “Zëri i rinisë” ai e nis udhën e bukur të kritikës me recensione mbi libra e shkrimtarë, shqiptarë e të huaj, ku do të përfshihej edhe libri me poezi i Dritëro Agollit “Hapat e mia në asfalt”, pastaj në vitin 1965 ai nis me romanin e njohur “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, për të futur në opusin e vetë shkrimtarët dhe veprat e shquara të letërsisë shqipe.

Më 17 korrik 1966 ai shkruan të parin artikull kritik me natyrë abstraguese e problemore për tregimin si gjini dhe një vit më vonë për prozën e gjatë dhe poezinë, ku veçohet artikulli për poemën e njohur të Kadaresë “përse mendohen këto male”.

Ai kërkon ta çlirojë poezinë nga anakronizmi, drama të ketë më shumë jetë dhe të vërteta, mendimi kritik të orientohet drejt zbulimit të së resë, njohja e letërsisë së lavruar në Kosovë, rritja e figuracionit në poezi, nevoja për qasje satirike, kritikë ndaj skematizmit, mediokritetit, probleme të kuptimit të identitetit kombëtar në letërsi dhe arte, prirjet e natyrshme të arteve, raportet me kohën, hapësirën, shoqërinë, qytetërimin, çështje të kritikës dhe studimeve. Mendimi i Kallullit ishte si pjalmi i luleve, hapej e qëndronte gjithkund, për të gjitha çështjet, rrjedhat, prirjet, dukuritë, gjinitë, veprat, autorët.
 
Te ky libër që doli në botim ka jo vetëm informacion, por edhe kujdes e dashuri nga hartuesit e tij. Në fakt koha e rreptë e ritualit të një hyrjeje a fjale përkujtimore për personalitetin dhe ndihmesën e tij në artet dhe letërsinë shqiptare, koha e epifanisë së tij teksa është bashkuar tashme me frymën, e bën të pamundur të gjej fjalët më të sakta, fjalët më të ëmbla, fjalët më të bukura.

Ajo është e hapërdarë në 73 vitet e tij, më së shumti në 52 vjet shkrime qysh kur botoi për herë të parë në moshën 20 vjeçare, në dashurinë e tij për njerëzit, familjen, miqtë, shkrimtarët, artistët, kombin, librat; është mbjellë në mijëra artikuj, ligjërime, kumtime; e gjen të përzgjedhur aty, në mjaft libra shkollor e universitar si bashkëautor, në 8 monografitë e tij të botuara dhe të tjera që mbetën në dorëshkrim. Librat e tij si: Në frontin e letërsisë (1974), Njohuri mbi estetikën (1977), Nga realiteti te krijimtaria (1987), Teori e letërsisë (1997), Pema e jetës (2002), nuk mund t’i anashkalojmë dot për nga thellësia e studimit, mprehtësia e analizës dhe hiri i stilit tërheqës.

Tituj të tillë janë e mbeten për bibliotekën e mendimit letrar-artistik shqiptar një memorie e gjallë për të mësuar të djeshmen dhe të sotmen, atë kapërcyell kohërash e mendësish që bri nesh a përballë nesh na jep një instrument të vyer drejtpeshimi dhe vlerësimi estetik. Emri i tij shfaqet si autor dhe bashkautor tekstesh universitare për letërsinë shqipe, si redaktor përmbledhjesh letrare në gjini të ndryshme.

Libra të tjerë mund të botohen nga mbi 1000 shkrime e njësi bibliografike që kritiku ka të regjistruara. Teksa e shfleton këtë këtë bibliografi, nuk mund të mos thuash një fjalë lavdëruese për Nezin, të shoqen e tij, që është kujdesur fort për të përfshirë mundësisht pjesën më përfaqësuese, pasi shkrime të tjera janë lënë jashtë përnbajtjes së tij. Është një kujdes që ka dy anë: nxjerrjen në pah të veprimtarisë shkencore të Adriatikut si kritik dhe, nga ana tjetër, një merak e vëmendje prej bashkëshorteje e bashkëpuntoreje njëkohësisht. 

Dua ta mbyll këtë shkrim përkujtimor sikur ta kisha profesor Adriatik Kallullin në një bisedë diku. Dhe t’i thosha: “Ju i nderuari profesor Adriatiku rroni në faqe librash dhe sfida juaj ndaj ikjes është e patejkalueshme. Nëse ne na merr malli për ju, njeriu ynë i dashur Adriatik, mjafton që librat tuaj t’i hapim, dhe ju do vini te ne, ashtu fisnik, ashtu i qeshur, ashtu i paharruar...


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Tetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Turi i 81-të i çiklistëve, Policia e Shtetit thirrje qytetarëve: Evitoni qarkullimin në këto kase gjatë këtyre orareve

Turi i 81-të i çiklistëve, Policia e Shtetit thirrje qytetarëve: Evitoni qarkullimin në këto kase gjatë këtyre orareve